Hytbja e myftiut të Kosovës, Mr. Naim Tërnava me rastin e Kurban – Bajramit e mbajtur në xhaminë “Sulltan Murat” të Prishtinës
Kurani është libër që i është zbuluar njerëzve si një udhëzim, të përvetësoi sjellje e moralë të mirë. Ky moral është i mbështetur në koncepte si dashuria, dhembshuria, toleranca dhe mëshira. Islami është fe që iu është shpallur njerëzimit me qëllimin e dhurimit të një jete paqësore, nëpërmjet së cilës të pasqyrohet në tokë, mëshira dhe bamirësia e pafund.
Veçoritë e shumta njerëzore reflektojnë moral, mëshirë, dhembshuri, drejtësi, ndershmëri, falje përkushtim, sakrificë e durim. Ndaj me të drejtë njeriut i takon të sillet mirë ndaj njerëzve, të përpiqet të kryej vepra të mira dhe të rrezatoi mirësi.
E këto porosi më së miri janë konceptuar në hytben lamtumirëse në Haxhin e fundit të Muhamedit a.s., para më se 100 mijë haxhinjve të tubuar në Arafat para 14 shekujve. Këto porosi edhe sot janë aktuale dhe kështu do të jenë deri në kiamet, ngase burojnë nga njeriu i cili në vazhdimësi ishte i inspiruar nga i madhi Zot, ndaj unë para jush sot në këtë ditë feste, do tua sjell edhe njëherë në vëmendje disa nga këto porosi për të cilat shoqëria njerëzore ka nevojë pa dallim feje, etnie, race a vendi.
Para se t’ua rikujtoj këto porosi po ua lexoj edhe këtë porosi kuranore: “All-llahu xh. Sh. thotë: ”O ju njerëz! Vërtet Ne ju krijuam prej një mashkulli e një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur, e All-llahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” El-Huxhurat-13.
Kurban – Bajrami duhet të trokas në kujtesën tonë për të na rikujtuar Haxhin lamtumirës të Muhamedit as. dhe mesazhin e tij drejtuar mbar njerëzimit.
Andaj të nderuar vëllezër dëgjoni porositë e Muhamedit a. s. drejtuar mbar njerëzimit:
– Ruani, respektoni dhe nderoni vlerën e personalitetit njerëzor.
– Njeriu është krijesë madhështore e Allahut dhe mjer për atë kush e nënçmon nderin dhe dinjitetin e veprës së Allahut.
– Ju o njerëz, pashmangshëm dhe pakthyeshëm do t’i ktheheni Allahut të Amshueshëm dhe Ai do t’ju thërrasë në përgjegjësi për veprat dhe punën tuaj.
– Gjakmarrja është e ndaluar, të gjitha akuzat e këtilla të cilat rrjedhin nga koha e para shpalljes së fundit, anulohen.
– Nëse borxhliu juaj është në vështirësi, shtyjani afatin e pagimit, ndërsa nëse jeni në gjendje që borxhin t’ia falni, kjo është edhe më e mirë për ju.
– O ju besimdrejtë! O ju njerëz ! Frikësohuni asaj dite e cila me siguri do të vijë, kur të gjithë do të vini para Allahut, i cili është i vetmi gjykatës Suprem, dhe ku ju pret drejtësia absolute.
– Kur të obligoheni që një borxh ta paguani me kohë dhe kur të bëni marrëveshje, të gjitha bëni me shkrim, saktë dhe besnikërisht theksoni afatin e pagimit…
– O të vdekshëm! Duani dhe dëgjoni Zotin. Krijuesin e tërë materies dhe jo materies, i cili krijoi meshkuj dhe femra, prej të cilëve zhvillohet gjinia njerëzore.
– Frikësohuni Allahut, në ndihmën, prehjen dhe mëshirën e të cilit jemi të gjithë të udhëzuar. Ne jemi të vdekshëm të cilët për çdo rast jemi gjithnjë e më afër vdekjes dhe takimit me Të me Allahun e Amshueshëm me Gjykatësin e Drejtë.
– Respektoni farefisin. Besnikërisht përmbushni detyrat dhe obligimet të cilat ekzistojnë ndërmjet burrit dhe gruas, ndërmjet prindërve dhe fëmijëve. Fëmija e fiton Xhenetin nën këmbët e nënës së tij.
– Ruajuni prostitucionit, tradhtisë bashkëshortore dhe xhelozisë. Prostitucioni dhe tradhtia bashkëshortore janë mëkat i rëndë, ndërkaq xhelozia të çon nga përçarja në martesë.
– Martoni ato të cilat i doni, e kur vullneti i Zotit ju bashkon, atëherë respektohuni, duani, në dashuri dhe harmoni.
– O bashkëshortë! Silluni ndaj grave tuaja me shumë mirësi dhe dashuri…
– O besimdrejtë! Largohuni nga ngatërresat dhe përgojimi.
– Ata të cilët u bëjnë shpifje grave të ndershme, le të jenë të mallkuar në të dy botërat.
– Mos kërkoni shkurorëzim pa shkaqe të arsyeshme, sepse prej të gjitha gjërave që Allahu i ka lejuar, më së tepërmi e urren shkurorëzimin.
– Gratë tuaja janë dorëzuar juve në besë të Zotit. Respektoni, o besimdrejtë, atë amanet të Zotit.
– O ju njerëz! Sot djalli i mallkuar është i dëshpëruar, sepse ka pasur humbje dhe nuk mundet më të ndikoj në ju. Ju megjithatë bëhuni të kujdesshëm që ai i mallkuar të mos ju lajthitë as në gjërat më të vogla.
– O besimdrejtë! Kur e caktoni dhe e mbani ndërmjet vete trashëgiminë, bëhuni të drejtë dhe përmbahuni Librit të Allahut. Ruani pasurinë e të miturve, të paaftëve dhe atyre me të meta mendore.
Me robërit dhe shërbëtorët silluni në mënyrë njerëzore, ushqeni ata, sikur që ushqeni veten, vishni ata sikur që vishni vetën. Nuk guxoni t’ju bëni keq e as ti keqpërdorni, edhe ata janë njerëz, edhe ata janë shërbëtor të Zotit.
– O besimdrejtë! Ta dini dhe të mos harroni se të gjithë besimtarët janë vëllezër. Ju të gjithë jeni plotësisht të barabartë në të drejta dhe detyra, nuk ka kurrfarë përparësie arabi ndaj jo arabit, e as jo arabi ndaj arabit, as i ziu ndaj të kuqit, e as i kuqi ndaj të ziut, përveç me devotshmëri. Të gjithë jemi pasardhës të Ademit, ndërsa Ademi është prej dheut.
– O besimtarë! Duhet të kujdeseni, të duheni dhe të ndihmoni, nuk guxoni ta ofendoni njëri-tjetrin, e as ti merrni me dhunë njëri- tjetrit diçka, këto janë mëkate të rënda.
Përkushtojani islamit jetën tuaj dhe në punën për islamin jepni prej vetës gjithçka që mundeni. Kurrë mos e shkelni të drejtën dhe nderin e as kujt. Vetvetes mos i bëni dhunë. Mos harroni se mëshira është një ndër bazat kryesore të islamit.
– O ju njerëz! Dëgjoni çka po ju them dhe mbani mënd mirë. Unë po ua lë Librin e Allahut – Kuranin, i cili nëse i përmbaheni, gjithnjë do t’ju ruajë që të mos e humbni rrugën e drejtë, rrugën e drejtësisë dhe të së vërtetës. Kurani është Libër i qartë dhe i shenjtë, vepër e vërtetë e Allahut, Fjalë e Tij, në vërtetësinë e të cilit nuk ka dyshim.
– Para vetës e keni tërë jetën time, fjalët dhe veprat e mia. Gjithçka që kam folur, punuar jam përpjekur që ato të jenë në përputhshmëri të plotë me urdhrat e Allahut. Ju me të vërtetë nuk do të lajthitni përderisa t’i përmbaheni Kuranit dhe sunetit tim.
– O besimdrejtë! Flitni gjithë të vërtetën e pastër. Urrejtja asnjëherë të mos ju largojë nga rruga e të drejtave dhe drejtësisë. Drejtësia është motra e devotshmërisë. Frikësojuni Allahut! Ai e sheh punën tuaj.
– O ju njerëz! E dëgjuat porosinë time, futeni në zemrat tuaja e në jetën tuaj. Të gjithë ata të cilët i kanë dëgjuar fjalët e mia, le t’ua përcjellin atyre që nuk i kanë dëgjuar! Sepse prej atyre mund të ketë më të kuptueshëm se vetë dëgjuesit.
Pastaj zbriti ajeti i fundit:
“….Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe…. ” (El-Maidetu, 3).
Pra të gjithëve me fat festa e Kurban – Bajramit dhe festa e Flamurit.
Myftiu i Kosovës
Mr. Naim Tërnava