Si ti qasemi botës arabe?

Më 25 gusht në Prishtinë, me iniciativën e Forumit 2015, do të mbahet konferenca e dytë me titull “Kosova dhe Bota Arabe” . Pas konferencës së parë të mbajtur më 14 korrik në Aman të Jordanisë, me iniciativën e Qendrës “al-Kuds” për  Studime Politike.  Në konferencë priten të marrin pjesë një numër i konsideruar i përfaqësuesve të shoqërisë civile nga vende të ndryshme arabe, intelektualë, akademikë dhe  analistë, me qëllim që ata të njihen  me realitetin e ri të krijuar në Kosovë, pas vitit 1999 e në veçanti pas shpalljes së Kosovës shtet sovran dhe të pavarur më 17 shkurt 2008. Kjo iniciativë, është nismë e shoqërisë civile në Kosovë dhe në Botën Arabe, me qëllim të  sensibilizimit të opinionit arab për  Kosovën, si një çështje në të cilën duhet të kontribuojnë edhe  qeveritë arabe në njohjen e pavarësisë së saj, si shtet më i ri në Evropë me  shumicë myslimane, por edhe në investimin e kapitalit të vendeve të pasura arabe në sfera të ndryshme të ekonomisë kosovare me interes të përbashkët.

Nga 46 shtete të botës, që kanë njohur deri më tani shtetin  e ri të Kosovës, në mesin e tyre nuk është asnjë shtet arab, prej 22 vendeve sa numëron Liga Arabe. Andaj, pyetja që shtrohet para pjesëmarrësve të kësaj konference, qofshin ata arabë apo kosovarë, është ku qëndron shkaku i këtij hezitimi nga qeveritë e vendeve arabe si dhe gjetjen e  metodave  për tejkalimin e kësaj situate.

Vendet  arabe për shkak marrëdhënieve  të tyre strategjike me Federatën Ruse, u ballafaquan me presione të papara, duke kushtëzuar bashkëpunimin e mëtutjeshëm me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Shpallja e njëanshme e  pavarësisë së Kosovës, nga ana e shqiptarëve në bashkëpunim me Bashkësinë Ndërkombëtare, e ndihmuar nga SHBA-të dhe BE, po paraqitet në ato vende   si një lloj secesioni, me të cilin  në të ardhmen mund të ballafaqohen edhe vendet  arabe.

Diplomacia serbe, duke shfrytëzuar reputacionin që dikur kishte ish-Federata Jugosllave në vendet arabe, si prijëse  e Lëvizjes së Vendeve të Painkuadruara dhe qëndrimit parimor të saj rreth çështjes palestineze,  kishte bërë efektin e vet në këtë drejtim.

Mungesa e kontakteve institucionale të  çfarëdo niveli   politik në mes Kosovës dhe  vendeve arabe ka bërë që propaganda ruse dhe ajo serbe të ketë sukses në anashkalimin e njohjes së pavarësisë  së Kosovës në këto vende.

Theksimi i përkatësisë sonë perëndimore, në llogari  të përkatësisë  tonë shpirtërore  islame,  nga ana e përfaqësuesve tanë politikë, të cilit i përkasin shumica dërrmuese kosovarëve,  ka bërë që bota arabe dhe  ajo islame pak sa të jetë e irituar nga  .një veprim i këtillë

Të gjithë këta faktorë së bashku, duke përfshirë këtu edhe  interesat  kombëtare  të  çdo vendi,  kanë bërë që në momentin kur ne kemi nevojë për atë pjesë të botës, të hezitojnë të na dalin në ndihmë, ashtu siç ne  kemi shpresuar.

Argumentet tona  bindëse në favor të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga vendet arabe janë:

E para: Besimi i  vendeve arabe në të drejtën e popujve në vetëvendosje. Sepse të gjitha ato  vende kanë kaluar nëpër një periudhë të tillë, nga  e cila drejtë nuk mund të përjashtohet as Kosova dhe  populli i saj.

E dyta: Besimi i vendeve arabe në solidaritetin njerëzor dhe atë islam.

E treta: Realitetet e reja të krijuara pas shembjes së murit të Berlinit, qoftë në ish-Bashkimin Sovjetik, nga gërmadhat  e të cilit dolën 16 shtete të reja. Dalja e Sllovakisë nga ish-Çekosllovakia. Nga ish-Federata Jugosllave, u formuan 7 shtete, Kosova është episodi i fundit. Si  Rusia  ashtu edhe Serbia në fillim ishin kundër pavarësimit të shteteve të reja, por me kalimin  e  kohës ato  u pajtuan me realitetin  e ri të krijuar  në terren. E njëjta do të ndodh me Kosovën, pas një kohe jo fort të gjatë, kur Serbia do ta njohë Kosovën dhe do të vendos marrëdhënie diplomatike me të.

E katërta: Pavarësia e Kosovës nuk mund të quhet akt i njëanshëm, ashtu siç përpiqet ta paraqet këtë propaganda serbe para botës. Për arsye se ky akt i shpalljes së pavarësisë u bë  pas një periudhe bisedimesh që zgjatën më shumë se dy vjet në mes palës kosovare dhe asaj serbe nën mbikëqyrjen ndërkombëtare, pas së cilës përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, presidenti finlandez, Marti   Ahtisari doli me propozimin  e tij, të cilin pala kosovare e pranoi, kurse pala serbe e refuzoi. Sipas të cilit, Kosova shpallej shtet i pavarur nën mbikëqyrje ndërkombëtare, në ndërkohë  që  pakica serbe fitonte  të drejta dhe  privilegje të shumta, në aspektin kombëtar dhe atë të trashëgimisë kulturore  e fetare.

E pesta: Serbia aktuale nuk ka asgjë të përbashkët me ish-Federatën Jugosllave të Titos dhe  hegjemonizmi serb për formimin e  Serbisë së Madhe ishin shkak jo vetëm i shkatërrimit të ish-Federatës Jugosllave, por edhe i të gjitha tragjedive që ndodhën në ish-Jugosllavinë.

E gjashta: Rezultat i agresionit serb i mbështetur në faktorin etnik, por edhe në atë fetar pësuan shumë popuj si kroatët, myslimanët dhe shqiptarët e Kosovës.

E shtata: Se kjo luftë kishte edhe përmasa fetare flasin faktet se gjatë luftërave të fundit në shënjestër të soldateskës serbe ishin spastrimi etnik dhe fetar i myslimanëve si dhe  xhamitë e tyre, qofshin në Bosnjë e Hercegovinë apo në Kosovë.

E teta: Mbi 90% të arrestuarve dhe të gjykuarve në Gjyqin e Hagës për krimet në ish-Jugosllavinë, jo vetëm se janë me  përkatësi serbe, por edhe përfaqësojnë  elitën e pushtetmbajtësve, gjë që tregon se agresioni dhe gjenocidi ishte mirë përgatitur. Këto dite duhet të gjykohet elita që ishte në pushtet për krimet në Kosovë, kurse pak ditë më parë u arrestua krimineli Radovan Karaxhiq, ish-kryetari Republikës Serbe në Bosnje e Hercegovinë deh arkitekt për masakrën e Srebrenicës
 
Për këtë, Kosova ka nevojë për një kujdes të veçantë nga  qeveritë  e vendeve arabe dhe islame për ta njohur realitetin  e ri të krijuar në këtë pjesë të botës. Në veçanti kur ajo ka përkrahjen pa rezervë të SHBA-së dhe shumicës dërrmuese të vendeve të Bashkimit Evropian. Krahas njohjes së pavarësisë, vendet arabe dhe islame janë të thirrura që ato në praktikë ta tregojnë solidaritetin e tyre islam në një përkrahje të fuqishme ekonomike në shenjë solidariteti për qëndresën heroike dhe sakrificat që populli i Kosovës dha për lirinë e tij brenda një periudhe për më shumë se një shekulli.
Shpresojmë se ky mesazh nga kryeqendra e Kosovës, Prishtina do të arrijë tek mbretërit, princat dhe presidentët e qeverive të  vendeve arabe dhe islame dhe se ata do të jenë në nivel të përgjegjësisë së tyre historike t’i përgjigjen apelit të  një populli të vogël, por krenar, i cili me gjakun e tij shkruajti historinë më të re.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…