Kosova dhe Bota Islame
Hezitimi i Botës Islame për ta  njohur pavarësinë  e  Kosovës, hapi një debat të gjerë rreth kësaj pjese të botës, po thuajse në të gjitha shtresat e shoqërisë kosovare. Kjo është  e arsyeshme për shkak të besimit të madh që  kemi pasur në ato vende, për shkak të identitetit të përbashkët fetar. Andaj, nuk janë të rralla pyetjet që parashtrohen  nga njerëz të rëndomtë,  përse vendet islamike nuk po e njohin pavarësinë e Kosovës?! Por, zhgënjimi është edhe më i madh, kur disa prej atyre vendeve në mënyrë të hapur  u radhitën në anën e Serbisë. Për fate të keq, kjo gjendje po vazhdon që nga 17 shkurti, data e  shpalljes së  pavarësisë së Kosovës .Institucionet tona, në radhë të parë Ministria e Punëve të Jashtme,  nuk po ndërmarrin asnjë hap konkret  për ndryshimin e  kësaj situate, përveç deklaratave se në të ardhmen priten njohje të reja.

 Politika e jashtme është në çështje komplekse, e cila donë angazhim të  gjitha strukturave, në veçanti në situatën në të cilën gjendet Kosova. Në  hartimin e politikës së jashtme, në vende të përparuara, zakonisht angazhohen institute të specializuara dhe njerëz të specializuar në lëmenj  të fushave dhe regjioneve të caktuara.  Sepse, secili regjion ka specifikat e vete dhe donë trajtim të veçantë. Për këtë, edhe pranë çdo ministrie të punëve të jashtme të çdo vendi ekzistojnë drejtori të veçanta. Në këtë aspekt, Kosova nuk është pa një eksperiencë të këtillë. Në ish-Jugosllavinë,  kemi  pasur njerëz, të cilët kanë punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të ish-Jugosllavisë, përvoja e të cilëve është tejet e çmuar për vendosjen e themeleve të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës. Sa konsultohen këta njerëz, unë nuk e di, por aq sa po  shihet prej rezultateve  të punës, kuptohet se nuk ka ndonjë interesim për të përfituar nga përvoja e tyre për të cilën Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka nevojë shumë të madhe, në këtë fazë kur po i qet hapat e parë të themelimit të saj.

Kur është fjala te bota islame, qasja e jonë ndaj kësaj bote ka qenë më tepër emocionale se sa e bazuar në realitetin  në terren. Organizata e Konferencës Islamike është një konglomerat shtetesh nga kontinente të ndryshme të botës, të cila kanë politika dhe interesa të ndryshme nacionale. Andaj, deklarimet e kohëpaskohshme, të disa liderëve tanë,  se do të kemi njohje në bllok nga këto shtete, kanë qenë jo reale. Ne na ka munguar qysh në fillim një qasje e mirëfilltë  ndaj këtyre shteteve. Ashtu siç na ka munguar edhe qasja ndaj shteteve tjera siç janë ato të,  Afrikës,  të Azisë dhe të  Amerikës   Latine.
Besimi ynë ka qenë më i madh ndaj vendeve të Organizatës së Konferencës Islamike, për shkak të identitetit tonë të përbashkët fetar. Mirëpo,  përfaqësuesit e institucioneve tona këtë  nuk e kanë shprehur në asnjë rast. Ndarja, që i është bërë  shteteve nga liderët tanë si “të rëndësishme dhe më pak të rëndësishme”,  ka bërë që shumë vende të kësaj bote të ndjehen të irrituara. Mbështetja e jonë në  përkatësinë tonë perëndimore, duke injoruar aspektin tonë shpirtëror islam na ka dëmtuar në sytë e kësaj bote. Këtë, pikë të dobët tonën dhe “ikje” nga identiteti ynë islam,  me mjeshtri e ka shfrytëzuar diplomacia serbe dhe ministri serb i punëve të jashtme, Vuk Jeremiq, duke eliminuar para botës islame adutin më të rëndësishëm, e ai është faktori fe. Ai vazhdimisht, në takimet zyrtare me përfaqësuesit e botës  arabe e  islame si dhe në media   ka deklaruar se konflikti në Kosovë nuk ka pas përmasa fetare, por ka qenë i karakterit politik, etnik e social.  Edhepse  faktori fetar,  jo vetëm se ka qenë prezent, por ishte evident si në luftën e Bosnjës dhe atë të Kosovës, për çka më së miri e ilustron  rrënimi i qindra xhamive nga ushtria dhe policia serbe.Bile faktori fetar është prezent edhe sot e  kësaj dite në deklaratat e prijësve të Kishës Ortodokse Serbe, siç është peshkopi Artemie.

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

HIXHRETI I PEJGAMBERIT A.S.– NJË FAQE E RE NË HISTORINË E NJERËZIMIT

(Shkruan: Resul ef. Rexhepi) إِلَّا تَنصُرُوهُ فَقَدْ نَصَرَهُ اللَّهُ إِذْ أَخْرَجَهُ الّ…