11 gusht 2019
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës edhe këtë herë sikurse viteve të tjera organizoi pritje për urime me rastin e festës së Kurban Bajramit. Për të uruar, në vizitë erdhën krerët më të lartë shtetëror, përfaqësuesit e partive politike, përfaqësuesit e misioneve të ndryshme në Kosovë, përfaqësues të jetës fetare, kulturore etj. Në pritje të tyre ishte zëvendëskryetari i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Reshat ef. Mexhiti.
Përfaqësuesit e institucioneve që erdhën për vizitë në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës ishin:
Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj,
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli,
Drejtori i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj,
Ambasadori i OSBE-së Jan Brathu,
Dom Lush Gjergji nga Ipshkvia e Kosovës,
Përfaqësuesit e partive politike:
Ferid Agani nga Partia e Drejtësisë,
Sylejman Çerkezi nga Lëvizja për Drejtësi,
Visar Ymeri nga Partia Socialdemokrate,
Skender Reçica nga Nisma Socialdemokrate,
Ismet Beqiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës,
Qazim Rrahmani nga Partia e Ashkalinjve për Integrim,
Liburn Aliu nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në urimin e tij drejtuar qytetarëve të Kosovës tha: “Gjithë vëllezërve dhe motrave shqiptarë që e festojnë, gjithë besimtarëve myslimanë që e festojnë me urimin që t’iu shpërblehet sakrifica të gjithëve edhe atyre që kanë bërë për njëri-tjetrin dhe atyre në nevojë. E thash më herët që ne kemi detyra të ndryshme në jetë. Por një marrëdhënie e mirë me të gjithë neve, vendin tonë e çon përpara dhe ne jemi të interesuar që këto marrëdhënie t’i kemi më të mira të mundshme.”
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli uroi qytetarët e Kosovës me urimin për unitet dhe ndihmesë të njëri-tjetrit. “Me bashkëshorten time, me gjithë familjen time dhe më shumë me babin tim, të gjithë besimtarëve të fesë islame i uroj festën e Kurban Bajramit që t’i gjejë familjet e tyre më mirë dhe më të bashkuar. Që kombin tonë të gjejë më afër me njëri-tjetrin. Që t’i largojmë dallimet që i kemi dhe më shumti mendjen e keqe për njëri-tjetrin që të ndihmojmë njëri-tjetrin. Edhe këtë festë është edhe flijimi. Më së shumti t’i kujtojmë edhe ata që kanë qenë në gjendje me flijuar në rini që ne sot me pas liri. Përulemi çdo herë para veprës së tyre, nuk kemi me harru kurrë. E dimë saktë se cila është rruga jonë që kemi me shkuar përpara”, tha ai.
Drejtori i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj tha se: “Policia e Kosovës edhe populli janë një, gjithnjë duke konsideruar se ne jemi në shërbim te qytetarëve. Ne sot kemi pasur aktivitetet policore në mënyrë që falja të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme. Deri tash nuk kemi pas asnjë incident. Kjo merita i shkon popullit, deri sa ne lutemi që edhe ditën në vazhdim të shkojnë me gëzim.”
Don Lush Gjergji nga Ipshkvia e Kosovës në urimin e tij drejtuar qytetarëve të besimit islam tha: “Feja shndërrohet në veprim përmes dhurimit dhe dashurisë. Urojmë që besimtarët e Bashkësisë Islame, por edhe gjithë besimtarët tjerë dhe njerëzit e vullnetit të mirë të përcaktohen për flijim dhe dhurim. Kjo e nderon zotin, është e dobishme për gjithë ata që e zbatojnë sepse flijimi dhe dhurimi është karakteristika e atyre që besojmë edhe mbi të gjitha e atyre që e dashurojnë Zotin si krijues dhe shpëtimtarë.”
Visar Ymeri nga Partia Socialdemokrate tha: “Shfrytëzoj rastin që edhe qytetarëve tua uroj, për mendimin tim vlen më shumë si simbolikë dhe porositë shoqërore që u janë dhënë të cilat janë domosdoja dhe nevoja e secilit prej nesh individualisht ta shohim veten si pjesë të shoqërisë dhe ta shohim vetën të përgjegjshëm dhe ta mendojmë rëndësinë tonë që e kemi shoqëri e cila është e drejtë dhe e cila nuk diskriminon as nuk përjashton. Dhe në anën tjetër krijon mundësi që çdo pjesëtarë i shoqërisë pavarësisht ku jeton ta ndjej vetën ta gëzojë mundësinë e të drejtave të përbashkëta.”
Në emër të Nismës Socaialdemokrate, uroi Skender Reçica. “Në emër të Nismës Socialdemokrate së bashku me kolegë më lejoni të shpreh urimet më të sinqerta Bashkësisë Islame të Kosovës shfrytëzoj rastin të gjithë besimtarëve myslimanë tua këtë festë. Uroj që të ketë paqe solidaritet dashuri dhe respekt ndaj njëri-tjetrit në secilën familje te të gjithë pjesëtarët e komunitetit shqiptar mysliman. Le të na shërbejë kjo ditë për ma shumë dashuri solidaritet që ta rrisim përkushtimin për punë dhe ndërtimin e vendit tonë,” tha Reçica.
Ismet Beqiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës deklaroi: “Sot jam i nderuar që në emër të kryetarit, të kryesisë dhe gjithë , të gjithë besimtarëve t’ua uroj Kurban Bajramin, përmes Bashkësisë Islame të Kosovës, që përherë ka qenë jo vetëm shtëpi e Zotit, por e gjithë qytetarëve. Urojmë të jetë vit i solidaritetit padyshim që është një virtyt që e kanë të gjithë qytetarët jo vetëm besimtarët islam. Jam i nderuar që në emër të kryetarit Mustafa të uroj këtë festë.”
Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje uroi Liburn Aliu. “Erdhëm për vizitë në BIK për ta uruar festën e Kurban Bajramit dhe për të përcjell mesazhin e kësaj feste që lidhet me sakrificën dhe solidaritetin. Këtë dy tipare garantojnë që shoqëria të ec përpara, prandaj ne bashkë sot po e përcjellim këtë mesazh me shpresën që besimtarët që kanë shkuar në haxh të kthehen shëndosh e mirë”, tha ai.
[srizonfbalbum id=28]