HYRJE
***
الحمد لله الكريم المجيد الذي أكرمنا بالدين والتوحيد، وأَسْبَغَ علينا نِعَمَه ظاهرةً وباطنةً وشرع لنا فرحةَ العيد، والصلاة والسلام على محمد الإمامِ الرشيد، وعلى آله وصحابته الجيل الفريد، وعلى التابعين لهم بإحسان إلى يوم الوعيد، أما بعد:
Falënderimet i takojnë Allahut, Fisnikut, të Lavdishmit, Atij që na nderoi me fe dhe besim të pastër, na begatoi me mirësi të shumta, të dukshme e të padukshme, si dhe na ligjësoi gëzimin për festën.
Përshëndetjet qofshin për Muhammedin, prijësin dhe udhëzuesin e drejtë, për familjen dhe shokët e tij, njerëzit më të mirë që dielli iu bëri dritë, për tabiinët dhe pasuesit e sinqertë deri në kataklizëm.
***
Të dashur besimtarë të pranishëm,
Të respektuar vëllezër dhe motra që na përcillni nëpërmjet ekraneve tuaja!
“Secili popull ka festën e vet dhe kjo është festa jonë![1]”, është kjo një thënie e Pejgamberit Muhammed a.s., me të cilën zgjodhëm për ta hapur ligjëratën e kësaj dite të madhe, jo vetëm për të dëshmuar praninë e anës festive në Islam por edhe elementet e saja origjinale, në të cilat edhe fshihet madhështia e saj. Festa në Islam ka bazament, motiv, mësime dhe natyrë të veçantë celebrimi. Më qartë, festat janë të përcaktuara fetarisht[2], lidhen me adhurime të caktuara[3], kanë mësime tejet edukative dhe nuk kalojnë asnjëherë në shthurje. E këtillë është edhe festa e Kurban Bajramit që tani veç kemi filluar kremtimin e saj. Bile, ajo ka disa veçori shtesë të cilat e bëjnë edhe më madhështore:
- në aspektin kohor, Kurban Bajrami bie në njërin prej muajve të shenjtë, në muajin dhul hixhe, e më saktë në dhjetë ditët e para të tij, që konsiderohen ditët më të mira. Paraprihet nga Dita e Arafatit, agjërimi i së cilës shlyen mëkatet e dy viteve;
- në aspektin gjeografik, Kurban Bajrami lidhet me kryerjen e haxhillëkut në Mekkë, në vendin më të shenjtë në rruzullin tokësor;
- në aspektin ritual, Kurban Bajrami lidhet me kryerjen e haxhillëkut, shtyllës së pestë të Islamit[4].
Por ka edhe diç tjetër të veçantë sa i përket kësaj feste. Për dallim nga festa e Fitër Bajramit, e cila lidhet me fillimin e shpalljes së Kur’anit, kjo festë lidhet me përmbylljen e saj. Në Arafat, Allahu xh.sh., i shpalli Muhammedit a.s., citatin që juridikisht[5] përmbyll Kur’anin:
﴿الْيَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَأَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِي وَرَضِيتُ لَكُمُ الْإِسْلَامَ دِينًا﴾
“…Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj…” [Maide, 3]
Nëse nuk do të kishte asgjë tjetër përveç shpalljes së këtij ajeti, do të mjaftonte si motiv për të festuar sot. Domethënia dhe kuptimi i tij janë mahnitëse dhe për tu festuar. Të këtillë i kanë parë edhe të tjerët. Një hebre, siç qëndron në koleksionet e Buhariut[6] dhe Muslimit[7], paskësh ardhur tek Omeri r.a., dhe i paskësh thënë: O Prijësi i besimtarëve, ju myslimanët keni një citat në librin tuaj, që po të na shpallej neve hebrenjve, do ta caktonim ditën e shpalljes së tij festë. Për cilin ajet e ke fjalën? – e pyeti Omeri r.a. Për ajetin: “…Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj…” [Maide, 3]
Rëndësia e këtij ajeti qëndron në lajmërimin që bën se përmbyllja e Kur’anit është bërë duke vulosur saktësinë dhe përmbajtjen e tij. Së këndejmi, siç nënvizon komentuesi i njohur i Kur’anit, Ibn Kethiri[8], ky ajet paraqet mirësinë më të madhe të Allahut xh.sh., ndaj nesh, sepse na e ka përsosur fenë duke mos pasur nevojë as për fe tjetër, as për profet tjetër.
Këtë përsosje të fesë dhe këtë përkryerje të saj do të mundohem t’i prezantoj nëpërmjet imazheve më të theksuara të festës së Kurban Bajramit, respektivisht, do të flas për besimin e pastër apo monoteizmin, si bazë, për unitetin si imazh, dhe për solidaritetin si efekt. Allahun e lus për sukses!
Vëllezër të nderuar!
[1. MONOTEIZMI VËSHTRUAR SIPAS RITUALEVE TË HAXHILLËKUT]Rituali i haxhillëkut është i vjetër. Qabeja, si shtëpia e parë e ndërtuar në tokë, siç na mëson Kur’ani, është vizituar nga të gjithë pejgamberët. Me kalimin e kohës, janë paraqitur forma të refuzuara të adhurimit. Qabeja, si shtëpi e Zotit, u mbush me idhuj, ndërsa ritualet e haxhillëkut formalisht ngelën ato që ishin ndërsa substancialisht ndryshuan në rite pagane.. Me dërgimin e Muhammedit a..s, pejgamber, gjërat filluan të ndryshojnë. Pas kthimit triumfues në Mekkë, ku e vërteta ngadhënjeu mbi të kotën, Qabeja u pastrua nga të gjithë idhujt ndërsa haxhillëku filloi të performohej si një rit që reflekton monoteizëm dhe besim të pastër. Lutja më e dalluar e haxhillëkut e dokumenton më së miri këtë:
Lebbejke Allahumme lebejke, lebbejke la sherike leke lebbejk, inne’l hamde ve’n-ni’mete leke ve’l mulk, la sherike leke lebbejk!
Që në shqip d.t.th.:
Të përgjigjem Allahu im, të përgjigjem! Të përgjigjem Ty që nuk ke shok, të përgjigjem! Falënderimi është vetëm për Ty ndërsa mirësia është vetëm prej Teje. Ty të takon sundimi! Ti nuk ke ortak, të përgjigjemi!
Kjo lutje ose telbije siç e quajmë në gjuhën fetare është monoteizëm i pastër sepse në vete përmban përgjigje ndaj urdhrit të Allahut, mohim absolut të idhujtarisë, shprehje të lëvdata dhe mirënjohjes për mirësitë, gjëra këto që dallojnë besimtarin mysliman nga idhujtarët, të cilët i përshkruanin Zotit shok edhe në këtë lutje. Me këtë ritual, besimi kthehet në rrjedhën e vet, në atë që Zoti e kërkon:
﴿وَمَا أُمِرُوا إِلَّا لِيَعْبُدُوا اللَّهَ مُخْلِصِينَ لَهُ الدِّينَ حُنَفَاءَ وَيُقِيمُوا الصَّلَاةَ وَيُؤْتُوا الزَّكَاةَ وَذَلِكَ دِينُ الْقَيِّمَةِ ﴾
“E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit), si dhe të falnin namazin e të jepnin zeqatin. Kjo është feja e drejtë.” [Bejjine, 5]
Secili nga ritualet e haxhillëkut ka simbolikën e vet monoteiste dhe mësimet përkatëse. Edhe lëvizja më e vogël në haxh bëhet sipas mësimeve të përshkruara nga pejgamberi Muhammed a.s. Dhënia ngjyrë tjetër disa ritualeve, siç janë tavafi dhe puthja e gurit të zi me theks të veçantë, është gabim. Këtë më së miri e kuptojmë nga veprimi i Omerit r.a., shokut të pejgamberit Muhammed a.s., i cili me rastin e kryerjes së haxhillëkut e puthi gurin e zi dhe tha: ‘Unë e di se ti je thjesht një guri, nuk bën dëm dhe as dobi, por kështu e kam parë duke vepruar pejgamberin Muhammed a.s., ndryshe nuk do të puthja.[9]’
Nga këtu, haxhillëku demonstron praktikisht atë që është e përmbledhur në Kur’an si moto dhe parullë e besimtarit:
﴿قُلْ إِنَّ صَلاَتِي وَنُسُكِي وَمَحْيَايَ وَمَمَاتِي للهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ * لاَ شَرِيكَ لَهُ وَبِذَلِكَ أُمِرْتُ وَأَنَا أَوَّلُ الْمُسْلِمِينَ﴾
“Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. 163. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij”.” [En’amë, 162-163]
Të dashur besimtarë!
[2. UNITETI DHE BASHKIMI]Rrafsh tjetër ku reflekton përsosmëria islame është uniteti. Nëse feja i bën bashkë besimtarët, atëherë interesat nuk duhet t’i ndajnë, për më tepër që bashkimi i tyre i detyrohet fesë dhe asgjëje tjetër.
﴿لَوْ أَنفَقْتَ مَا فِي الْأَرْضِ جَمِيعًا مَّا أَلَّفْتَ بَيْنَ قُلُوبِهِمْ وَلَـٰكِنَّ اللَّـهَ أَلَّفَ بَيْنَهُمْ ۚ إِنَّهُ عَزِيزٌ حَكِيمٌ﴾
“…Sikur të shpenzoje tërë pasurinë që gjendet në Tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu i bashkoi ato. Ai është vërtet i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” [Enfalë, 63]
Uniteti në adhurim duhet të reflektojë edhe në përditshmërinë dhe raportet tona. Allahu, siç qëndron në një thënie të Muhammedit a.s., ndahet i kënaqur me ne kur ne e adhurojmë Atë dhe jemi bashkë me njëri tjetrin[10]. Pra, adhurimi dhe bashkimi kanë ardhur paralel. Nisur nga këtu, nuk ka asnjë shpjegim për ndarjen dhe përçarjen kur kemi fenë që na bashkon. Allahu na urdhëron që fenë ta marrim litar që na bashkon, na mban afër me njërin tjetrin, dhe na tërheq vërejtjen që të mos trasojmë rrugën e atyre që u ndanë e përçanë edhe pse kishin fenë e udhëzimin.
﴿وَاعْتَصِمُوا بِحَبْلِ اللَّـهِ جَمِيعًا وَلَا تَفَرَّقُوا ۚ وَاذْكُرُوا نِعْمَتَ اللَّـهِ عَلَيْكُمْ إِذْ كُنتُمْ أَعْدَاءً فَأَلَّفَ بَيْنَ قُلُوبِكُمْ فَأَصْبَحْتُم بِنِعْمَتِهِ إِخْوَانًا وَكُنتُمْ عَلَىٰ شَفَا حُفْرَةٍ مِّنَ النَّارِ فَأَنقَذَكُم مِّنْهَا ۗ كَذَٰلِكَ يُبَيِّنُ اللَّـهُ لَكُمْ آيَاتِهِ لَعَلَّكُمْ تَهْتَدُونَ﴾
“Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja e, në saje të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu, Allahu jua shpjegon shpalljet e Veta, që ju të drejtoheni në udhën e drejtë.” [Ali Imran: 103]
Bashkimi është parim islam, është bazë islame, është porosi e Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Muhammedit a.s., sikur që është porosi e tyre edhe ikja nga përçarja[11]. Allahu na udhëzon në Kur’an që të mos ndjekim shembullin e atyre që u përçanë.
﴿وَلَا تَكُونُوا كَالَّذِينَ تَفَرَّقُوا وَاخْتَلَفُوا مِن بَعْدِ مَا جَاءَهُمُ الْبَيِّنَاتُ ۚ وَأُولَـٰئِكَ لَهُمْ عَذَابٌ عَظِيمٌ﴾
“Mos u bëni si ata që, pasi u erdhën provat e qarta, u përçanë dhe u grindën. Për këta do të ketë dënim të madh.” [Ali Imran: 105]
Ndarja dhe përçarja duhen luftuar edhe për faktin se janë fusha ku djalli ushtron më së tepërmi ndikimin. Mundësia e tij, siç na mëson Muhammedi a.s., tani pas plotësimit të fesë dhe përsosjes së saj, për t’i shtyrë njerëzit në idhujtari është e minimizuar, kështu që fokusi i tij është tek përçarja[12]. Ajo që kërkohet prej nesh është që të promovojmë lidhje që nuk pranon shkëputje, lidhje sikur pjesët e një ndërtese që mbajnë njëra tjetrën[13], lidhje sikur gjymtyrët e trupit që bashkëveprojnë me njëra tjetrën në gëzime e fatkeqësi[14].
Ky unitet është i veçantë sepse bashkues është feja që d.t.th., se është lidhje përtej lidhjeve të gjakut, racës, gjeografisë…Është lidhje në bazë të fesë dhe devotshmërisë.
Së këndejmi, vetëm bashkimi është imazhi i vërtetë i besimtarëve dhe vetëm ai ka mandatin për t’i përfaqësuar myslimanët. Ndarjet që bëhen në emër të fesë nuk janë fetare, trajtimet e vrazhda, arroganca, krimet nuk janë islame. Sa bukur është shprehur Muhammedi a.s., në ligjëratën në Arafat:
“O njerëz! Dëgjojeni fjalën time, sepse unë nuk e di a do t’ju takoj më, pas këtij viti, në këtë vend. Gjaku juaj është i shenjtë, pasuritë tuaja janë të shenjta dhe nderi juaj është i shenjtë, siç janë të shenjta në këtë ditë, në këtë muaj, në këtë vend…
O besimdrejtë!…Gjakmarrja është e ndaluar, të gjitha akuzat e këtilla të cilat rrjedhin nga koha e para Islamit, anulohen…”
3. SOLIDARITETI
Fushë tjetër ku reflekton përsosmëria islame është edhe solidariteti. Është dëshmia praktike e besimit dhe imazhi lëvizës apo i gjallë i unitetit. Therja e Kurbanit, si ritual, e provon dhe fakton këtë. Allahu na ka treguar në Kur’an se Kurbani, siç çdo punë tjetër, duhet të kryhet për Të:
﴿فَصَلِّ لِرَبِّكَ وَانْحَرْ﴾
“Andaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban.” [Keuther: 2]
Por nuk është Allahu Ai që përfiton prej tij. Mishi dhe gjaku i kurbanit nuk janë ato që kërkon Allahu.
﴿لَن يَنَالَ اللَّـهَ لُحُومُهَا وَلَا دِمَاؤُهَا وَلَـٰكِن يَنَالُهُ التَّقْوَىٰ مِنكُمْ ۚ﴾
“Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin bindja juaj…” [Haxh: 37]
Kësisoj, kurbani duhet të shërbejë si mjet që atmosferës së kësaj feste t’i ndihet jehona në çdo shtëpi, që të mos ngelë askush për shkak të kushteve materiale të mos e gëzojë këtë ditë.
Kurbani nuk është thjesht një copë mishi për t’ia hijeshuar sofrën një të varfri por edhe një tregues për platformën tonë solidarizuese dhe për etikën e solidaritetit me të tjerët. Jo rastësisht, Muhammedi a.s., ka shfrytëzuar tubimin e haxhit për t’i shpallur të paligjshme format tjera të raporteve materiale ndërmjet njerëzve. Më saktë, fajdenë dhe kamatën i ka klasifikuar si vepra të ndaluara, të cilat nuk guxojnë të jenë pjesë e shoqërisë myslimane.
“O besimdrejtë!…Fajdeja dhe kamata janë të ndaluara. Huadhënësi nga huamarrësi duhet të marrë vetëm atë që vërtetë ia ka huazuar…Faljani kamatën borxhlinjve.”
Ndërsa sa i përket etikës, solidariteti, që bëhet duke kërkuar kënaqësinë e Allahut, parasheh që shtrirja e dorës së ndihmës mos të jetë turpërim për të varfrin. Me fjalë të tjera, duhet ta ruajmë privatësinë e tyre. Ata mund të mos kenë para, por nder e vlera kanë.
﴿إِنَّمَا نُطْعِمُكُمْ لِوَجْهِ اللَّـهِ لَا نُرِيدُ مِنكُمْ جَزَاءً وَلَا شُكُورًا﴾
“Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Zotit. Për këtë, nuk duam shpërblim e as falënderim.” [Insan: 9]
Myslimanët e parë duke u nisur nga kjo kanë konsideruar se është gabim t’i japësh dikujt ndërsa më parë ia ke skuqur fytyrën.
Të dashur dhe shumë të respektuar besimtarë!
PËRFUNDIM
Në përmbyllje të kësaj ligjërate do të doja të citoj mendimtarin e madh mysliman, Mustafa Sadik Rafiun, i cili thotë se festat janë momente të rëndësishme për ta bërë shoqërinë të ndjejë se ka fuqinë e mjaftueshme për t’i ndryshuar ditët. Le të shërbejë kjo festë si fillimndryshim i madh për ne, si një pikënisje për reformim shpirtëror dhe kulturor, duke u bërë më të përkushtuar për Krijuesin dhe më të lidhur me njëri tjetrin. Kështu, duke pasur Krijuesin synim dhe duke parë në tjetrin përgjegjësi, ne mund të kthehemi në shoqëri shembullore, në shoqëri ku vlerat janë imazhi më i theksuar i saj. Ndryshe, nëse festat zhvishen nga këto synime e këto mësime, ato tkurren në manifestime të pakuptimta që nuk tregojnë më shumë se thjesht një datë në kalendar, pa asnjë dobi a ndikim në jetën tonë individuale dhe shoqërore.
Qoftë gëzim e
udhëzim për ne kjo festë!
[1] Hadithin e transmetojnë Buhariu (nr. 952) dhe Muslimi (892).
[2] Në hadith qëndron se kur Pejgamberi Muhammed a.s., shkoi në Medinë, i pa njerëzit duke festuar. I pyeti për motivin. Kur kuptoi arsyen, iu tha se ‘Allahu ua ka ndërruar ato ditë festive me dy ditë tjera, më të mira: ditën e kurbanit dhe ditën e fitrit.’ Shih: Sahihu Sunen en-Nesai (1555).
[3] Fitër Bajrami lidhet me agjërimin e Ramazanit, Kurban Bajrami me haxhin.
[4] Shih: Ahmed b. AbduRrahman el-Kadi, El-akidetu ve el-hajat, (Kasim: botim privat, 2009), f. 159-160.
[5] Pas ajetit 3 të kaptinës Maide nuk janë shpallur ajete që kanë trajtuar hallallin apo haramin. Shih: Ismail b. Umer b. Kethir, Tefsiru el-Kur’ani el-Adhim, ver. Sami b. Muhammed Selame, (Rijad: Dar Tajjibe li-n-nesh ve et-teuzië, ed. 2, 1999), 3/26.
[6] Nr. 45.
[7] Nr. 3017.
[8] Ibn Kethir, Tefsiru el-Kur’ani el-Adhim, vep. cit., 3/26.
[9] Hadithin e transmetojnë Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Maxheh.
[10] Fjala është për hadithin: “Allahu i do tek ju tre gjëra dhe i urren tre të tjera…” të cilin e transmeton Muslimi (1715).
[11] Për më shumë rreth këtij parimi shih: Ibn Tejmije, Mexhmu el-fetava, 22/211.
[12] Aludim në hadithin: “Djalli ha humbur shpreson se do ta adhuroni kështu që tani mundohet t’iu përçajë ndërmjet vete.” të cilin e transmeton Muslimi (2813).
[13] Aludim në hadithin: “Besimtari për besimtarin është sikur pjesët e një godine që mbajnë njëra tjetrën.” të cilin e transmetojnë Buhariu (481) dhe Muslimi (2585).
[14] Aludim në hadithin: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë dhe mëshirimin e ndërsjellë është sikur shembulli i trupit…” të cilin e transmetojnë Buhariu (6011) dhe Muslimi (2586).