Sot, ditë e enjte, më 18.07.2019, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, priti në takim shefin e Task-Forcës kundër përdorimit të narkotikëve dhe për sigurinë në shkolla, z. Avdullah Hasanin.
Në takim, u shkëmbyen mendime dhe analiza, u dhanë këndvështrimet e palëve për dukurinë e përdorimit të narkotikëve te ne dhe u diskutua për modalitetet e bashkëpunimit më të afërt ndërmjet Bashkësisë Islame dhe Task-Forcës kundër narkotikëve, të cilën e ka themeluar Qeveria e Kosovës në muajin e kaluar dhe shef i së cilës është emëruar z. Avdullah Hasani.
Myftiu Tërnava i vlerësoi si shumë të qëlluara dhe përgëzoi qeverinë për vendimet e saj për të themeluar Task-Forcë dhe për fillimin e fushatës kundër përdorimit të narkotikëve në shkolla dhe përgjithësisht nga të rinjtë. Ai u shpreh se Bashkësia Islame, nëpërmjet deklaratave publike, organizimeve fetare dhe nëpërmjet imamëve, vazhdimisht ka ngritur shqetësim për dukurinë e përdorimit të drogave nga të rinjtë dhe ka sensibilizuar opinionin kundër kësaj dukurie për aq sa ka pasur hapësirë publike. Falënderoi shefin z. Avdullah Hasani që e ka paraparë dhe e ka konsideruar të rëndësishëm bashkëpunimin e afërt me Bashkësinë Islame, si dhe i dëshiroi punë të mbarë e realizim të objektivave të Task-Forcës e që janë me interes parësor nacional.
Ndërkaq, mysafiri z. Hasani e njohu Myftiun me planin dinamik që ka ndërtuar dhe me objektivat e Task-Forcës, shprehu konsideratën e tij për rolin dhe kontributin e Bashkësisë Islame që ka dhënë e po jep kundër dukurive negative dhe falënderoi për gatishmërinë për bashkëpunim edhe më të afërt e më të koordinuar.
Myftiu Tërnava i shprehu gatishmërinë që Bashkësia Islame t’i ofrojë Task-Forcës në gjithë veprimtarinë e saj asistencën e kërkuar fetare. Pas takimit dhe pas konsultimit me kryeimamin Sabri ef. Bajgora, Myftiu mori vendim që të premten tjetër, në të gjitha xhamitë e Kosovës, në hytbenë e xhumasë, të jepet mesazhi i njësuar kundër përdorimit të narkotikëve dhe në mbështetje të veprimtarisë së Task-Forcës së Qeverisë të themeluar për këtë qëllim.