Me rekomandim të kryetarit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim ef. Tërnava, sot, në të gjitha xhamitë e Republikës së Kosovës, u mbajt hytbe e përbashkët me temën “Unifikimi i fjalëve dhe radhëve në kohë krizash”. Ky rekomandim erdhi pas ngjarjeve të fundit që ndodhën në vendin tonë, ku si pasojë e një sulmi terrorist nga forcat serbe, mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Të nderuar vëllezër besimtarë!
Ballafaqimi me sprova të ndryshme është pjesë e jetës, jo vetëm e njeriut, si individ, por edhe e shoqërisë, si tërësi. I kësaj natyre është ballafaqimi me luftërat, krizat ekonomike, krizat politike, etj. Sa herë shfaqen këto të fundit, nevoja për bashkim dhe unifikim, pavarësisht bindjeve e përkatësive, bëhet më e madhe. Kjo për shkak të interesit kolektiv, i cili shkon përtej çdo interesi tjetër; për shkak të natyrës së thirrjes, e cila vjen nga përkatësia atdhetare, dhe e cila sigurisht se nuk është sikur thirrjet tjera.
Kësaj thirrje i ka kushtuar rëndësi edhe feja. Atdheu është vendi në të cilin jetojmë dhe për mirëqenien dhe sigurinë e të cilit angazhohemi. Kur’ani ka përshkruar edhe lutjet e profetit Ibrahim a.s., për Mekkën e bekuar:
﴿وَإِذْ قَالَ إِبْرَاهِيمُ رَبِّ اجْعَلْ هَٰذَا بَلَدًا آمِنًا وَارْزُقْ أَهْلَهُ مِنَ الثَّمَرَاتِ مَنْ آمَنَ مِنْهُم بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ ۖ ﴾
“Kur Ibrahimi u lut: “Zoti Im, bëje këtë vend qytet të sigurt dhe furnizoji me prodhime banorët e tij, ata që besojnë në Allahun dhe në jetën tjetër!”…” (Bekare, 126)
Këtë dashuri e shprehte edhe Profeti ynë, Muhamedi ﷺ. Për Medinën e ndritur lutej, siç qëndron në Sahihun e Buhariut (nr. 1889):
اللَّهُمَّ حَبِّبْ إلَيْنا المَدِينَةَ كما حَبَّبْتَ إلَيْنا مَكَّةَ أوْ أشَدَّ
“Allahu ynë! Na e bë Medinën të dashur ashtu siç na e bërë Mekën, apo edhe më shumë…”
Kur ishte jashtë Medinës, Profeti Muhamed ﷺ mallëngjehej për të. Këtë shprehje të ndjenjave, dijetarë si Ibën Haxheri dhe Bedrudin Ajniu në komentarët që i kanë bërë Sahihut të Buhariut e kanë nënvizuar si provë dhe argument për vlerën e Medinës por dhe si dëshmi për ligjësimin e dashurisë për atdheun.
Se feja i ka kushtuar rëndësi të madhe atdhedashurisë flet edhe fakti se sakrificën për ta mbrojtur atdheun e ka vlerësuar në shkallën më të lartë, atë të shehidit.
Xhematlinj të nderuar!
Shërbimi për atdheun ndonëse çmohet në këtë shkallë sipërore në luftë megjithatë nuk përmblidhet vetëm në të. Format dhe mënyrat se si ta shërbejmë atdheun janë të shumta. Një ndër këto mënyra është edhe angazhimi për ruajtjen e stabilitetit të brendshëm duke përfillur e respektuar rregullat dhe rekomandimet e institucioneve shtetërore. Siç jemi në dijeni, ne këto ditë u ballafaquam me një sulm terrorist, me një përpjekje të dështuar të një formacioni terrorist nga shteti fqinj, qëllimi i të cilit ishte destabilizimi i vendit. Përgjigjja jonë shtetërore karshi kësaj tentative ishte për tu lëvduar. Profesionalizëm dhe pjekuri policore e diplomatike, gatishmëri e lartë për flijim për atdheun. Ne edhe kësaj radhe dhamë një dëshmor, Afrim Bunjakun nga Vushtrria, për shpirtin e të cilit e lusim Allahun ta gradojë në xhenet. Afrimi dha jetën për të mos vdekur kurrë. Ai u bë simbol krenarie. Vepra e tij u shndërrua në frymëzim për t’i shërbyer atdheut.
Besimtarë të respektuar!
Përpjekjet e këtilla për destabilizim të vendit nga forca të errëta e qëllimkëqija mund të përsëriten. Ajo që na mbetet neve, qytetarëve, është që ta ruajmë maturinë dhe të tregojmë pjekuri të lartë qytetare. Ne jemi shtet me institucione me të cilat krenohemi. Nga dita në ditë, institucionet tona tregojnë pjekuri dhe profesionalizëm gjithnjë e më të lartë. Na mbetet neve që çështjet e ndjeshme, e veçmas këto si të sigurisë, t’ia lëmë në dorë shtetit. Është këshillë dhe porosi fetare që në raste të këtilla çështjet t’i lihen në dorë organeve kompetente. Allahu i madhëruar duke na kujtuar këtë parim thotë:
﴿وَإِذَا جَاءَهُمْ أَمْرٌ مِنَ الْأَمْنِ أَوِ الْخَوْفِ أَذَاعُوا بِهِ وَلَوْ رَدُّوهُ إِلَى الرَّسُولِ وَإِلَى أُولِي الْأَمْرِ مِنْهُمْ لَعَلِمَهُ الَّذِينَ يَسْتَنْبِطُونَهُ مِنْهُمْ وَلَوْلَا فَضْلُ اللَّهِ عَلَيْكُمْ وَرَحْمَتُهُ لَاتَّبَعْتُمُ الشَّيْطَانَ إِلَّا قَلِيلًا﴾
“Kur atyre u vjen ndonjë lajm i rëndësishëm që ka të bëjë me sigurinë ose frikën, ata e përhapin (pa e vërtetuar mirë). Por, në qoftë se këtë lajm do t’ia përcillnin (për shqyrtim) të Dërguarit dhe parisë, hulumtuesit do ta merrnin vesh prej tyre (se çfarë lajmi duhet përhapur e çfarë jo)…” (Nisa, 83)
Pra, janë përfaqësuesit tanë, institucionet tona, ato që e dinë më mirë se si duhet vepruar, prandaj dhe obligohemi që t’i përfillim udhëzimet e tyre për të shmangur kështu veprimet e nxituara dhe të gabuara e rrjedhimisht edhe dëmin e madh. Kushdo që lexon në biografinë profetike, do të gjejë mësime të shumta e të çmuara sa i përket maturisë në veprime. Profeti Muhamed ﷺ njihej për peshimin e veprimeve dhe se nuk ndërmerrte asgjë pa mos vlerësuar situatën më parë. Maturinë e shihte si begati nga Zoti përderisa nxitimin dhe ngutinë si të motivuara nga djalli.
Xhematlinj të dashur!
Bashkësia Islame e Kosovës, si institucioni i vetëm përfaqësues i besimtarëve myslimanë dhe njëherësh njëri ndër institucionet më të mëdha që ka Kosova, po përcjell me vëmendje zhvillimet që po ndodhin. Nga përgjegjësia fetare e institucionale që ka, ka kontribuar dhe vazhdimisht kontribuon në mirëqenien dhe stabilitetin shoqëror. Prandaj, dhe me këtë rast, duke shfrytëzuar këtë ditë të madhe, iu bëjmë thirrje të gjithë besimtarëve që të shmangin çfarëdo veprimi të ngutshëm, të tregojnë pjekuri e maturi, të ndjekin me vëmendje udhëzimet dhe porositë e institucioneve tona, në mënyrë që bota të bindet se jemi paqedashës, se jemi vatër e sigurisë, strehë e të gjithë atyre që e mendojnë të ardhmen e përbashkët në këtë vend.