Të nderuar vëllezër myslimanë!
Tashmë kemi hyrë në pjesën e tretë dhe të fundit të Ramazanit, në pjesën në të cilën fshihet shpërblimi kryesor i tij, Nata e Kadrit, një mirësi me të cilën jemi veçuar si ymet. Përkitazi me këtë mirësi, Allahu i madhëruar thotë:
﴿لَيْلَةُ الْقَدْرِ خَيْرٌ مِنْ أَلْفِ شَهْرٍ﴾
“Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj!” [Kadr: 3]
Për shkak të vlerës që kanë, ditët e fundit të Ramazanit janë përzgjedhur për fillimin e shpalljes së Kur’anit. Allahu i madhëruar na tregon se këtë libër madhështor ka filluar ta shpallë pikërisht në Ramazan (Bekare: 185), më saktësisht në Natën e Kadrit:
﴿ إِنَّا أَنزَلْنَاهُ فِي لَيْلَةِ الْقَدْرِ ﴿١﴾
“Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit” [Kadr: 1]
Kur kemi parasysh këto mirësi, e kuptojmë arsyen se përse Pejgamberi ﷺ i kushtonte rëndësi të veçantë dhjetëshit të fundit të Ramazanit. Aisheja r.a., tregon se kur vinte dhjetëshi i fundit i Ramazanit, Pejgamberi ﷺ, i ngjallte netët me namaz, lutje, dhikër, këndim të Kuranit, zgjonte familjen e tij prej gjumi dhe angazhohej shumë me adhurime, e madje edhe e kalonte kohën në itikaf. Angazhohej në kërkim të Natës së Kadrit dhe i nxiste besimtarët për një gjë të tillë, duke i nxitur dhe duke ua kujtuar se: “Kush falet Natën e Kadrit me besim (në Allahun) dhe llogaritje (në shpërblimin e Tij), i falen mëkatet e mëhershme që ka bërë.” Po kështu për këtë natë na ka mësuar një lutje të veçantë. Aisheja r.a., kishte kërkuar nga Pejgamberi ﷺ që t’ia mësonte një lutje të cilën do ta thoshte dhe do të bekohej për Natën e Kadrit, për çka ai i tha: “Thuaj: Allahumme, inneke Afuvvun, tuhibbul afve, fa’fu anni – Zoti im, Ti je Falës, e do faljen, andaj më fal mua!”
Vëllezër besimtarë!
Agjërimi është adhurim i cili synon përsosjen morale të besimtarit. Vlerat shpirtërore, etike dhe shoqërore janë prioritete kryesore të tij, me të cilat, në forma të ndryshme, mundohet ta formësojë karakterin e besimtarit. Çdokush që agjëron për hir të Zotit vëren ndryshimin pozitiv tek vetvetja; vëren shmangien nga mëkatet, përmbajtjen nga provokimet, përkushtimin për të tjerët. Por kjo nuk nënkupton se në raste e momente të caktuara, për një ose shkak tjetër, nuk mund të bëjë gabime. Megjithëkëtë, agjërimi insiston që kapitulli i tij të jetë i pastër, prandaj ka ndërmarrë edhe hapin e fundit fare në fund të Ramazanit që besimtari të pastrohet e dëliret nga çdo lëshim a mëkat i mundshëm. Këtë e ka bërë nëpërmjet një lëmoshe, rëndësia e së cilës është shumëdimensionale.
Xhematlinj të nderuar!
Para se të shpjegojmë rolin dhe rëndësinë që ka sadakaja e fitrit, do të donim të bëjmë një përmbledhje rreth rëndësisë së sadakasë në përgjithësi. Pejgamberi ﷺ duke na folur për sadakanë ka thënë: “…sadakaja është argument – dëshmi.”
Për çfarë është argument lëmosha?
Është argument i besimit. Pasuria është gjë e dhimbshme. Dëshmi për këtë mund të merret mundi dhe sakrifica që japin njerëzit për të. E kur besimtari e jep atë, atëherë dhënia e saj reflekton se feja tek ai qenka më e shtrenjtë se pasuria. Nga këtu shpërblimi për të është i madh. Allahu i madhëruar thotë:
﴿ مَّن ذَا الَّذِي يُقْرِضُ اللَّهَ قَرْضًا حَسَنًا فَيُضَاعِفَهُ لَهُ أَضْعَافًا كَثِيرَةً ﴿٢٤٥﴾
“Kush do t’i japë Allahut një hua të bukur, që Ai t’ia kthejë shpërblimin shumëfish?…” [Bekare: 245]
Lëmosha është mënyra se si besimtari për gabimet e mëkatet eventuale, shmang hidhërimin e Allahut të plotfuqishëm dhe shuan mëkatet. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Lëmosha shuan mëkatin, ashtu sikur uji e shuan zjarrin!”
Lëmosha çdoherë është e mirë, por në Ramazan, siç na ka mësuar Pejgamberi ﷺ, është edhe më e mirë. Këtu mbase qëndron shpjegimi pse Pejgamberi ﷺ, që gjithmonë ishte bujar, në Ramazan e shtonte bujarinë edhe më shumë. Lëmosha e Ramazanit dallon nga lëmoshat e rëndomta për shkak të normës dhe efektit. Ibën Abbasi r.a., transmeton: “Pejgamberi ﷺ, e obligoi zekatin e fitrit si pastrim për agjëruesin nga fjalët e kota dhe të pista si dhe si ushqim për meskinët. Kush e jep para namazit të Bajramit është zekat i pranuar ndërsa kush e jep pas namazit, ajo mbetet lëmoshë e rëndomtë.” Pra, sadakaja e fitrit është obligim dhe jepet për ta pastruar agjëruesin nga gabimet e mundshme gjatë agjërimit dhe për të ndihmuar nevojtarët.
Vëllezër të nderuar!
Siç e dini, Bashkësia Islame e Kosovës, me institucionet e saja fetare, administrative, arsimore dhe humanitare, funksionon edhe falë këtij kontributi që Ju dhuroni çdo vit, andaj, edhe kësaj radhe apelon tek të gjithë ju që zekatin dhe sadakanë e fitrit t’i jepni në Bashkësinë Islame të Kosovës, përkatësisht në këshillat lokalë të Bashkësisë Islame të Kosovës, për të vazhduar bashkërisht rrugën tonë drejt sukseseve, veçmas në fushën e arsimit dhe edukimit fetar. Me këtë rast duam t’iu kujtojmë se Bashkësia Islame është institucioni i vetëm meritor për këto kontribute meqë është i vetmi që është përgjegjës për jetën dhe edukimin fetar në nivel vendi. Ne ju zotohemi se do të vazhdojmë të jemi zëri juaj më besnik dhe se çdo kontribut tuajin, të madh a të vogël, do ta dërgojmë në vendin përkatës. Nëpërmjet organeve tona humanitare, shoqatës ‘Bereqeti’ me theks të veçantë, ne ndihmojmë me mijëra e mijëra familje çdo vit. Kështu, ndihma juaj materiale që ofroni në këtë fundramazan, qoftë me sadakatul fitër, qoftë me zekat, nënkupton një përforcim të radhëve tona në fushën e humanizmit dhe të jetës e arsimit fetar.
Allahu na e pranoftë agjërimin dhe çdo vepër të mirë që kemi bërë e do ta bëjmë në këtë muaj! Allahu na bekoftë për Natën e Kadrit, natën e shpëtimit dhe begative! Allahu çdo kontribut material që kemi bërë në këtë muaj, qoftë në shtrim të iftareve për familjarë, miq e dashamirë, qoftë në ndihma për të varfërit, e veçmas për këto me të cilat e mbajmë fenë gjallë në këto troje, na e shumëfishoftë dhe na e ktheftë me të mira në këtë dhe botën tjetër!