Prishtinë, më 31 gusht 2022
Drejtori i Diasporës në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, ka pritur sot në takim Sevgani ef. Asanin, anëtar i Unionit të Qendrave Islame Shqiptare në Gjermani, njëherësh imam në xhaminë “Bashkimi” në Nürnberg, i cili shoqërohej nga bashkëpunëtori i tij, ish-kryetari i komunës Dollnen të Prilepit, z. Xhemil Qamili.
Drejtori Simnica shprehu falënderimet e tij për vizitën e z. Asanit, duke shprehur kështu konsideratën dhe vlerësimin e lartë për punën dhe angazhimin e tij dhe të Unionit për mirëqenien e besimtarëve tanë në mërgatë. Ai tha se Bashkësia Islame e Kosovës vazhdimisht do të jetë pranë bashkatdhetarëve tanë në çfarëdo forme që të jetë e nevojshme. Drejtori Simnica edhe një herë rikonfirmoi gatishmërinë e institucionit të BIK-ut, më konkretisht të Drejtorisë së Diasporës që edhe më tej të vazhdohet bashkëpunimi i mirë ndërmjet BIK-ut dhe qendrave islame shqiptare në diasporë.
Nga ana e tij, Sevgani ef. Asani, falënderoi drejtorin Simnica për pritjen dhe për gatishmërinë e Drejtorisë së Diasporës që të ketë një bashkëpunim të mirë ndërmjet tyre. Ai falënderoi institucionin e Bashkësisë Islame të Kosovës për kontributin e vazhdueshëm që kanë dhënë për shqiptarët që jetojnë në diasporë.