Prishtinë, më 28 korrik 2022
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, gjegjësisht drejtoria për Diasporë ka hapur dyert e Medresesë “Alauddin” për mërgimtarët në një takim që tashmë është bërë tradicional.
Për të nderuar dhe respektuar mërgimtarët, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava me drejtorin për Diasporë, Ekrem Simnica si dhe përfaqësuesit më të lartë të Kryesisë, kanë takuar mërgimtarët të cilëve u uruan mirëseardhje, qëndrim të këndshëm në atdhe, si dhe falënderuan për bashkëpunimin e vazhdueshëm.
Ekrem Simnica, drejtor për Diasporë, çmoi rolin dhe rëndësinë që mërgimtarët kanë për vendin tonë. Ai shtoi se takime të tilla fuqizojnë frymën vëllazërore.
Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, veçoi punën dhe angazhimin e dalluar që imamët në diasporë po bëjnë, ruajtjen e identitetit fetar dhe atij kombëtar.
Imam dhe besimtarë nga Zvicra, Austria, Gjermania, Norvegjia dhe vende të tjera, në këtë takim folën për gjendjen e besimtarëve atje dhe rolin që e madh që Bashkësia Islame e Kosovës po luan në këto vende.
Në fund të këtij takimi, Myftiu Tërnava dhe drejtori i Diasporës Ekrem Simnica ndanë mirënjohje dhe dhurata simbolike në shenjë falënderimi për kontributin e mërgimtarëve.