Ashtu si çdo vit tjetër, edhe kësaj radhe (datë 14. 07. 2015), kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tuboi në selinë e partisë së tij krerët më të lartë të Kryesisë së BIK-ut, në krye me Myftiun ef. Tërnava, në iftarin tashmë tradicional, si shenjë respekti, thellimi dhe forcimi të bashkëpunimit në mes të dy institucioneve përkatëse.
Në fjalën e tij përshëndetëse Myftiu Tërnava, në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, falënderoi z. Haradinaj dhe kolegët e tij për shtruarjen e këtij iftari në selinë e partisë së AAK-së, për çka bëri lutje tek Allahu Fuqiplotë që ta shpërblejë me të mirat e Tij në këtë dhe në botën tjetër, të kenë një mirëqenie familjare, duke mbretëruar gjithherë shëndet i plotë dhe suksesi në punë.
“Dëshiroj që, në emrin tim dhe të kolegëve të mi, t’ju përgëzoj për angazhimin dhe punën tuaj të palodhshme e në vazhdimësi për një mirëqenie të të gjithë neve si qytetarë të këtij nën-qielli”, tha Myftiu Tërnava. Ai gjithashtu theksoi: “Jemi të vetëdijshëm se para vetes kemi pasur dhe kemi akoma sfida të mëdha me të cilat duhet të merremi, dhe jo vetëm ju si kryetar por edhe si ish-kryeministër, bashkë me të gjithë ne. Tash e 16 vjet pas luftës, edhe pse kemi punuar mjaft, ka ngelur edhe shumë për të bërë. Dua t’ju siguroj se BIK-u është një derë e hapur për të gjithë ata që dëshirojnë të bashkëpunojnë me ne, dhe ashtu sikur deri tani, ai po mundohet që të vazhdojë me hapa të sigurt drejt një edukimi të mirëfilltë të brezave të rinj në Kosovë.”
“I nderuar z. Haradinaj, në ato ditë të pakta në numër derisa ju ishit kryeministër; e mbani mend se jemi takuar shpeshherë, duke diskutuar për problemet dhe sfidat e përbashkëta që kishim para vetes. Patëm bërë përgatitje të strategjisë edhe për mirëqenie të institucioneve të bashkësive fetare, në këtë rast edhe të Bashkësisë Islame të Kosovës. Thërras nga këtu që të vazhdojmë të punojmë bashkë në përmbushje të atyre qëllimeve, dhe njëkohësisht për një paqe të përbashkët, për stabilitet dhe qëndrueshmëri të vendit tonë. Do të vazhdojmë të jemi zëri më i lartë dhe më i fuqishëm kundër çdo gjëje që dërgon në destabilizim dhe dëm të atdheut, dhe që prek sigurinë e vendit dhe popullit shqiptar, jo vetëm në Kosovë por edhe në mbarë trojet tona etnike shqiptare. Gjaku i njomë i derdhur për këtë dhe, dhe lufta jonë e shenjtë, nuk ishte e kotë. Ajo kishte një ideal dhe një qëllim, dhe ai qëllim është arritur. E, përkundër dobësive që i kemi, ne duhet ta ruajmë dhe ta fuqizojmë, duke u motivuar edhe më për zhvillim të mëtutjeshëm të kësaj toke, ku i Madhi Zot na fali. Assesi nuk guxojmë të shprehemi se na mungon dëshira dhe vullneti. Nuk na mungon potenciali apo kuadri për të ecur përpara. Prandaj, duke e lutur Zotin për shëndet, mëshirë, paqe dhe prosperitet edhe një here ju falënderoj nga zemra”, përfundoi fjalën e tij Myftiu Tërnava.
Në anën tjetër, kryetari i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj, pasi që i dëshiroi mirëseardhje Myftiut Tërnava me bashkëpunëtorë, tha: “… kemi nevojë si popull, që Bashkësia Islame e Kosovës, ashtu sikur edhe bashkësitë tjera fetare, të jenë afër nesh në përmbushjen e qëllimeve tona strategjike drejt një ardhmërie më të sigurt të vendit tonë. Drejt këtij rrugëtimi duhet të ecim bashkë, me respekt dhe kujdes të ndërsjellë, ashtu sikur edhe institucionet e vendit që duhet të ofrojnë sigurinë e duhur që ne mos të frikësohemi se do të humbim diçka nga vlerat tona. Na vjen mire që BIK-u e ka bërë të qartë qysh në fillim qëndrimin e tij karshi tentativave të shprehjes së ekstremizmit, po them i çfarëdo lloj natyre qoftë ai. Edhe atyre që sot konsiderohen si ekstremistë, pra u themi se ne nuk ua duam të keqen, ata janë pjesë e shoqërisë sonë, dhe ne duhet t’i riintegrojmë në këtë shoqëri. Bashkësia Islame ka potencial dhe forcë ta bëjë këtë, t’ua kthjellojë rrugën atyre, sepse është më afër xhematit, t’i vetëdijesoj nëpërmes imamëve dhe nëpunësve të saj, që ata në mënyrë të pavetëdijshme të mos ndërmarrin ndonjë hap të gabuar”, tha kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.{gallery}ifaraak{/gallery}