Mr. Ejup Haziri
Hyrje
Disa tema radhazi ia kemi kushtuar Ebu Hanifes dhe shkollës juridike hanefite, në mënyrë që të kuptohen drejt disa gjëra dhe të hidhen poshtë disa dyshime, mëdyshje dhe dilema, të cilat janë shfaqur kryesisht gjatë dy dekadave të fundit. Me ato tema kemi dashur të argumentojmë se kush është medhhebi hanefi, duke treguar edhe zingjirin e pashkëputur prej Ebu Hanifes deri tek i Dërguari i Allahut, ashtu siç kemi pasur për synim që të tregojmë se kush në realitet ka qenë imami i madh, Ebu Hanife.
Tani veç do të kalojmë në pjesën kryesore të kësaj tematike, atë të namazit, ku do t’i shtjellojmë dispozitat që kanë të bëjnë me të, konform pikëpamjes hanefite, në koordinim me sunetin e Resulullahit a.s. Kjo temë do të jetë si një parahyrje ku do të sinjalizohet se për çfarë do të shkruajmë dhe ku është synimi ynë.
Çfarë kemi për qëllim?
Forma e namazit të Pejgamberit a.s. sipas shkollës juridike hanefite nuk kuptohet një formë e re apo e veçantë që ka të bëjë me shkollën juridike hanefite, apo një namaz të cilin e ka shpikur themeluesi i shkollës hanefite apo nxënësit e kësaj shkolle, e as një drejtim i ri që ka qenë i panjohur më parë, por që ka të bëjë me formën të cilën e ka praktikuar i Dërguari i Allahut s.a.w.s., e që është bartur kjo formë nëpërmjet shokëve të tij të zgjedhur, të cilët e kanë parë të Dërguarin e Allahut duke u falur. Këta shokë të tij kanë qenë dëshmitar të gjallë sepse kanë jetuar me të Dërguarin e Allahut, kanë parë nga afër formën dhe mënyrën e tij të faljes. Ata përcollën veprimet dhe lëvizjet e të Dërguarit në çdo fushë. Kjo praktikë që nga koha e të Dërguarit të Allahut u përcoll tek ata që erdhën pas tij dhe ata me fanatizëm të madh e ruajtën këtë formë të transmetuar nga thëniet e tij dhe të dëshmuar në praktikë. Një numër i madh i sahabëve, sidomos elita e tyre, në vendet që ata shkuan e jetuan, ua mësuan të tjerëve fenë dhe masa e gjerë pa në praktikë veprimet e të Dërguarit të Allahut përmes shokëve të tij të zgjedhur.
Forma e namazit sipas sunetit, konform shkollës hanefite
Ebu Hanife si themelues i shkollës juridike hanefite kishte marrë opinionet e sahabiut të zgjedhur Abdullah ibën Mes’udit dhe nxënësve të tij, të cilët pasuan sunnetin e të Dërguarit të Allahut në përpikëri. Prandaj, forma e namazit, të cilën ne e praktikojmë me shekuj këtu, është forma të cilën e transmetojnë sahabët e zgjedhur, të cilët jetuan pranë të Dërguarit të Allahut dhe ndoqën e pasuan atë detajisht. Është forma të cilën na transmetohet edhe nga dhëndri i të Dërguarit të Allahut, Aliu dhe nga shumë sahabë tjerë të zgjedhur. Është pra versioni autentik dhe forma më e besueshme që na përcillet nga shokët më të zgjedhur të të Dërguarit të Allahut, të cilët e shoqëruan që nga ditët e para të Dërguarin e Allahut, siç është rasti me Aliun apo ibn Mes’udin, e të cilët ishin në kontakt të vazhdueshëm me Pejgamberin a.s.
Duhet ndjekur rrugën e atyre që jetuan me të Dërguarin e Allahut dhe atyre që erdhën pas tyre dhe gjetën në praktikë mënyrën e faljes nga shokët e të Dërguarit, të cilët u vendosën në vendet e ndryshme islame, pas çlirimit të tyre. Allahu na urdhëroi që t’i pasojmë ata:
“Allahu është i kënaqur me muslimanët e parë, emigrantët dhe ensarët dhe me të tërë ata të cilët i pasojnë këta me vepra të mira, por edhe ata janë të kënaqur me Atë. Ai u ka përgatitur atyre xhennete ku rrjedhin lumenj, dhe ata aty do të mbesin përgjithmon. Ai është sukses i madh.” (Et-Tevbe,9)
Opinionet e tyre vlejnë shumë më tepër sesa opinionet e gjeneratave që erdhën pas tyre. Në këtë kontekst Imam Shafiu kishte thënë: “Opinioni i tyre (sahabëve) për ne është më i mirë sesa opinioni jonë.” Të gjithë themeluesit e shkollave juridike gjejnë mbështetje në fjalët dhe opinionet e sahabëve. Madje, ajo që është jashtë katër shkollave juridike të pranuara, konsiderohet më e dobët, sepse themeluesit e shkollave juridike, nxënësit dhe pasuesit e tyre i shoshitën argumentet dhe nuk i morën pa i analizuar dhe studiuar mirë. Prandaj, tentativat dhe ftesat për rikthim tek suneti, duke i anashkaluar kolosët e shkollave juridike, nuk janë gjë tjetër pos tentativa të paarsyeshme për të përmbysur shkollat juridike dhe të çjerra kërcënuese ndaj pasuesve të këtyre shkollave. Nëse pas dymbëdhjetë shekujve dikujt i shkoi ndërmend t’i rikthehet sunetit përmes ixhtihadit personal, me pretekstin e përmbytjes së ixhtihadit të kolosëve të dijes dhe taklidit konsultativ të tërë atyre shekujve dhe tërë asaj krijimtarie shkencore, atëherë çfarë mund të thuhet për rrugën e atyre që minojnë dymbëdhjetë shekuj të historisë së lavdishme islame? Nëse ata që jetuan afër shokëve të Pejgamberit a.s. dhe nuk ia qëlluan sunetit, apo gabuan në përzgjedhjen e sunetit, çfarë mund të thuhet për gjeneratat e dymbëdhjetë apo trembëdhjetë shekujve pas tyre? Si mundën të mëvonshmit t’i korigjojnë të parët, kur dihet se të parët panë në praktikë sunetin e Resulullahit a.s., përderisa të mëvonshmit nuk e patin një fat të tillë! Në fakt edhe ata që sot vetit ia atribuojnë gjetjen e rrugës së vërtetë dhe pasimit të vërtetë të sunetit, praktikisht i përmbahen një drejtimi-shkolle, ndonëse teorikisht mund të mos e emërtojnë veten dhe mund ta fshehin emërtimin nën petkun e emrit sunet. Edhe ata, ndonëse në vazhdimësi akuzojnë për taklidin, i përmbahen atij.
Që të gjitha shkollat juridike kanë vepruar konform sunetit që depërtoi në vendet ku ato shkolla u themeluan dhe u zhvilluan. Secila shkoll veproi në bazë të sunetit që gjeti në atë vend, sepse me shpërndarjen e sahabëve nëpër vende të ndryshme, secili e barti me vete edhe sunetin e të Dërguarit të Allahut.
Prej të gjitha shkollave juridike, ajo që më së shumti u morr me diskutime, shqyrtime dhe analiza të thella është shkolla juridike hanefite. Themeluesi i kësaj shkolle dhe nxënësit e tij, jo vetëm që kishin njohuri të thella rreth udhëzimit të Pejgamberit a.s. në përgjithësi, por ata thëniet e të Dërguarit a.s. i shqyrtonin deri në detajet më të imta, saqë nuk i linin asgjë gjeneratave të ardhme. Konsultimi i tyre i atëhershëm mund të jetë ekuivalent me analizat e mëdha që bëhen në kohën moderne.
Për konsultimin në shkollën hanefite tregon Esed ibën Furati, i cili thotë: “Më ka thënë Esed ibën Amri: “Ata (nxënësit e Ebu Hanifes) nuk pajtoheshin me të në përgjigjen rreth ndonjë çështjeje, ku secili vinte me ndonjë përgjigje, e pastaj ato ngriteshin tek imami dhe ata e pyesnin atë, e përgjigja nuk mungonte prej tij. Shpeshherë rreth një çështje diskutonin tre ditë, e më pas e shënonin në divan.” Madje, Ebu Jusufi në disa raste ka deklaruar se për një çështje kemi diskutuar plot një muaj, e pas një muaji secili solli argumentet përfundimtare dhe në divan u shënua mendimi përfundimtar i përzgjedhur, duke i përmendur edhe mendimet tjera, të gjitha me argumente. Kështu kanë qenë tubimet e dijes dhe analizat e thella të shkollës juridike hanefite karshi problematikave dhe çështjeve të ndryshme. Në diskutime të tilla kanë marrë pjesë qindra nxënës të Ebu Hanifes, të cilët më vonë u bënë dijetarë të njohur, por që në debate dhe diskutime të tilla shquheshin 40 nxënës të tij të cilët kishin intelegjencë të jashtëzakonshme dhe u përkisnin lëmive të ndryshme.
Tek çështja e namazit, Ebu Hanife ndonëse kishte para vetit formën origjinale të faljes së namazit të Pejgamberit a.s. nga sahabiu i ndershëm dhe i shquar Abdullah ibën Mes’udi, ai në çështjet dytësore të namazit, diskutonte me nxënësit e tij dhe analizonin hadithet që kishin të bënin me tematikën e namazit. Ebu Hanife në përzgjedhjen e argumenteve rreth (suneteve të) namazit, zakonisht bazohet tek sahabët, të cilët përveç dijës së tyre të përgjithshme kishin qenë edhe fekihë-njohës të mirë të dispozitave të Islamit. Prandaj, hadithet që transmetohen prej tyre (sahabëve fekihë) tek ai kanë konsideratë më të madhe.
Akuzat rreth formës së faljes
Akuza se forma e të falurit të Pejgamberit a.s., e transmetuar nga shumë sahabë dhe e marrë për bazë nga Ebu Hanife dhe nxënësit e tij, është e dobtë dhe e paargumentuar, është një akuzë e pabazë dhe dashakeqe, e cila fare nuk përkon me realitetin, sepse, siç do ta elaborojmë në temat e ardhme, çdo detaj rreth namazit është i argumentuar dhe ka mbështetje në tekste dhe athare. Madje, ajo që është më e çuditshme në këtë kontekst, është pluhuri i ngritur nga disa studiues, të cilët kanë bërë thirrje që të shmangen medhhebet dhe të pasohet suneti i të Dërguarit të Allahut. Thirrjet e tyre lënë të kuptojnë se medhhebet-shkollat juridike nuk pasojnë sunetin e të Dërguarit të Allahut dhe se këta imam nuk kanë pasuar sunetin e të Dërguarit të Allahut (sic). Imamët e katër shkollave juridike e kanë pasuar në vazhdimësi sunetin e të Dërguarit të Allahut dhe se ata kurdo që dëgjonin për ndonjë hadith autentik që e kundërshton opinionin e tyre, e braktisnin opinionin e tyre dhe vepronin me hadithin në fjalë. Ata qenë që më së shumti e praktikonin sunetin e të Dërguarit. Në këtë kontekst Ebu Hanife qe shprehur: “Nëse vërtetohet se një hadith është autentik (i vërtetë), atëherë ai është medhhebi im.” Ndërsa imam Maliku kishte thënë: “Vështroni mendimet e mia; gjithë ajo që është në pajtim me Kur’anin dhe sunetin, pranojeni atë; e gjithë ajo që nuk pajtohet me Kur’anin dhe sunetin, mos e përfillni atë.”
Këta imam ishin shembëlltyrë për besimtarët dhe ishin poliglot të vërtetë. Ata ishin prej atyre që më së shumti ia kishin frikën Allahut dhe vepronin gjithnjë në kordinim të plotë me udhëzimin profetik. Prandaj nevoja e njerëzve në pasimin e tyre është e madhe dhe se gjithë njerëzit kanë nevojë për mësimet, mendimet dhe opinionet e tyre, sepse ata tërë jetën e tyre e kaluan në shërbim të njerëzimit, që njerëzve t’ua shpjegojnë fenë. Tekstet kuranore dhe profetike jo gjithnjë janë të kapshme për masën e gjerë, prandaj shpejgimi i duhur nga juristët e tillë ishte i mirëseardhur dhe tejet i dobishëm, sepse kjo ndikonte që njerëzit ta kuptonin më mirë dhe më drejtë Islamin. Vetëm ata që ishin të thelluar në dije, mund t’i kuptonin një pjesë të teksteve, e sikur t’i lihej secilit nga masa e gjerë, atëherë sigurisht se kjo do shkaktonte rrëmujë të paparë.
Për juristë të tillë Ibën Kajimi ka shkruar: “Juristët e Islamit, që prej opinioneve të tyre dolën fetvatë që u përhapën tek njerëzit, e të cilët u thelluan në nxjerrjen e dispozitave dhe i kushtuan rëndësi rregullave të hallallit dhe haramit, ata në tokë janë sikurse yjet në qiej, ku përmes tyre udhëzohet i humburi në errësirë dhe nevoja e njerëzve për ta është më e madhe se nevoja e tyre për buk e ujë. Nënshtrimi ndaj tyre është më obligativ se nënshtrimi ndaj prindërve, duke u bazuar në fjalët e Allahut të Madhërishëm : “O ju që besuat, bindjuni Allahut, respektoni të dërguarin dhe përgjegjësit nga ju. Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtrojeni atë te Allahu (te libri i Tij) dhe te i dërguari, po qe se i besoni Allahut dhe ditës së fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë.” (En-Nisa, 59)
Çfarë do të trajtohet në tematikën e namazit?
Në këtë tematikë do të trajtohet forma e namazit që nga tekbiri e deri tek selami. Prandaj, nuk do të shtjellohen kushtet e jashtme të namazit, por vetëm ato që janë pjesë e brendshme e namazit, andaj shtjellimi do të jetë direkt me namazin që nga tekbiri fillestar e deri tek dhënia selam. Përshkrimi i kësaj tematike, ndonëse në shikim të shkurtër mund të duket i shkurtër dhe i shpejtë, do të jetë një seri shkrimesh më të gjata, sepse trajtimi rreth disa gjërave do të jetë detajizues dhe gjithnjë në dritën e argumenteve dhe fakteve. Rreth kësaj çështje do të konsultohen librat bazë të shkollës sonë dhe do të përmenden mendimet e ndryshme rreth çështjeve të caktuara. Nëse na lejon hapësira do të kemi edhe shtjellime dhe analiza rreth disa gjërave që janë aktualizuar më tepër tek ne.
Tematika e namazit do të jetë konform kronologjisë së të falurit, hap pas hapi dhe elaborimi i kësaj tematike ka të bëjë me sensibilizimin e besimtarëve myslimanë shqiptarë që i përkasin shkollës hanefite, në mënyrë që të njihen më detajisht rreth namazit që e bëjnë për çdo ditë dhe t’i kuptojnë argumentet rreth tij, e assesi nuk është tentativë për t’i sulmuar shkollat tjera apo për të mbjellë urrejtje ndaj gjithë atyre që kanë mendim ndryshe nga shkolla jonë juridike. Njëherit kjo do të jetë edhe argument i fuqishëm për gjithë ata që kanë mendime e qëndrime skeptike ndaj shkollës hanefite, sepse shumë gjëra janë thënë nga injoranca e zilia, ndonëse realiteti ishte krejt ndryshe. Madje, përgjatë dekadës së fundit tek ne është sulmuar mënyra e faljes që e bëjmë ne, është mbjellur huti kryesisht tek gjenerata e vjetër, sepse është thirrur në një formë të re dhe është krijuar një klimë e papërshtatshme mes gjeneratave. Madje, është lakuar e aluduar se forma që ne e kemi praktikuar me shekuj, është e papranueshme. Deri këtu ka ardhur kjo çështje. Fatkeqësisht, disa ende jetojnë me të tilla bindje!
Trajtimi i kësaj çështje nuk do të jetë vetëm nga aspekti i fikhut-jurisprudencës, por do të jetë një kombinim mes fikhut dhe hadithit, ku një rëndësi të posaçme do t’i kushtohet haditheve, gjegjësisht argumenteve nga suneti, ku do të ketë vlerësim të haditheve dhe komentim të haditheve nga ana e juristëve dhe hadithologëve.
Mendoj se kjo qasje do të jetë e dobishme, ndonëse nuk është edhe e lehtë, por me ndihmën e të Plotfuqishmit do t’ia dal në elaborimin e duhur të tematikës së namazit konform sunetit të Resulullahit, sipas shkollës juridike hanefite.