Skender ef. Bruçaj
Kryetar i KMSH
Të nderuar miq dhe të ftuar,
I nderuar Myfti i Kosovës Naim ef. Tërnava
I nderuar kryetar i Bashkësisë Islame të Maqedonisë H. Sulejman Rexhepi
Të nderuar studiues, profesorë dhe studentë!
Shumë të dashur pjesëmarrës!
Kam kënaqësinë dhe nderin që ndodhem sot në Prishtinë në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, me ftesë të Bashkësisë Islame të Kosovës, për të promovuar Kolanën “Zani i Naltë”, vëllimi i parë, si revista dhe organi i parë zyrtar i Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Revista “Zani i Naltë”, u themelua në vitin 1923 menjëherë pas ngritjes së institucionit të Komunitetit Mysliman, pas Kongresit të parë Mysliman Shqiptar. Botimi i saj ka zgjatur nga viti 1923, deri më 1939, kur Shqipëria hyri në një fazë tjetër historike, atë të Luftës së Dytë Botërore. Në këtë revistë, gjatë gjithë periodikut të saj vërehen tonet patriotike dhe atdhetare të shkruesve, të cilët lanë gjurmë të pashlyera me anë të shkrimeve të tyre.
Gjate 16 viteve të jetës se saj, ajo botoi një sërë artikujsh, që dëshmojnë një pasuri të tërë kulturore, nëpërmjet së cilës pasqyrohet dhe niveli i mendimit teologjik shqiptar, gjatë periudhës së paspavarësisë.
Kjo revistë pati një rëndësi shumë të madhe jo vetëm për edukimin fetar islam të popullatës shqiptare, por ajo zgjoi edhe ndjenjat e patriotizmit dhe të ngritjes kulturore e arsimore të popullit shqiptar.
Në revistën “Zani i Naltë” bashkëpunuan personalitete të shquara si H. Vehbi Dibra, Hafiz Ismet Dibra, Hafiz Ali Korça, Jonuz Bulej, Haki Sharofi, Ferit Vokopola, e të tjerë, duke përfshirë këtu edhe emra të njohur të letërsisë shqiptare si p.sh. Mit’hat Frashëri. Më pas kanë dalë në shtyp revista “Kultura Islame” dhe “Njeriu”, organe të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Këto botime me standarde shumë të larta, kanë qenë një pasqyrë e vërtetë e vlerave të inteligjencës myslimane të asaj kohe krizash mendimesh e ideologjish.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë me rikrijimin e vet në 1990, pas disa kohësh nxori gazetën “Drita Islame”, ku për 20 vitet, ajo u bë e pandarë nga dashamirët dhe lexuesit e vet të shumtë. Në janar të vitit 2012 gazeta Drita Islame u kthye në një revistë kulturore-mujore, si dhe në Tetor 2012 pas 73 vitesh ndërprerje u rikthye edhe revista shkencore dhe kulturore Zani i Naltë, si një periodik 3 mujor. Këto botime të rëndësishme u pasuan edhe me botimin e enciklopedisë së parë të KMSH-së “100 personalitete shqiptare të kulturës islame”, si dhe botime të tjera. Viti 2012, si vit i 100 vjetorit të pavarësisë ishte edhe viti i një bashkëpunimi të frytshëm midis tre bashkësive islame shqiptare, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të cilët organizuan konferencën shkencore të përbashkët “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar”, kumtesat e së cilës u botuan në një libër, që u promovua në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.
Kolana Zani i Naltë është një tribunë shekullore, ku penat e shquara të kohës shpalosën mendimet dhe zgjidhjet e tyre për problemet e shoqërisë shqiptare. E këto vlera të shkruara që na lanë trashëgim neve, i takon studiuesve që të hulumtojnë dhe të nxjerrin mësime të dobishme prej tyre, për shumë problematika që e ruajnë akoma aktualitetin e tyre.
Unë uroj që sot revista Zani i Naltë, si vazhdim i kësaj tradite të ketë sukses dhe i ftoj të gjithë studiuesit dhe akademikët, që t’i bashkëngjiten kësaj tribune të dijes, e cila u themelua gati një shekull më parë.
Ju faleminderit!
(*Fjalë përshëndetëse në përurimin e Vëllimit të parë të ribotimit të revistës “Zani i Naltë”, Prishtinë 24 nëntor 2014).