Genti Kruja
Të nderuar kryetarë të tre bashkësive Islame, të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, drejtues të lartë të këtyre bashkësive!
Të nderuar studiues, njerëz nga bota akademike dhe ajo e kulturës!
Të nderuar miq dhe të ftuar!
Aktivitete të tilla si ky i sotmi, marrin një rëndësi të veçantë për arsye se tregojnë edhe një herë para mbarë opinionit publik, se rruga jonë është dhe duhet të jetë gjithmonë rruga e dijes dhe e urtësisë, e librit dhe e kulturës, si një hallkë lidhëse dhe e vazhdueshme në zinxhirin e hapave dhe gjurmëve që na lënë hoxhallarët dhe dijetarët tanë të urtë e të ditur, paraardhësit dhe prijësit tanë myslimanë, të cilët ishin edhe plejada e fundit e rilindësve shqiptarë, të cilët me përkushtimin, devotshmërinë dhe punën e tyre bënë që ne sot pas shumë vështirësive, luftërave dhe persekutimesh nga më të egrat që ka parë shekulli XX, të trashëgojmë një pasuri të rrallë kulturore dhe studimore siç është edhe “Zani i Naltë”, një za, një zë kumbues i të vërtetës së pandryshueshme dhe të përhershme të dijes dhe mesazhit që ai përcjell, nën dritën e pashtershme të fjalës së parë hyjnore të librit të fundit qiellor “Lexo”.
Çdo shtëpi intelektuali dhe dijedashësi mysliman shqiptar të viteve 20 dhe 30 të shek. XX, do ta kishte pjesë së bibliotekës së vet, e pasur apo modeste qoftë ajo, revistën “Zani i Naltë”. E më pas shumë prej tyre e ruajtën dhe e fshehën si një relike gjatë komunizmit. Ne si Komunitet Mysliman i Shqipërisë pas shumë vitesh kërkimi dhe pune voluminoze arritëm që ta skanojmë të gjithë kolanën prej më shumë se 5.000 faqesh të 153 numrave të dalën nga 1923 deri më 1939, për 16 vjet të revistës “Zani i Naltë” dhe prej disa kohësh ka nisur puna për pastrimin në versionin dixhital të çdo faqeje të skanuar të revistës “Zani i Naltë”, si një thesar i çmuar që është, duke e përgatitur si botim në 10 vëllime.
Ky botim vjen si faksimile e origjinalit me gjuhën zyrtare të atyre viteve. Po kështu është hartuar edhe përmbajtja, e ndarë sipas numrave të revistës me gjuhën origjinale. E njëjta gjë është bërë edhe me numrin e faqeve, të cilat janë të gjitha sipas origjinalit, ku revista pasardhëse ka vazhduar numrin rendor të revistës paraardhëse, e kështu në bazë të saj është ndarë edhe kolana në 10 vëllime.
Sot pas Tiranës ne po promovojmë edhe në Prishtinë, Vëllimin e parë të kësaj kolane, të përbërë prej 720 faqesh, e cila i hap rrugë botimit dhe plotësimit të të gjitha vëllimeve në një kohë sa më të afërt.
Krahas këtij botimi, më 2012 kur të gjithë po përjetonim 100 vjetorin e ngritjes së flamurit, jo rastësisht Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, vendosi ta rithemelojë organin e vet të parë zyrtar, revistën “Zani i Naltë” dhe sot pas 2 vitesh ka dalë edhe numri i 9 i saj, ku në këto 9 numra janë botuar rreth 100 artikuj shkencorë në rreth 1.000 faqe, ku dhjetëra studiues dhe personalitete akademike, shpalosën dijet dhe punën e tyre shkencore, në fusha tilla si shkenca islame, shkenca sociale, si sociologji, filozofi, psikologji, por edhe në histori, shkenca komunikimi, shkenca ekzakte, jurisprudencë, gjuhë-letërsi, mjekësi, etj., duke u bërë kështu një vlerë e shtuar në bibliotekat shqiptare.
Në fakt, myslimanët shqiptarë, kudo në trevat e tyre, historikisht kanë qenë promotorë në promovimin e vlerave të larta islame dhe ato atdhetare. Personalitetet e shquara shqiptare të kulturës islame ishin ata që u gjenden të parët së bashku me të gjithë bashkatdhetarët e tyre të besimeve të tjera, që në xhaminë Bajrakli dhe në Medresenë e Mehmet Pashës, ku kurorëzuan fatet e atdheut në Lidhjen e Prizrenit dhe më pas në vitin 1912 shpallën pavarësinë, duke filluar ndërtimin e shtetit shqiptar dhe duke kontribuar në të gjitha fushat për të mirën e vendit dhe popullit tonë.
Dua të shfrytëzoj gjithashtu edhe këtë tubim, që t’i bëj thirrje të gjithë studiuesve që të bëhen pjesë e tribunës “Zani i Naltë”, si një revistë e të gjithëve.
Me dëshirën e suksesit nga Zoti i Madhëruar, shpresojmë që ky botim dhe të tjera si kjo që botojnë të tre bashkësitë tona, të përmbushin misionin e tyre në shërbim të dijes dhe kulturës, kaq të dashura për popullin tonë dhe kaq të nevojshme për brezat e rinj.
Ju faleminderit!
Ues selamu alejkum ue rahmetullah!
(Fjalë përshëndetëse në përurimin e Vëllimit të parë të ribotimit të revistës “Zani i Naltë”, Prishtinë 24 nëntor 2014).