Ballina Lajme Sesion shkencor me rastin e muajit të Mevludit

Sesion shkencor me rastin e muajit të Mevludit

Më 24 janar, në Medresenë e Mesme Alauddin, paralelja në Gjilan, Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan me rastin e muajit të Mevludit organizoi një sesioni shkencor me temën “Muhamedi a.s. shëmbëlltyra më e mirë”.
Në këtë ngjarje mori pjesë myftiu i Republikës së Kosovës, Mr. Naim ef. Tërnava me bashkëpunëtor, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, kryetari i KBI-së në Gjilan, Sylejman ef.Osmani, deputetet Lirije Kajtazi e Labinotë Demi-Murtezi, studiues dhe shumë të pranishëm të tjerë.

Në hapje të këtij sesioni kryetari i KBI-së në Gjilan, Sylejman Osmani, tha se ka pasur një tubim për përkujtimin e Muhamedit a.s., një mevlud tradicional, mirëpo edhe kjo formë e organizimit në shërbim të njohjes së Pejgamberit Muhamed a.s., të personalitetit të tij nga dimensionet dhe pikëpamjet e ndryshme, vetëm sa do të shërbejë që ai të merret si shembull që të bëhen punë të hairit e punë të mira. Më pas Osmani ka falënderuar pjesëmarrsit për kohën e ndarë për të marrë pjesë në këtë sesion, ndërsa ka uruar mirëseardhje për të gjithë.
Në fjalën e tij, myftiu i Republikës së Kosovës, Mr. Naim ef. Tërnava, ka shprehur bindjen se çdo besimtar mysliman nuk mund të ketë shembull më të mirë për jetën sesa atë të profetit Muhamed a.s. “Rikujtimi i ditëlindjes së Muhamedit a.s. është një e mirë nga ana e myslimanëve, e që trashëgohet shekuj me radhë dhe është festë e tërë njerëzimit. Kjo është ditë që na nderoi Allahu xh.sh. me dërgimin e profetit të fundit. Kjo është dita kur këtë dritë Allahu e solli në jetë, e kështu e ndriçoi tërë botën, dhe në saje të kësaj drite u zhdukën errësirat dhe gjithësia u përfshi nga ndriçimi. Pra, ky është edhe favori më i madh i Tij për njeriun.”, tha me këtë rast myftiu Mr. Naim ef. Tërnava.
“S’ka pikë dyshimi se myslimani nuk mund të gjejë shembull më të mirë për jetën se Muhamedin a.s., pa marrë parasysh kohën dhe vendin. Muhamedi a.s. ishe model dhe shëmbëlltyrë për mbarë njerëzimin, ngase vetë përzgjedhja e tij si profet nga ana e Zotit, dhe zbritja e Kuranit tek ai, ishin mëshirë për mbarë njerëzimin”, ka thënë ndër të tjera Tërnava, duke shtuar po ashtu se rikujtimi i figurës së Muhamedit a.s. është një e mirë në vendin tonë, dhe se myslimanët në mbarë botën e festojnë dhe e kremtojnë këtë ditë. “Ai garantoi të drejtat e njeriut atëherë kur mungonin konventat e ndryshme në mbarë botën. Urdhëroi në dashuri  mes njerëzve, në bujari etj.”, përfundoi myftiu Tërnava.
Ndërsa kryeimami i Kosovës, Sabri ef. Bajgora, në kumtesën e tij për këtë sesion, ndër të tjera tha: “Muhamedi a.s. erdhi si plotësim dhe përgjigje e lutjes së Ibrahimit a.s., si dhe vërtetim dhe paralajmërim nga Isai a.s. Para tij Allahu kishte dërguar pejgamberë, mëshirë për popujt dhe kohën e tyre, kurse Muhamedin a.s. e dërgoi si mëshirë për gjithë botën.”, ka thënë kryeimami Sabri ef. Bajgora.
Ndërkaq, në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se duke qenë njëri nga ata që në fëmijëri ka mësuar për profetët, e që edhe sot mund të mësojë për figurën, personalitetin dhe shëmbëlltyrën e tyre “Besoj shumë se të gjithë besimtarët myslimanë të Kosovës sot kanë shumë nevojë të mësojnë dhe t’i marrin mesazhet e drejta, sidomos në këto zhvillime të mëdha që po ndodhin në botë, e që edhe ne, pa dashje, shumë lehtë mund të bëhemi target.”, tha kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, për të shtuar pastaj se figura e profetit Muhamed nuk na lejon të kemi kompleks pse jemi myslimanë, por është e kundërta. “Duhet të shpaloset në mënyrën më të mirë për t’i kuptuar vlerat e tij të mëdha. Gjithashtu, në emër të tolerancës fetare dua ta kujtoj sot këtu thënien e Mulla Idriz Gjilanit, se: “Kemi tri fe, por kemi një Zot dhe një diell që na bashkon”, përfundoi Haziri.{gallery}ssnmvldgjln{/gallery}

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Njoftim

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës njofton opinionin e gjerë se, në aksionin e ndërmar…