Ballina Shkrime Xhamitë e Bosnjës dhe xhamitë e Kosovës

Xhamitë e Bosnjës dhe xhamitë e Kosovës

 

Një nga plagët e mëdha të Bosnjës, e shkaktuar nga urrejtja fetare e kthyer në politikë shtetëror, duket
se mori më në fund rrugën e shërimit. Gjykata e qytetit të Banja Lukës, në të quajturën “Serpska Republika”, pra pjesa e Bosnjës e kontrolluar dhe banuar nga serbët, mori vendim me 20 shkurt që Serpska Republika t’i paguajë Komunitetit Islamik të Banja Lukës, 42 milionë dollarë si zhdëmtim për shkatërrimin e xhamive të këtij qyteti gjatë luftës së viteve 1992-1995.

Është hera e parë që një gjykatë serbe vendos që autoritetet serbe të paguajnë reparacione për shkatërrimin e xhamive dhe objekteve fetare, të ndërmarrë nga forcat ushtarake të serbëve të Bosnjës së bashku me ushtrinë e Serbisë gjatë asaj lufte.
Është një zhvillim i rëndësishëm në rrugën e gjatë dhe tepër të ngadaltë të vendosjes se drejtësisë për krimet dhe konfliktet e kryera nga serbët dhe Serbia në ish- Jugosllavi dekadën e kaluar. Ndonëse është fjala për zhdëmtimin në para, në fakt është një vendim gjykate, që pranon se kush janë përgjegjësit e shkatërrimeve në Bosnjë dhe kush duhet t’i paguajë ato. E mohuar nga serbët dhe Serbia për 14 vjet, e vërteta e shkatërrimeve të planifikuara dhe të ndërgjegjshme të objekteve fetare myslimane, më në fund jo vetëm po del në dritë, por po merr më në fund një kompensim moral. Sepse, ajo që ishte, nuk mund të ribëhet siç ishte, qofte dhe me 42 milionë dollarët e vendosur nga gjykata. Serbët shkatërruan ne Banja Luka 16 xhami, që ishin jo vetëm objekte fetare, por edhe kryevepra arkitekturore e artistike, si xhamia Arnaudija e shekullit 15-të, apo xhamia Ferhadija e shekullit 16-të. Xhamia Ferhadija ishte në listën dhe fondin e UNESCO-s për trashëgiminë e mbrojtur kulturore botërore. Urrejtja dhe fanatizmi fetar të kthyera në politike nacionale e shtetërore serbe, i shndërroi ato në hi, siç shndërroi edhe 1000 objekte fetare myslimane në të gjithë Bosnjën. Sidoqoftë, pranimi i fajit të krimit, qoftë dhe me vonesë, qoftë dhe në formë indirekte, është një shenjë pendese, e cila nuk mund të mos mirëpritet.
Vendimi i ndërmarrë nga gjykata e Banja Lukës është i rëndësishëm për të treguar se drejtësia duhet rivendosur, por sidomos për të treguar se për drejtësinë duhet luftuar që të rivendoset. Që në vitin 2000, Komuniteti Islamik i Banja Lukës paditi në gjyq autoritetet dhe kërkoi reparacione për shkatërrimin e xhamive dhe objekteve të kultit fetar në atë qytet. Ishte hera e parë që një komunitet fetar ndiqte rrugën e ligjit dhe të gjykatave për vendosjen e drejtësisë dhe luftoi 9 vjet për të drejtën e vet. Nuk ishte e lehtë në një qytet dhe në një entitet administrativ dhe politik të kontrolluar jo vetëm nga serbët, por dhe nga pjesa nga më radikalet e nacionalizmit serb. Serpska Republika është ajo krijesë artificiale e dalë nga Marrëveshja e Dejtonit e vitit 1995, e cila vërtet i dha fund luftës në Bosnje-Hercegovinë, por krijoi artificialisht një nga avanpostet e nacionalizmit serb, i cili edhe sot e kësaj dite po bllokon dhe saboton konstituimin e një shtet unik të Bosnjë-Hercegovinës. Serpska Republika është dënuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për genocidin e kryer në Srebrenicë, në korrik të vitit 1995, kur forcat serbe masakruan mbi 8000 të rinj e burra boshnjakë. Por, as qeveria dhe as parlamenti i Serpsa Republikës nuk e kanë pranuar dhe as kanë kërkuar falje për këtë genocid të pashembullt, për të cilin muajin e kaluar Parlamenti Europian vendosi që të përkujtohet çdo 11 korrik nga popujt dhe shtetet e Bashkimit Europian dhe të gjithë Europës si dita e genocidit.
Por, ndryshimet e mëdha demokratike të ndodhura në Ballkan, erërat e transformimeve dhe vendosjes se shteteve juridike në rajon dhe atraksioni i integrimeve euroatlantike, nuk mund të mos kenë ndikimin e vet pozitiv, ndonëse të ngadaltë, ndonëse të vonuar, ndonëse në forma ende embrionale, edhe mbi zonat e shtresat e ngurosura të nacionalizmit serb, siç është “Serpska Republika”. Ne nuk e dimë se çfarë odiseje juridike do të ketë vendimi i gjykatës së Banja Lukës, nëse qeveria e serbëve të Bosnjës do ta apelojë apo refuzojë zbatimin e tij. Por, është fakt se e vërteta dhe drejtësia janë më të fortë se paragjykimet dhe urrejtjet nacionale e fetare, dhe gjykata serbe e Banja Lukës dha një shenjë apo shembull të një dinjiteti, jo vetëm profesional, por edhe moral. Sepse, asaj gjykate i është dashur të kapërcejë, jo mbi vështirësi nenesh e ligjesh, por mbi kode urrejtjesh fetare e nacionale të mjedisit rrethues, të cilat janë më të vështira se labirintet juridike për t’iu shpëtuar.
Ajo që ndodhi në Banja Luka nuk mund të mos ngacmojë asosiacionin logjik me Kosovën. Mbi 230 xhami dhe objekte fetare myslimane shkatërruan forcat ushtarake dhe policore serbe gjatë ofensivave të tyre të përgjakshme kundër popullit shqiptar në Kosovë në vitet 1998-1999. Ishte një shkatërrim i planifikuar, i frymëzuar nga një urrejtje nacionaliste dhe fetare serbe kundër shqiptarëve. Kanë kaluar afro 10 vjet nga shkatërrimi i tyre prej forcave serbe dhe nuk mund të mos bjerë në sy një qëndrim i pakuptueshëm amorf shqiptar.Xhami e shkaterruar ne Bosnje
Nuk flet politikan në Kosovë për shkatërrimet e objekteve fetare të shqiptarëve, të cilat janë pjesë e trashëgimisë historike kulturore dhe të ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Ka kaluar një vit nga pavarësia dhe krijimi i shtetit të pavarur të Kosovës dhe nuk kemi dëgjuar asnjëherë të ngrihet nga ndonjë politikan i Prishtinës çështja e xhamive të shkatërruara nga serbët në Kosovë. Automatikisht të lind një krahasim me çështjen e kishave serbe në Kosovë. Edhe ata, që nuk janë marrë ndonjëherë me çështjen e Kosovës, e dinë se çështja nga më dominueset e bisedimeve ndërkombëtare për statusin e Kosovës, ka qene dhe është çështja e kishave serbe në Kosovë. Edhe ata e dinë se çfarë vëmendje të jashtëzakonshme i është kushtuar në planin Ahtisaari dhe çfarë efektesh juridike ka dhe të drejta ekstraterritoriale fiton kisha serbe dhe Serbia nën pretekstin e mbrojtjes se objekteve fetare serbe në Kosove.
Nuk kemi ndonjë informacion nëse në bisedimet e mbyllura diplomatike të zhvilluara nga Ekipi i Unitetit është ngritur ndonjëherë çështja e xhamive te djegura shqiptare nga forcat ushtarake dhe policore serbe. Publikisht, konstatohet se udhëheqësit dhe politikanët e Kosovës kanë pasur dhe kanë një droje të pashpjegueshme që të kërkojnë rivendosjen e drejtësisë edhe në këtë drejtim. Ka një kompleks inferioriteti, i krijuar nga presioni psikologjik dhe diplomatik serb dhe proserb, sipas të cilit të mbrosh objektet fetare myslimane apo identitetin fetar të popullit tënd, nuk është e modës dhe nuk dëshmon kozmopolitizëm. Ky kompleks inferioriteti bëhet akoma me mjeran, kur shoqërohet me entuziazme politike për objektet fetare serbe në Kosovë, gjeste që natyrisht i bën më të pabesueshëm ata politikanë si për serbët, ashtu dhe për shqiptarët.
 Detyrimi për mbrojtjen e kishave në Kosovë duhet të shkonte paralel me detyrimin e Serbisë për zhdëmtimin e shkatërrimit të xhamive në Kosovë. Nuk ka deri tani ndonjë kërkesë për reparacione dhe as padi nga shteti i Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kundër Serbisë. Bosnja e ka bërë padinë e saj dhe kërkesën për reparacione që në vitin 1993. E ka bërë dhe Kroacia në vitin 1995. Nuk e dimë se çfarë presin në Kosovë. Ne kemi ngritur çështjen e së drejtës dhe të detyrës së Kosovës për të kërkuar reparacione, menjëherë pas çlirimit të saj nga forcat e NATO-s dhe shndërrimit të saj në një protektorat të OKB-së. Tani që Kosova është shtet, ka tagrin juridik dhe zyrtar për ta bërë këtë hap të rëndësishëm, dhe shpresat janë për këtë veprim në drejtim të duhur dhe për rivendosjen e drejtësisë. Heshtja për të drejtën nuk nderon viktimën, por inkurajon ligjshkelësit dhe shtetshkelësit.
/balkanweb/

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

Reflektime të përsosurisë islame në festën e Kurban Bajramit

HYRJE *** الحمد لله الكريم المجيد الذي أكرمنا بالدين والتوحيد، وأَسْبَغَ علينا نِعَمَه ظاه…