Samiti në Adis Abeba për krijimin e Shteteve të Bashkuara të Afrikës- Muamer el-Gadafi – lider i Afrikës
Prej 1-3 shkurt në kryeqytetin e Etiopisë, Adis Abeba, zhvilloi punimet e tij Samiti i Unionit Afrikan, i cili në gjirin e tij ngërthen 53 shtete të kontinentit të Afrikës. Meqenëse, një numër i konsideruar i vendeve arabe, në aspektin gjeografik bëjnë pjesë në kontinentin e Afrikës, ato përveç pjesëmarrjes në Ligën Arabe dhe  në Organizatën e Konferencës Islamike, ato marrin pjesë  aktive edhe në  Unionin Afrikan,  si njërin prej organizmave më të mëdha të OKB-së, pas Organizatës së Konferencës Islamike. Vendet arabe, siç janë: Egjipti, Algjeria, Libia, Maroku, Sudani, Tunizi luajnë një rol të rëndësishëm në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe kulturor të shumë vendeve afrikane.

Në këtë aspekt vlen të theksohet involvimi i Libisë dhe liderit libian, kolonel Muamer el-Gadafit në Afrikë, që nga ardhja e tij në pushtet më 1 shtator të vitit 1969. Këtë vit ai  feston dyzet vjetorin e ardhjes në pushtet, duke u radhitur në mesin e liderëve me më shumë stazh në drejtimin e  një vendi. Fati ishte në anën e Gadafit, i cili ishte në krye të një shteti të pasur me naftë,  me një bregdet prej 1750  km. gjatësi në detin Mesdhe dhe me një popullatë relativisht të vogël. Libia sot numëron afër 6 milion banorë. Në vitet e tetëdhjeta te shekullit të kaluar në mesin e investimeve më të mëdha pa dyshim se llogaritet projekti i lumit artificial, i cili siguron ujë për pije dhe ujitje për pjesën dërrmuese të popullatës. Projekti ka kushtua mbi  20 miliard dollarësh, në një gjatësi prej 4000 kilometrave.

Ambiciet kolonel Gadafit ishin më të mëdha që ai të jetë lider vetëm i Libisë. Andaj, gjatë viteve të shtatëdhjeta bëri përpjekje të shumta për union me vende të ndryshme arabe si projekti i Unionit: Egjipt – Sudan – Libi më 27 dhjetor 1969. Pastaj, Projekti i Unionit të Republikave Arabe në mes: Libisë – Egjiptit dhe Sirisë, më 17 prill 1971, Unioni i përbashkët në mes Libisë dhe Egjiptit, në vitin 1972. Pastaj Unioni në mes Libisë dhe Algjerisë, më 28 dhjetor 1975, si dhe Unioni në mes Libisë dhe Marokut më 18 gusht 1984.

Pas dështimeve të njëpasnjëshme  për ti plasuar idetë e tij panarabe dhe krijimit të një Unioni në nivel të vendeve arabe, në vitin 1989, kolonel Gadafi, përfundimisht i kthehet Afrikës dhe përpjekjeve të tija të vazhdueshme për të depërtuar në atë pjesë të kontinentit të zi, në veçanti në Afrikën Qendrore dhe atë Perëndimore. Në këtë aspekt ai shpenzoi fonde të  mëdha të ardhurave nga shitja e naftit të Libisë për ti ndihmuar ato vende të varfra të Afrikës, dhe nëpërmjet tyre edhe për ti plasuar idetë e tij panafrikane. Ambiciet e liderit libian ishin edhe më të mëdha. Ai kaherë ka shpreh dëshirën e tij për themelimin e Shteteve të Bashkuara të Afrikës, duke u mbështetur në modelin e SHBA-ve. Andaj, zgjedhja e tij në krye të Unionit Afrikan është një shans që lideri libian,  idetë e tij panafrikane  ti promovojë dhe  ti realizojë nga pozita  e tij e re si kryetar i këtij unioni.
Mirëpo, të gjithë liderët afrikanë nuk mendojnë si Gadafi. Ata janë të vetëdijshëm se popujt e Afrikës, kanë kaluar nëpër situata të ndryshme dhe ata janë ballafaquar me përvoja të ndryshme, si në aspektin e periudhës së kolonializmit poashtu edhe pas shpalljes së pavarësisë. Kështu  vendet afrikane me ndikim, si Afrika  e Jugut, Nigeria, Etiopia dhe Kenia, kërkojnë një integrim gradual . Bile kryetari i Ugandës, Juri Musevini kishte propozuar që presidenca e UA-së të përbëhet nga tre anëtarë, me qëllim që liderit libian të mos i liheshin duart  e lira.
Por, në mesin e një numri të liderëve afrikanë, siç është kryetari i Senegalit, Abdulla Vade, kryetarja e Liberisë, Ellen Xhonson Sirleaf, ka një përkrahje të madhe për shkak fondeve të mëdha që ai ka shpenzua në ato vende.
Ajo që është me interes për ne kosovarët, është  sa mund të shfrytëzohet, lideri libian për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ato vende të asaj pjese të botës. Ne e dimë se kolonel Gadafi ka qenë tej mase  i lidhur me politikën e mosinkuadrimit të propaganduar nga idolët e tij, Naseri dhe Tito. Ish-federata jugosllave ka qenë prezente, si në aspektin politik, ushtarak, ekonomik e kulturor në Libi dhe në vendet tjera afrikane. Libia edhe sot e kësaj dite ka marrëdhënie të mira politike dhe ekonomike me Beogradin. Por, vlen të theksohet se në Rezolutën e fundit të Serbisë për  Kosovën të votuar në Asamblenë e Përgjithshme  të OKB-së, Libia nuk marrë pjesë në votim, që në një aspekt do të thotë se ka një ndryshim në politikën  e jashtme  të saj ndaj Ballkanit.
Kur është në pyetje Libia dhe lideri i saj Gadafi, në shtypin tanë flitet vetëm në aspektin negativ. Ne nuk duhet të harrojmë se në vitet tetëdhjeta të shekullit të kaluar , me insistimin e Libisë është nënshkruar marrëveshja për bashkëpunim në mes Ministrisë së Shëndetësisë të Libisë dhe Bashkësisë Krahinore për Punësim,  edhepse Beogradi ka qenë kundër marrëveshjes në fjalë, që nuk ka qenë rasti me as një vend tjetër. Andaj, është koha që ne ti afrohemi Libisë, por edhe vendeve tjera. Jo  tu mbajmë leksione atyre  vendeve si  ti rregullojnë marrëdhëniet me vende tjera, sipas shijes tonë. Sepse këtë ua imponojnë interesat nacionale të çdo vendi. Por është e drejtë e jona që  ne të kërkojmë prej atyre vendeve që marrëdhëniet tona  të përputhen me interesat tona nacionale, e që në këtë moment  imediate për ne është  njohja e pavarësisë së Kosovës.

 

 

 

 

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

Argumentet për vlerën e natës së 15 të muajit shaban

Një ndër muajt e preferuar, të cilët i ka veçuar Allahu i Madhëruar dhe që i ka dhënë një …