Ballina Shkrime Ligjërata e Fitër-Bajramit (2019)

Ligjërata e Fitër-Bajramit (2019)

Dr. Ejup Haziri

Falënderimet i takojnë të Lartit e të Gjithëfuqishmit, Mëshiruesit e Falësit, të Urtit e të Pushtetshmit, Sunduesit të përjetshëm, i Cili krijoi çdo gjë. Madhëria dhe pushteti i përjetshëm i takon vetëm Atij, i Cili na udhëzoi në rrugën e Tij dhe na pajisi me ndjenjën e besimit dhe fisnikërinë e islamit, ndërsa të gjitha përshëndetjet dhe vlerësimet kulmore ia dedikojmë të Dërguarit të Allahut, Muhamedit (paqja e Allahut qoftë mbi të) që ishte përgëzues e qortues, thirrës në rrugën e Allahut dhe kandil ndriçues. Paqja e Allahut qoftë edhe mbi ata që e përcollën mesazhin e tij, në mënyrën më besnike të mundshme.

Të nderuar besimtarë, vëllezër e motra, dhe ju të gjithë që na ndiqni përmes ekraneve televizive. Më lejoni të ju përshëndes me përshëndetjen e ngrohtë islame: Es-selamu alejkum- Paqja e Allahut dhe mëshira e Tij qofshin mbi ju.

Islami ngrihet mbi pesë themele kryesore: “Dëshmia se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij; falja e namazit; dhënia e zekatit, shkuarja në haxh; dhe agjërimi i muajit ramazan.”

Shehadeti apo dëshmia do të thotë pohimi i ekzistimit të Allahut Një, dhe se Muhamedi është i Dërguar i Allahut.

Ai që beson në këtë dëshmi nuk ka paragjykime e as që është zemërngushtë. Ai beson në Zotin, i cili është Krijuesi i qiejve dhe i tokës, Zot i Lindjes dhe i Perëndimit, dhe Furnizues i tërë gjithësisë. Në bazë të këtij besimi ai nuk konsideron asgjë në botë si të huaj ndaj tij. Çdo gjë në gjithësi ai e sheh si pronë të Zotit të cilit edhe i takon.

Besimi në këtë dëshmi sjell paqe, kënaqësi të shpirtit, liron shpirtin prej dëshirave dinake të xhelozisë, të zilisë, dhe të lakmisë, e mbron që të mos përdorë mjete të ndaluara për të arritur sukses.

Namazi është shtylla kryesore e Islamit. Ai është lidhja kryesore mes robit dhe Krijuesit, e kjo lidhje robin e afron sa herë ai afrohet afër namazit dhe përkulet para Lavdiplotit. Namazi për individin është mburojë shpirtërore dhe ruan kolektivin nga devijimet. Namazi konsiderohet si njëra ndër veprat më të mira që mund t’i bëjë njeriu në këtë jetë dhe ky namaz e mbron dhe e largon njeriun nga veprat e shëmtuara dhe të papëlqyera. Thotë Allahu në Kur’an: 

وَأَقِمِ الصَّلَاةَ ۖ إِنَّ الصَّلَاةَ تَنْهَىٰ عَنِ الْفَحْشَاءِ وَالْمُنكَرِ ۗ وَلَذِكْرُ اللَّـهِ أَكْبَرُ ۗ وَاللَّـهُ يَعْلَمُ مَا تَصْنَعُونَ

“…fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat, e përmendja e Allahut është më e madhja e adhurimeve; Allahu e di çfarë punoni ju.” 

Zekati, është adhurim tjetër i vlefshëm dhe ata që kanë mundësi duke plotësuar koutën që kërkohet, duhet dhënë atë. Zekati merret nga pasuria që plotësohet kuota e saj brenda një viti dhe jepet 2.5% prej saj. Në saje të dhënies së zekatit, bëhet pastrimi i shpirtit të besimtarit nga koprracia dhe lakmia.

Është pastrim i pasurisë, shtim dhe ruajtës e mbrojtës i saj nga çdo e keqe, sepse fitohet begatia e bindjes dhe respektit ndaj Allahut, duke respektuar urdhërin e Tij dhe duke iu bërë mirë krijesave të Tij.

Zekati është adhurim i cili arrihet përmes aspektit financiar me anë të cilit forcohet solidariteti shoqëror në njërën anë dhe, në anën tjetër luftohet varfëria dhe iu dilet në ndihmë të varfërve dhe nevojtarëve. Kështu që arrihet dashuria reciproke, butësia, toleranca dhe respekti në mes myslimanëve.

Haxhi është obligimi tjetër në kuadër të shtyllave të islamit, për të cilin Allahu shpalli:

وَلِلَّـهِ عَلَى النَّاسِ حِجُّ الْبَيْتِ مَنِ اسْتَطَاعَ إِلَيْهِ سَبِيلًا

“…Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabesë) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo.”

Kryerja e haxhit është obligim një herë gjatë jetës së individit, nëse i ka mundësitë për një gjë të tillë. Mekka është qendër ku myslimanët mblidhen një herë në vit dhe diskutojnë për interesin e përbashkët dhe në një mënyrë të caktuar i gjallërojnë dhe i freskojnë në vete bindjet se të gjithë myslimanët janë të njëjtë dhe se meritojnë dashurinë dhe respektin, pa marrë parasysh prejardhjen e tyre gjeografike dhe kulturore. Haxhi i bashkon myslimanët në vëllazërimin ndërkombëtar.

Agjërimi është një adhurim i cili e pastron ndjenjën e njeriut, e ngritë atë shpirtërisht, njëherit është edhe shëndet për organizmin.

Në çdo moment gjatë agjërimit ne i frenojmë epshet dhe dëshirat tona, dhe me sjelljen tonë vërtetojmë superioritetin e ligjit të Zotit. Kjo vetëdije mbi obligimin dhe durimin, të cilin agjërimi njëmujor e mbjell në ne, na ndihmon që të forcojmë besimin tonë. Përmbajtja dhe disiplina e ashpër gjatë këtij muaji na vendosin sy me sy me realitetin e jetës dhe na ndihmojnë të bëjmë jetën tonë edhe gjatë muajve tjerë, një jetë me nënshtrim të sinqertë ndaj dëshirës së Tij.

Agjërimi edukon shpirtin dhe kultivon ndjenjën e ibadetit që ta adhurojmë Allahun sinqerisht, si dhe të kemi durim në përballimin e vështirësive dhe sinqeritet në sjelljen tonë.

Agjëruesi ndien barazinë midis vëllezërve të tij agjërues. Kupton gjithashtu unitetin e përgjithshëm, ndien edhe urinë, e ia kupton hallet vëllezërve të tij të uritur dhe nevojtarë.

Agjërimi ka ndikim të madh në shoqëri, sepse të gjithë myslimanët, pa marrë parasysh pozitën e tyre, agjërojnë gjatë të njëjtit muaj. Kjo shpreh bashkimin e vërtetë të njerëzve dhe krijon në ta ndjenjën edhe më të thellë të dashurisë dhe vëllazërimit.

Qëllimi nga adhurimet në Islam nuk është thjesht fotografi dhe formë sipërfaqësore. Nuk ka dobi prej atij namazi i cili nuk e mbron namazliun nga veprat e liga dhe të shëmtuara. Nuk ka dobi prej atij agjërimi i cili nuk e mbron agjëruesin nga fjalët e kota. Gjithashtu haxhi dhe zekati janë të papranuara te Allahu nëse ato kryhen sa për sy e faqe. Me një fjalë, qëllimi i adhurimeve është ta drejtojë shpirtin e njeriut kah sinqeriteti dhe devotshmëria. Atëherë realizohet qëllimi final i tyre.

Përgjatë një muaji të Ramazanit u munduam maksimalisht të jemi të kujdesshëm në çdo formë, dhe i shtuam përpjekjet e angazhimet tona, ngase muaji i agjërimit është një muaj i veçantë dhe me plot virtyte e mirësi. Ai është një muaj, të cilin Zoti e dalloi dhe e veçoi nga gjithë muajt tjerë.

Të nderuar besimtarë!

Sot, ne po ndahemi nga ai muaj, për të cilin Allahu i Madhëruar pasi solli fjalët që obligojnë agjërimin, në fund tha:

لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ ﴿١٨٣﴾

“që ta shtoni edhe më tepër frikërespektin dhe devocionin”,  e ky është synimi i agjërimit që njeriun ta bëjë edhe më të mirë se që ishte, më të afërt si ndaj Zotit ashtu edhe ndaj njeriut, më të ndërgjegjshëm dhe më të devotshëm. Prandaj, ky është sunimi ku agjëruesi i afrohet Allahut me braktisjen e kënaqësive, me frenimin e nefsit, dhe këtë e bën vetëm për ta fituar dashurinë e Allahut Fuqiplotë.

Po ndahemi sot nga muaji i vlerave sublime të gërshëtuara në fjalët e të Madhërishmit:

شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ هُدًى لِّلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِّنَ الْهُدَىٰ وَالْفُرْقَانِ

“Muaji i Ramazanit është ai muaj që në të (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra)…”

Po ndahemi nga muaji që në të filloi të shpallet Kur’ani dhe në të ishte një natë që vlera e saj e tejkalonte 1000 muajshin.

Po ndahemi nga muaji i mirësive dhe begative të shumta, nga muaji i faljes dhe mëshirës, ku i Dërguari i Allahut tha: “Ai i cili e agjëron muajin e ramazanit me besim të plotë dhe shpresë tek shpërblimi i Allahut, do t’i falen mëkatet e kaluara.”

Po ndahemi nga muaji i garimit, ku besimtarët garuan në shtimin e veprave të mira, si në agjërim, namaz, lexim të Kur’anit, sadaka, lutje, kërkim falje dhe në vepra tjera që në njërën anë shtuan besimin, forcuan durimin, rritën solidaritetin mes njerëzve dhe në anën tjetër ky muaj ishte prej shkaqeve kryesore që Zoti na i fal mëkatet dhe na shpërblen pa masë, ashtu siç na informoi i Dërguari i Allahut kur tha: “Çdo punë e birit të Ademit shpërblehet shumëfish; puna e mirë i shumëfishohet prej dhjetë deri në shtatëqind. Allahu thotë: Përveç agjërimit, i cili është për mua, dhe vetëm unë shpërblej për të. Ai largohet nga epshet dhe ushqimi i tij vetëm për mua.”

Po ndahemi nga sofrat e iftarit, nga gëzimi kur bënim iftar të bashkuar pranë njëri-tjetrit, ashtu siç i Dërguari i Allahut tha: “Agjëruesi ka dy gëzime, gëzohet kur bënë iftar dhe gëzohet kur do ta takon Zotin e tij.” Gëzimin e parë e kemi përjetuar të gjithë, e atëherë kur do ta takojmë Allahun e plotfuqishëm, do të jetë gëzim i papërshkruar që do të na bëjë t’i harrojmë të gjitha vuajtjet, sfidat dhe pengesat e kësaj jete. E nuk do të ketë gëzim më të madh se sa Allahu kur t’u thotë agjëruesve: “Hyni në xhenet nga dera e Rejjanit, sepse ju agjëruat.”

كُلُوا وَاشْرَبُوا هَنِيئًا بِمَا أَسْلَفْتُمْ فِي الْأَيَّامِ الْخَالِيَةِ ﴿٢٤﴾

“Tash hani e pini shijshëm, ngase në ditët e kaluara ju e përgatitët këtë.”

Na mundëso o Allah të jemi nga ky grup dhe na fal në Ditën kur do të dalim para Teje!

Të nderuar besimtarë:

Sot, është dita e bajramit, një ditë gëzimi e lumturie, sepse ne e kryem me sukses të plotë një adhurim siç ishte agjërimi, për të cilin me zemër e shpirt i lutemi Allahut që ta na pranoj tërë atë që punuam gjatë muajit të Ramazanit.

Sot është fitër bajrami, njëra ndër festat madhore në fenë tonë islame, e cila vjen si kompletim i agjërimit, shpërblim për tërë mundin dhe angazhimin tonë gjatë një muaji të veçantë e të bekuar.

Fitër Bajrami është në mesin e festave më të rëndësishme për agjëruesit, të cilët pas një muaji përplot përkushtim dhe modesti karshi Zotit, tani me shumë shpresë e vullnet e presin shpërblimin hyjnor. Nuk ka dyshim se ata që vepruan me mirësi kanë për t’u bekuar e shpërblyer si në këtë botë ashtu edhe në të përtejmen.

Fitër Bajrami është një ditë që i jep njeriut një ndjenjë gjallërie. Kjo është dita, në të cilën njeriu, si asnjëherë më parë është i aftë ta ndiejë aromën e këndshme të besimit. Në këtë ditë, gjithçka mban erën e hyjnores dhe gjithçka frymon me tingujt e saj. Kështu, njeriu e rigjen veten në kornizat e besimit dhe në takimin me Zotin e tij të Lartësuar. Në këtë ditë, përderisa ne në tokë festojmë kompletimin e agjërimit, në qiell bëhet shpërblimi ndaj agjëruesve. Ne urojmë bajramin, e engjëjt shpërndajnë dhuratat për gjithë ata që agjëruan dhe iu përkushtuan muajit të ramazanit. Me të drejtë, sot, besimtarët presin bekimin e Zotit ndaj tyre duke hapëruar rrugës së modestisë e falënderimit.

Sot, secili do të shpërblehet për agjërimin, namazin, lutjet, leximin e Kur’anit dhe për kërkim faljet e tij gjatë muajit të ramazanit. Kaluan vuajtjet, u harruan lodhjet e vështirësitë, dhe besimtari i prirë nga besimi i tij, me një vullnet të madh dhe me një durim të pashoq, arriti të dëshmoj se ajo që fillon në emër të Allahut, përfundon po me emër të Tij dhe se me ndihmën e Tij arrihet çdo gjë. Kur është në pyetje Ai, çdo përkushtim është i vlefshëm, ndonëse secili përkushtim kërkon sakrificë, e sakrifica kërkon durim e për durim Zoti premtoi në Kur’an kur tha:

إِنَّمَا يُوَفَّى الصَّابِرُونَ أَجْرَهُم بِغَيْرِ حِسَابٍ ﴿١٠﴾

“…e durimtarëve u jepet shpërblim pa masë!”

Me durim arrihet shpërblimi dhe se ramazani është dëshmi e qartë se me durim dhe përkushtim çdo gjë është e mundur. Njëherë një student i lodhur dhe i mërzitur nga sprovat që po kalonte, mendoi se ato nuk do të mbaronin asnjëherë, andaj iu ankua shumë mësuesit të tij, e në fund ia parashtroi edhe këtë pyetje: “Si të bëj durim?”

Ndërsa mësuesi iu përgjigj: “Ashtu siç agjërojmë dhe jemi të sigurtë se ezani i akshamit patjetër do të vijë. Kur ti ke bindje se pas durimit do të ketë zgjidhje, Allahu do ta sjellë atë.”

Sot, duhet të ndjehet i gëzuar besimtari që përgjatë ramazanit i shtoi përpjekjet e tij në adhurim dhe u mundua maksimalisht në kryerjen e detyrave të tij.

Sot, më shumë se kurrë duhet të jemi falënderues ndaj Krijuesit për të mirat e Tij të panumërta. Lidhja jonë me Allahun duhet të fuqizohet akoma më tepër. Ramazani ishte dëshmi e qartë për fuqizimin e lidhjes sonë me Allahun. E këtë lidhje duhet ta mbajmë gjallë edhe pas ramazanit dhe për asnjë moment të mos e shkëputemi atë, sepse kjo lidhje na ofron më afër dhe na bën më të devotshëm. Besimi dhe puna duhet të jenë moto të besimtarit, që për asnjë çast e rast të mos ndahen prej tij. Pa besim jeta nuk ka kuptim, ndërsa punët janë indikacionet kryesore të besimit, prandaj ta ruajmë besimin e ta rrisim punën dhe angazhimin tonë.

Besimi është ushqim shpirtëror. Me besim tejkalohen barrierat dhe vështirësitë e ndryshme. Të lumtur janë ata që besuan Allahun dhe jetën e tyre e kalojnë sipas urdhrave dhe dispozitave hyjnore:

وَالَّذِينَ آمَنُوا بِاللَّـهِ وَرُسُلِهِ أُولَـٰئِكَ هُمُ الصِّدِّيقُونَ

“Ata që besuan Allahun dhe të dërguarin e Tij, ata janë të sinqertit…”

Besimi duhet të reflektojë në jetën tonë, ai duhet të lë gjurmë të pashlyera në zemrat, fjalët dhe punët tona. Zatën, punët janë ato që i japin vlerë besimit. Allahu kur përmend besimin, thuajse gjithnjë ia shoqëron edhe punët, me qëllim që të mos mendojë dikush se mjafton besimi vetëm me zemër.

Allahu i Madhëruar thotë:

وَالَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ أُولَـٰئِكَ أَصْحَابُ الْجَنَّةِ ۖ هُمْ فِيهَا خَالِدُونَ ﴿٨٢﴾

“E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, ata janë banues të Xhennetit, aty janë përgjithmonë.”

Veprat janë ato të cilat e ngrisin njeriun deri në piedestalin më të lartë. Besimtari duhet të garojë në punë të mira dhe të dobishme, dhe të ruhet maksimalisht nga mëkatet dhe gabimet. Kur ai e beson Allahun ashtu siç kërkohet, atëherë Allahu do ta drejtojë dhe udhëzojë zemrën e tij, ashtu siç tha Ai në Kur’anin Famëlartë:

وَمَن يُؤْمِن بِاللَّـهِ يَهْدِ قَلْبَهُ ۚ وَاللَّـهُ بِكُلِّ شَيْءٍ عَلِيمٌ ﴿١١﴾

“…e kush i beson Allahut, Ai ia udhëzon zemrën e tij; Allahu është i gjithdijshëm për çdo send.”

Krahas besimit, ti shtojmë lutjet tona, sepse lutja është arma e besimtarit. Allahu përherë na inkurajon që t’i drejtohemi Atij me lutje, ngase mes neve dhe Atij nuk ka ndërmjetës dhe lutja nuk ka nevojë për palë tjetër. Ai tha në Kur’an:

وَقَالَ رَبُّكُمُ ادْعُونِي أَسْتَجِبْ لَكُمْ

“Zoti juaj ka thënë: “Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem…”

Zhduket çdo brengë dhe fshihet çdo frikë kur besimtari lexon këto fjalë:

وَإِذَا سَأَلَكَ عِبَادِي عَنِّي فَإِنِّي قَرِيبٌ ۖ أُجِيبُ دَعْوَةَ الدَّاعِ إِذَا دَعَانِ

“E kur robërit e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet…”

Lodhesh nga dertet e jetës dhe dërrmohesh nga fatkeqësitë e saj deri në atë masë saqë mundohesh të mbështetësh diku, por rrëzohesh sepse aty ku mendove se gjen mbështetje, papritmas u largua nga ti. Ec që të gjesh strehim diku, por papritmas vëren se dyert që i mendoje të hapura gjithnjë, janë mbyllur për ty. Në atë çast bindesh se përveç Zotit, s’mund të gjesh përkrahje e mbështetje, dyert e të Cilit qëndrojnë hapur gjithnjë për ty. Ai të thërret ty me fjalët më të ëmbla:

فَإِنِّي قَرِيبٌ

“…Unë jam afër…”  

Përderisa Ai është afër teje, lute Atë, se Ai tha: “…i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet…”

Lutjet që drejtohen tek Ai, gjejnë përgjigje. Ai është shpresa që sytë tanë gjejnë kënaqësi kur përmendet emri i Tij, ndërsa zemrat tona stabilizohen kur e kujtojnë Atë. Çastet më të bukura janë ato kur robi i lutet dhe kërkon ndihmë prej Tij. Ai ka premtuar se duart që ngrihen lart duke kërkuar ndihmën e Tij, nuk i kthen të zbrazura. Sytë e përlotur ndalen e shkëlqejnë, e zemrat e shtangura qetësohen posa e kujtojnë dhe e përmendin emrin e Tij.

الَّذِينَ آمَنُوا وَتَطْمَئِنُّ قُلُوبُهُم بِذِكْرِ اللَّـهِ

“Ata që besuan dhe me të përmendur Allahun, zemrat e tyre qetësohen…”

Ai e largon pikëllimin nga zemra e lënduar, e dëbon frikën dhe e kthen sigurinë dhe se kur Ai kujtohet nga robi i Tij, këtij të fundit i qetësohet zemra e shpirti, i ndalet loti dhe i kthehet gëzimi i dikurshëm.

Të ikësh prej Tij është marrëzi, sepse gjithnjë je në shtrëngatën e Tij. T’i ankohesh dikujt tjetër për brengat tua është mashtrim, ngase askush më mirë se Ai nuk e di brengën tënde. Askush s’mund ta kuptojë zemrën dhe hallin e saj më mirë se Ai që e ka krijuar atë. Ai e di se çfarë i duhet asaj dhe çfarë është në gjendje të bartë ajo.

Ai na e largon mërzinë më shumë se ata që na përkëdhelin në momentet më të vështira. Me fjalët e Tij na bën të lumtur më shumë se të gjithë njerëzit me veprat e tyre. Kush mbështetet tek Ai, s’do të jetë kurrë i humbur, e kush kërkon ndihmë prej Tij nuk do të zhgënjehet asnjëherë. Kush shpreson tek Ai s’do të ketë kurrë keqardhje, ndërsa ai që ndalet pranë derës së Tij, kurrë s’do të jetë i braktisur, por gjithmonë Atë do ta ketë shpresë të pashuar, ndihmë të ofruar e fjalë të përgëzuar.

Kur Bilallin, myezinin e të Dërguarit të Allahut, e munduan dhe e persekutuan, ai asnjëherë nuk u gjunjëzua, por qëndroi stoik, ngase ishte i lidhur me Allahun, i vendosur dhe i pathyeshëm. Rezistenca e tij është shembull i lartë i krenarisë dhe dinjitetit. Ai nga një njeri i panjohur, u bë ikonë e durimit dhe e besimit, ku lutja e sinqertë që bëri ai, ku tha: “Zot i Ibrahimit, Jusufit, Musait, Isait e Muhamedit, jepi fund mundimeve”, gjeti përgjigje nga Zoti.

Muhamedi, paqja e Allahut qoftë mbi të, në lidhje me të tha: “Bilalli është sikur bleta, ha gjëra të ëmbla dhe të hidhura, por të gjitha i shndërron në ëmbëlsirë.”

Shembulli i Bilallit është dëshmi se sa më afër të jetë robi ndaj Zotit të tij, aq më tepër do ta shijon kënaqësinë dhe ëmbëlsinë në jetën e tij, derisa ta realizon atë që i ka premtuar Allahu.

Gjithashtu kjo është dëshmi e qartë se lidhja me Allahun dhe lutja ndaj Tij, asnjëherë nuk zhgënjen. Edhe nëse vonohet përgjigjja, ajo sigurisht se do të vijë, andaj të kemi durim, sepse nuk do të zhgënjehemi. Le të themi ashtu siç tha i Dërguari Zekerija:

وَلَمْ أَكُن بِدُعَائِكَ رَبِّ شَقِيًّا ﴿٤﴾

“e me lutjen time ndaj Teje o Zoti im, asnjëherë nuk kam qenë i dëshpëruar”.

Allahu i gjithnjë i përgjigjet nevojtarit dhe ia largon atij të keqen. I Madhërishmi në Kur’anin fisnik, tha:

أَمَّن يُجِيبُ الْمُضْطَرَّ إِذَا دَعَاهُ وَيَكْشِفُ السُّوءَ

“Allahu është Ai që i përgjigjet nevojtarit kur ai e thërret dhe ia largon të keqen…”

Ai është shumë bamirës me robërit e Tij. Mëshira e Tij i parapriu hidhërimit të Tij, e falja e Tij dominon ndaj ndëshkimit të Tij.

Ai tha: “Allahu është shumë bamirës për robërit e vet…”

U jep të mira nga se presin fare. Ua largon të këqijat saqë nuk i vërejnë fare. I furnizon më tepër se që kanë menduar dhe ua largon belatë e fatkeqësitë më tepër se që kanë kujdes ata!

Kur besimtari lexon këto fjalë:

وَرَحْمَتِي وَسِعَتْ كُلَّ شَيْءٍ

“…e mëshira Ime ka përfshirë secilin send…”

Ai përjeton kulmin e qetësisë dhe rehatisë, ngase e di se Zoti i tij është falës e bujar, që mëshira e Tij përfshiu çdo gjë.

Të nderuar besimtarë

Mos të na kalojnë ditët pa menduar për Zotin. Ekzistencën e Tij ta përjetojmë në çdo çast. Ekzistimi ynë dëshmon për ekzistimin e Tij. Zemrat tona le të jenë përherë të lidhura me Të, ngase vetëm në këtë mënyrë mund ta njohim paqen e shpirtit dhe të kemi një jetë të lumtur.

Njohja dhe bindja ndaj Tij largon shqetësimet e grumbulluara dhe pakëson problemet e krijuara. Vetëm ata që e njohin Atë mund t’i tejkalojnë sfidat dhe t’i thyejnë barrierat e shfaqura në rrugët e tyre. Të tjerët, në mungesë të besimit, i kaplon dëshpërimi e vuajtja dhe përpara pengesave, do të mbesin të dorëzuar.

E besimi në Të mbush qenien me shpresë, qetëson zemrën dhe ndez zjarrin e përmallimit ndaj takimit me Të, që me gjithë ndarjen, rënkimet e shpirtit thuajse janë të pafundme dhe etja shuhet vetëm atëherë kur individi e kupton se të qëndruarit larg Tij është mjerimi më i madh.

Kur e kupton këtë, atëherë e kupton më së miri fjalën e Musait, i cili tha:

وَعَجِلْتُ إِلَيْكَ رَبِّ لِتَرْضَىٰ

“…e unë u nguta te ti, o Zoti im, që të jeshë i kënaqur ndaj meje!”

Le të kënaqemi me atë që na është dhuruar dhe të bëhemi falënderues. Le të kërkojmë kënaqësinë e Tij dhe ta falënderojmë Atë që na dhuroi gjithë të mirat. Nëse na sprovon, le të durojmë, të mos harrojmë se pas çdo vështirësie ka lehtësim, e pas çdo mërzie ka gëzim, ashtu si pas çdo nate që ka një agim!

Për ta fituar kënaqësinë e Allahut edhe sprovat dhe vështirësitë e kanë vlerën e vet. Çfarëdo që na godet është sprovë, e sprova vjen në mënyrë që të dalë në shesh besimi, durimi dhe qëndrueshmëria jonë. Sprovat tejkalohen me durim dhe shpresë. E në çdo çast mos ta harrojmë ndihmën e Zotit, të mbështetemi tek Ai dhe të shpresojmë vetëm prej Tij. Ai na liron nga brengat, na largon vuajtjen, na dëbon pikëllimin, na e qetëson zemrën, na e kthen sigurinë e na largon frikën. Ai është e vetmja shpresë që nuk shuhet asnjëherë, përmes Tij udhëzohemi, drejtohemi me mirësinë e Tij dhe mbahemi gjallë me mëshirën e Tij.

Mos të harrojmë se mëshira e Zotit është më e gjerë se sa lodhjet dhe vështirësitë e jetës!

Përkundër vështirësive dhe sprovave që njeriu ndeshet me to në jetën e tij, ai duhet të jetë i fuqishëm si shkëmbi që edhe furtunat e mëdha, atë s’mund ta lëvizin. E fuqinë në momente të tilla e rrit besimi dhe mbështetja në fuqinë hyjnore, ku njeriu i nënshtrohet me tërë qenien e tij,  pa luhatje dhe pa hezitim.

Strehimin që e gjen robi gjatë vështirësive dhe vuajtjeve, është ushqim për shpirtin dhe ringjallje për zemrën e tij dhe sikur një melodi e bukur vajtuese nga thellësia e ndjenjave na tregon domosdoshmërinë tonë që të jemi me Zotin, posaçërisht në të tilla gjendje. Zjarrin përvëlues që sjell vuajtja e vështirësia mund të fiket vetëm me ujin e ngrohtë që sjell dashuria hyjnore, prandaj, përmes hyjnores edhe vuajtjet, kur i mbështetësh Zotit, gati nuk vërehen fare.

Pasi e kishin ndarë Jusufin nga Jakubi a.s. me disa dekada, e pas bashkimit të tyre, Allahu e dërgoi engjëllin Xhibril duke i thënë profetit Jakub a.s. këto fjalë: “A e di ti se përse të kam bashkuar me të pas shumë viteve të gjata? Xhibrili duke përcjellur mesazhin e Zotit, vazhdoi të thotë: “Të kam bashkuar sepse, kur të tjerët u bindën se ai ka vdekur ti asnjëherë s’e humbe shpresën dhe mbështetja jote te Allahu ishte e paluhatshme. Zatën Jakubi a.s. porositi bijtë e vet me këto fjalë: “O bijtë e mi, shkoni e kërkoni lajme për Jusufin dhe vëllain e tij dhe mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Shpresën në mëshirën e Allahut nuk e humb askush, përveç jobesimtarëve”.

Allahu i lajmëron robërit e Tij që të kthehen tek Ai dhe në asnjë mënyrë të mos e humbin shpresën nga mëshira e Tij, pa marrë parasysh gjendjen dhe rrethanat e tyre.

Allahu i Madhëruar thotë:

قُلْ يَا عِبَادِيَ الَّذِينَ أَسْرَفُوا عَلَىٰ أَنفُسِهِمْ لَا تَقْنَطُوا مِن رَّحْمَةِ اللَّـهِ ۚ إِنَّ اللَّـهَ يَغْفِرُ الذُّنُوبَ جَمِيعًا ۚ إِنَّهُ هُوَ الْغَفُورُ الرَّحِيمُ

Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar veten tuaj me shumë gabime, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, sepse Allahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!”

Kjo padyshim që është një thirrje fisnike nga Krijuesi i gjithësisë, që fton njerëzit të mos e humbin shpresën nga mëshira e Zotit. Ai për asnjë çast nuk ua mbyll dyert robërve të Tij, përkundrazi dyert e Tij janë të hapura gjithnjë dhe pa marrë parasysh peshën e mëkatit, Ai është falës dhe mëshirues!

Krejt në fund, lusim Allahun e Lartësuar të na begatoj me të mirat e Tij, të na pranoj të gjitha adhurimet tona që i kemi bërë, të na begatoj me Mirësitë e Tij në këtë botë dhe botën e përtejme dhe të na bëjë të dobishëm për vendin dhe shoqërinë tonë!

Duke ju falënderuar për prezencën dhe durimin tuaj, ju urojmë çdo të mirë në jetën tuaj. Wes-selamu alejkum we rahmetullahi we berekatuhu

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

Reflektime të përsosurisë islame në festën e Kurban Bajramit

HYRJE *** الحمد لله الكريم المجيد الذي أكرمنا بالدين والتوحيد، وأَسْبَغَ علينا نِعَمَه ظاه…