Prishtinë, 4 qershor 2019

Si tradicionalisht, pas përfundimit të muajit të Ramazanit, më 4 qershor 2019, në të gjitha xhamitë e Republikës së Kosovës, si në tërë botën ku jetojnë myslimanët, me gëzim e hare u kremtu përfundimi i muajit të agjërimit – Ramazanit sherif, duke falur namazin e Fitër Bajramit. Manifestimi qendror kushtuar festës së Fitër Bajramit për Kosovë u mbajt në xhaminë “Sulltan Mehmet – Fatih” në Prishtinë, ndërsa nisi me faljen e namazit të sabahut, të cilit i priu Hetem ef. Sopjani. Pas namazit të sabahut për besimtarët u dha një program me ilahi, kaside e këndim Kurani, ndërsa ligjëratën tematike kushtuar festës së Fitër Bajramit e mbajti anëtari i KRyeisë së BIRK-ut dr. Ejup Haziri, i cili në fjalën e tij përveç tjerash tha se festa Fitër Bajramit është ditë e festimit, gëzimit dhe paqes, mirëkuptimit, tolerancës dhe solidaritetit me njeri-tjetrin.

Agjërimi është një adhurim i cili e pastron ndjenjën e njeriut, e ngritë atë shpirtërisht, njëherit është edhe shëndet për organizmin.

Në çdo moment gjatë agjërimit ne i frenojmë epshet dhe dëshirat tona, dhe me sjelljen tonë vërtetojmë superioritetin e ligjit të Zotit. Kjo vetëdije mbi obligimin dhe durimin, të cilin agjërimi njëmujor e mbjell në ne, na ndihmon që të forcojmë besimin tonë. Përmbajtja dhe disiplina e ashpër gjatë këtij muaji na vendosin sy me sy me realitetin e jetës dhe na ndihmojnë të bëjmë jetën tonë edhe gjatë muajve tjerë, një jetë me nënshtrim të sinqertë ndaj dëshirës së Tij.

Agjërimi edukon shpirtin dhe kultivon ndjenjën e ibadetit që ta adhurojmë Allahun sinqerisht, si dhe të kemi durim në përballimin e vështirësive dhe sinqeritet në sjelljen tonë.”-tha Ejup Haziri
Ai më tej theksoi se po ndahemi nga sofrat e iftarit, nga gëzimi kur bënim iftar të bashkuar pranë njëri-tjetrit, ashtu siç i Dërguari i Allahut tha: “Agjëruesi ka dy gëzime, gëzohet kur bënë iftar dhe gëzohet kur do ta takon Zotin e tij.” Gëzimin e parë e kemi përjetuar të gjithë, e atëherë kur do ta takojmë Allahun e plotfuqishëm, do të jetë gëzim i pa përshkruar që do të na bëjë t’i harrojmë të gjitha vuajtjet, sfidat dhe pengesat e kësaj jete. E nuk do të ketë gëzim më të madh se sa Allahu kur t’u thotë agjëruesve: “Hyni në xhenet nga dera e Rejjanit, sepse ju agjëruat.” “Tash hani e pini shijshëm, ngase në ditët e kaluara ju e përgatitët këtë.” Na mundëso o Allah të jemi nga ky grup dhe na fal në Ditën kur do të dalim para Teje!

Namazit të Fitër Bajramit i priu drejtori i Haxhit Vedat ef. Sahiti ndërsa hytben e Bajramit e mbajti kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu, Naim ef. Tërnava, i cili edhe iu drejtua

opinionit të gjerë me mesazhin për këtë festë.

Ai tha se festat janë pjesë e pandarë e historisë së njerëzimit. Edhe në këtë ditë feste e gëzimi të festës së Fitër Bajramit falënderojmë Allahun xh.sh., me ndihmën e të Cilit arritëm ta përfundojmë agjërimin e këtij muaji të shenjtë të bekuar të Ramazanit. Përshëndetje dhe salavate më të dashurit të Allahut xh.sh., Pejgamberit tonë, Muhamedit a.s., familjes së tij të ndershme dhe shokëve të tij besnik si dhe të gjithë atyre që me krenari pasuan dhe pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

“Sot po përcjellim muajin e Ramazanit, muajin e Kuranit, muaj i cili për besimtarin Islam ka një rëndësi të madhe, ngase ishte muaji ku u kultivuan vlerat dhe virtytet më të larta shpirtërore, morale e shoqërore. Muaji ku edhe më shumë ngritëm nivelin e dashurisë ndaj Zotit xh.sh., vetëm e vetëm për ta fituar kënaqësinë e Tij, përmes një kodi të veçantë etik në të cilin dominon fuqia e vlerës dhe e parimit ndaj çfarëdo fuqie tjetër. Festa e Fiter Bajramit, troket në zemrën dhe shpirtin e besimtarit, troket në vatrat tona familjare menjëherë pas Muajit të madhërishëm të Ramazanit, periudhës së shenjtë gjatë së cilës myslimanët e devotshëm anembanë botës kanë agjëruar duke sakrifikuar duke u përpjekur të ripërtërijnë vlerat më të mira shpirtërore dhe njerëzore. Ndaj sot kemi rastin për të festuar ditën kur myslimanët i gëzohen dhe shijojnë mundësinë që ta kalojnë atë së bashku me familjarët dhe njerëzit e tyre të dashur”-tha myftiu Tërnava Ai më tej tha se kjo ditë është dita e unitetit, prandaj duhet të shfaqim unitetin në familje dhe me njerëzit e shoqërisë sonë. Mos të harrojmë se Allahu xh.sh. në Kuranin e shenjtë ka thanë: O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bamë popuj e fise që të njiheni mes vete…’’ El-Huxhurat-13.

Ai duke vlerësuar gjendjen e tanishme nëpër të cilën po kalon Kosova ku shumë të rinjë po marrin rrugën e migrimit tha se t gjithë jemi në dijeni për migrimin e vëllezërve dhe motrave tanë jashtë Kosovës, nëpër vende të ndryshme të botës, që kohëve të fundit ka filluar të jetë shumë shqetësuese. Gjendja e rëndë ekonomike si shkas kryesor i migrimit duhet të luftohet. Platforma solidarizuese që promovon Ramazani mund të jetë si formë e suksesshme e luftimit të kësaj dukurie. Kështu nëse arrijmë të kthehemi në një trup, nëse karshi tjetrit ndiejmë përgjegjësi, nëse vuajmë për tjetrin dhe gëzohemi për të, atëherë ne do të sfidojmë gjendjen e rëndë ekonomike duke luftuar çdo lloj krimi apo korrupsioni, e të angazhohemi për të mirën e vendit që është edhe amanet i të gjithë atyre që ranë dëshmorë për çlirimin e vendit.

Ai duke përfunduar mesazhin e Fitër Bajramit vlerësoi se në këto çaste të kësaj feste të Fitër Bajramit, në këtë ditë feste të rëndësishme për paqen dhe vlerat universale të shoqërisë njerëzore, në këtë ditë të madhërishme të shprehjes së besimit ndaj Zotit Krijues, ftojë për një unitetet edhe më të fortë mes nesh, për një unitet edhe më të madh politik kur është në pyetje ardhmëria e vendit tonë, e vatanit tonë, për një mirëkuptim dhe besim edhe më të madhe ndër fetare me të tjerët, të cilat janë pasuritë më të çmuara të kombit dhe të fesë tonë, dhe si të tilla, ato përbëjnë një garanci të sigurt për të ardhmen e shtetit tonë dhe brezave që do vijnë pas nesh.

Ai për fund uroi për këtë festë të madhe të Fitër Bajramit të gjithë vëllezërve e motrave tanë brenda trojeve tona etnike shqiptare por edhe në mërgatën e largët, duke e lutur Zotin që ta bëjë këtë festë gëzim për ju dhe familjet tuaja.

[srizonfbalbum id=23]

Edhe duanë e namazit të Fitër Bajramit e bëri myftiu Tërnava, pas së cilës uroi të gjithë besimtarët duke lutur Zotin që agjërimin dhe duatë e adhurimet të na i pranojë.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava priti në takim veprimtarin Selatin Novosella

Prishtinë, më 4 nëntor 2024Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnav…