Të nderuar besimtarë!

Është kënaqësi e veçantë që sot se bashku po festojmë festen e Fitër Bajramit.

S’do mend që edhe festat janë pjesë një pjesë shumë e rëndësishme e rrugëtimit tonë në këtë botë.  Do të ishte e pakuptimtë, që njeriu të kaloi tërë jetën serioz duke mos u argëtuar asnjëherë. Jetë të mbushur më lodhje e mundime, dhe asnjëherë të mos ndihet i lumtur dhe i qetë.  Mu për këtë, popujt e besimet  e ndryshme kanë edhe festat e tyre, që rezultojnë si shkak i përkujtim në ndonjë ngjarje të madhe. Në këtë rast, ne myslimanet kemi dy festa; Fitër Bajramin dhe Bajrami i Kurbanit

Festa e Fitër Bajramit ndërlidhet me përfundimin e agjërimit. Agjërimi është një ritual madhor në të cilën edukohet shpirti dhe qenia e muslimanit në përkushtim të plotë ndaj Krijuesit, forcon vullnetin e tij, duke lënë anash ushqimin, pijen dhe kënaqësitë e tij për hir të Zotit.

Derisa, festa e dytë është Bajrami i Kurbanit,  e cila ndërlidhet ngushtë me kryerje e haxhit.

Të nderuar!

Sot është një ditë feste, Dita  e Bajramit. Ditë  që mbulon me gëzim dhe hare zemrën e besimtarit, i cili përgjatë një muaji iu përkushtua më plotë sinqeritet Zotit, duke agjëruar, falur namaz, dhënë sadaka, lexim të  kuranit dhe duke bërë lutje.

Besimtari që agjëroi këtë muaj, që sapo lamë pas, përjetoi në çdo mbrëmje gëzim për ditën që kishte agjëruar, dhe ky gëzim sa vie e u shtua kur përmbylli periudhën një mujore. Kjo vije si rezultat i :

Njëra që ka të bwjw me atë që, Allahu xh.sh. ia lejoj atë që më parë e kishte të ndaluar përgjatë ditës.

Kurse tjetra: Ka të beje me suksesin dhe ndihmën që i dha Allahu atij, në mënyrë që të agjëroj këtë muaj, duke falur teravit në mënyrë të kompletuar. Allahu xh.sh. thotë:

 

قُلْ بِفَضْلِ اللّهِ وَبِرَحْمَتِهِ فَبِذَلِكَ فَلْيَفْرَحُواْ هُوَ خَيْرٌ مِّمَّا يَجْمَعُونَ

 

Thuaj: “Vetëm mirësisë së Allahut dhe mëshirës së Tij le t’i gëzohen, se është shumë më e dobishme se ajo që grumbullojnë ata”. (Junus, 58)

 

Duke mos harruar se, gëzimi kulmorë për besimtarin i është depozituarit në çastet kur do takohet me Allahun Fuqiplotë në botën e ardhshme. Pejgamberi a.s. ka thënë:

وفرحة عند لقاء ربه

“Kur të takohet  me Zotin e tij  gëzohet për agjërimin e tij.”

 

Të nderuar vëllezër e motra!

Para sa ditëve apo javëve, shpesh herë na u janë lexuar dhe interpretuar ajetet e agjërimit në kaptinën e dytë të Kuranit, kaptinën El-bekare. Ajeti 183 i kësaj kaptine na shpalos obligueshmërinë dhe synimin e agjërimit, që është arritje e pastërtisë shpirtërore. Ajeti vijues (184), tregon se janë ditë të caktuara, të cilat në një formë ecin shpejt, në akordancë më akrepat e orës dhe nuk kthehen më. Dhe vazhdon nxjerrjen e dispozita dhe rregullave se kush lirohet nga agjërimi. Ajeti i 185 i kësaj kaptine, na tregon qarte se ky Kuran u zbrit në muajin Ramazan, dhe që ky libër është udhëzues për njerëzit dhe sqarues i rrugës se drejtë.  Rithekson rregullat dhe dispozitat e agjërimit dhe përmbyllet me këto fjalë:

﴿ يُرِيدُ اللَّهُ بِكُمُ الْيُسْرَ وَلَا يُرِيدُ بِكُمُ الْعُسْرَ وَلِتُكْمِلُوا الْعِدَّةَ وَلِتُكَبِّرُوا اللَّهَ عَلَى مَا هَدَاكُمْ وَلَعَلَّكُمْ تَشْكُرُونَ ﴾

“Allahu me këtë dëshiron lehtësim dhe nuk dëshiron vështirësim për ju. Të agjëroni më vonë ditët e lëshuara që të plotësoni numrin, ta madhëroni Alahun sepse Ai u udhëzoi dhe ta falënderoni Atë.”

Zoti i Mëshirshëm nuk ka obliguar asnjë obligim, në asnjë rrethanë apo variant, e që të jetë i papërballueshëm zbatimi i tij. Rregulli hyjnorë i pakontestueshëm është “ Se Zoti do lehtësim dhe jo vështirësi” Ndaj ky Islam, kjo fe, këto dispozita e obligime, në tërësi janë mundësi dhe momente afrimi tek Zoti, që janë të mbështjellë me sakrificë e angazhime, por brendësia dhe esenca e tyre është përplot dashuri dhe kënaqësi. Vetëm ai që ka përjetuar duke praktikuar këto obligime, dinë të tregoj këtë kënaqësi shpirtërore të përjetuar, e cila kënaqësi tek një numër i madh njerëzish iu mungon për fat të keq në ditët e sotme. Nga këtu me plotë të drejtë dijetarët janë në ujdi se “ pas kryerjes së ibadeteve harrohet mundimi e lodhja, e mbetet shija e shpërblimit”.

Ajeti përmbyllet me atë “ duke madhëruar Allahun në atë që iu ka udhëzuar…” sikur donë të njofton se esenca e gëzimit në ditën e Bajramit është në gëzimin që ka robi/njeriu me raportin me Krijuesin, sepse ti gjatë Ramazanit ke përmirësuar lidhjet tuaja me Zotin, sepse ti gjatë Ramazanit iu ke kthyer Zotit Fisnik, ti qëndrove stoik në kryerjen e ibadetëve në Ramazan, ti gjatë Ramazanit kontrollove egon tënde, u kujdes për shikim tënde,  shfrytëzove drejtë kohën tënde,  ishe i dobishëm për vetveten, familjen dhe rrethin ku jeton. Krejt këto tregojnë se ky është një triumf i yti, është një arritje e madhe, është një sukses i madh për të gjithë ata besimtarë dhe ato besimtare.

Tani, sot veç kemi hy në muajin vijues, e që është muaji hënor i quajtur SHEVAL, por a do vazhdomë të kemi angazhime dhe vepra të mira sikur gjatë Ramazanit. Mos ndoshta jemi të sjellshëm vetëm gjatë Ramazanit? Apo mos valle, të jemi praktikues i obligimeve (namazit, agjërimit, urdhërim në të mirë dhe ndalim nga e keqja, respektimi i prindërve, familjes, jetimeve, të qenit produktiv për vendin dhe shoqërinë) vetëm gjatë Ramazanit? Nuk arrihet triumfi i plotë  i të qenit mysliman i mirë në kuptim e drejtë e të fjalës vetëm gjatë Ramazanit? Por siç ishim produktiv në Ramazan, duhet që edhe tani të vazhdojmë në punët e mira dhe të ndershme, duke u distancuar nga ato të ligat dhe të irituarat. Është e kuptueshme, se nuk mund të jemi të angazhuar në shtimin e ibadeteve në të njëjtin intensitet dhe nivel, por patjetër se vlera dhe pesha e obligimeve është po ajo që ka pasur farzi edhe gjatë Ramazanit. Edhe pse, kuptohet se gjatë Ramazanit shpërblimi i punës së mirë është më i shumëfishuar. Mu për këtë, është e pa tolerueshme dhe jo e drejtë ideja e të qenit musliman praktikues sezonal, musliman praktikues vetëm gjatë Ramazanit, vizitor i shtëpijave te Zotit në tokë (xhamive) vetëm në Ramazan. Në lidhje me këtë, dijetarët islam kanë përdoru një frazë “ Kush adhuron Ramazanin, ai veç shkoi (kaloi), por kush adhuron Zotin, Ai është i Gjallë dhe i Përjetshëm.”

Aq më shumë Islami porositë që të jemi të përkushtuar ndaj të mirës së Allahut xh.sh. përgjatë gjithë kohës, derisa kjo duhet të jetë më e theksuar gjatë muajt të shenjtë të Ramazanit. Kurse, të vazhduarit e përkushtimit ndaj veprës së mire edhe pas Ramazanit jep të kuptojë se, agjërimi ynë dhe lutjet tona janë të pranuara tek Allahu Fuqiplotë.

Nga këtu del këshilla se të vepruarit e mirë duhet të jetë ne vazhdimësi, edhe nëse është vepër e vogël nga këndvështrimi njerëzor. Punë e mirë dhe pa ndalur fare hiq, është ndër veprat më të përlyera tek Zoti ynë. Mu për këtë Muhamedi a.s. ka thënë:

إِنَّ أَحَبَّ الأَعْمَالِ عِنْدَ اللَّهِ أَدْوَمُهَا وَإِنْ قَلَّ

“Puna më e dashur tek Allahu, është ajo vepër e vazhdueshme qoftë edhe pak”

Prandaj, vëllezër dhe motra, të vazhdojmë së punuari vepra të mira edhe pas Ramazanit, le të jemi tutje të dobishëm për veten tonë, familjen tonë, shoqërinë dhe shtetin tonë.

Të nderuar besimtarë!

Nga ky muaj i Ramazanit dalin shumë mësime e urtësi, të cilat në një formë apo tjetër do të duhej të reflektonin tek shoqëria islame në përgjithësi dhe tek ne veçanti. Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë si shoqëri, si ymmet, por edhe si shtet të reflektojmë pozitivisht, në mënyrë që të jemi jo vetëm shikues të proceseve shoqërore, ekonomike, politike, kulturore, akademike, por të jemi edhe kontribues në këto fusha. Prandaj për të arritur nivelin e kërkuar social, kulturor, e ekonomik, pse jo edhe politikë e akademik, do të duhej që mësimet e Ramazanit të interpretohen qartë, dhe po këto mësime të implementohen me kujdes të shtuar nga të gjithë ne. Janë shumë mësime, por dëshiroj të veçoj disa nga to, të cilat kanë një rol tej të rëndësishëm në ngritjen e ymetit dhe të shtetit, në ndërtimin e mirëfilltë të shoqërisë, në hapjen e shtigjeve të suksesit, prosperitetit e të zhvillimit.

E para nga këto është KOHA – Ja koha po ec, jeta po kalon, kurse në ecim dhe shkojmë, i gjalli sot mund të jetë i vdekur nesër, kurse puna e mirë është e përjetshme. Ramazani shkoi, sikur që çdo gjë do shkoj dhe ka përfundimin e vet, Allahu xh.sh. thotë:

كُلُّ مَنْ عَلَيْهَا فَانٍ   وَيَبْقَى وَجْهُ رَبِّكَ ذُو الْجَلَالِ وَالْإِكْرَامِ

” Çdo gjë që është në të (në tokë) është zhdukur. E do të mbetet vetëm Zoti yt që është i madhëruar e i nderuar!” (Er-Rrahman, 26-27).

Zoti i Gjithëpushtetshëm kur përshkruan normën e agjërimit në kaptinën e dytë, kaptinën el-Bekare, ai fillon ajetin 184 me këto dy fjalë:

“ Ditë të caktuara….”

Po ishin ditë të caktuara, dhe çdo gjë që ka fillim, i vie edhe shpejt fundi. Prandaj, para sa javëve flisnim për agjërimin, e ja tani po flasim se çka pas Ramazanit.

Ditët, momentet, çastet e njeriut në këtë botë janë të numëruara. Ai nuk guxon që ti humb dhe zhvlerësoj ato. Koha është për të ose begati ose ndëshkim.

Ndaj, koha është begatia më e madhe që Allahu na e ka dhënë, edhe para pasurisë, familjes, pozitës, e shumë të tjera. Shfrytëzimi i kohës në mënyrë të drejtë e ngrit njeriun lartë, dhe rrjedhimisht edhe shoqërinë e ymetin tonë.

Zoti Fuqiplotë në Kuran është betuar në kohën, bile edhe në disa pjesë të saj. Nuk ka asnjë gjë në të cilën është betuar Zoti në Kuran më shumë se sa në kohën. Allahu thotë:

“ Pasha kohën! Njeriu është në humbje….”

“Pasha natën kur errësohet në tërësi. Pasha ditën kur shpaloset në tërësi.”  ( El-Lejl 1-2)

“Pasha paraditën!” (Ed- Duha, 1)

“Pasha agimin!” ( El-Fexhr, 1)

Koha është vet jeta, sepse jeta përbëhet nga orët, ditët, javët, muajit, vitet. Nëse, themi të humbim kohë, atëherë kemi humbur jetën tonë. Për këtë jetë do japim llogari për çdo minute të jetës jonë.

Këtë element shfrytëzimin e kohës gjeneratat e mëhershme e kanë trajtuar me shumë seriozitet. Të arriturat shkencore të muslimanëve të parë, janë ndërtuar në kujdesin e tyre në kohën e lirë. Kanë pasur zero tolerancë që kohën e tyre ta shpenzojnë në gjëra të kota. Mu për këtë, në fenë tonë jeta e një besimtari nuk llogaritet me muaj e vite, por me kontribut e angazhim  që bënë  në këtë jetë. Kemi shumë shembuj në historinë islame, por le te kujtojmë Sead bin Muadhi, i cili kishte pranuar Islamin ne moshën 30 vjeçar, kur kaloi në amshim në moshën 37 vjeçar. Momentin e vdekjes së tij e kanë vlerësuar banorët e qiejve dhe të tokës. Muhamedi a.s. thotë:

“ Arshi i Zotit është tronditë me vdekjen e tij, i janë hapur dyert e qiejve dhe kanë zbritur , dëshmuar në varrimin e tij 70.000 melaqe.

Ndonjëri mund të pyes, se çfarë ka bërë ai? Përgjigjja e thjeshtë, ka qenë i vëmendshëm në shfrytëzimin e kohës së lirë.

Po ashtu, nëse lexomë për njerëzit e suksesshëm në jetë, gjithnjë del se ata kanë qenë të vëmendshëm në shfrytëzimin e kohës si Imam Ebu Hanifja, Imam Neveviu, Ibn Akil, Muhasebiu, etj.

Mu për këtë këshillat e Muhamedit ndaj kohës ishin të shumta siç edhe kjo:

Ndaj dy gjërave njerëzit janë të shkujdesur, kohës së lirë dhe shëndetit”

Nga këtu, Ramazani na mësoi se si duhet pasur kujdesur në kohën e lirë, atë ta kalomë në adhurime ndaj Tij, vizita familjare, të vepruarit të dobishmes, dhe të qenit produktiv. Edhe pas ramazanit duhet të vazhdojmë që të jemi të tillë.

E dyta- Dituria

Ramazani qartë dëftoi se është muaji i leximit dhe shkencës. Rrezet e këtij muaji  reflektojnë edhe në sferën e arsimit dhe fushave shkencore. Në fakt, Ramazani, me plot të drejtë, mund të quhet muaj i iluminizmit të vërtetë, ngase Ramazani është muaji i shpalljes së librit të fundit të Allahut, Kur’anit. Në natën e Kadrit, që shumë dijetarë e pohojnë se ka qenë nata e 27 e Ramazanit, filloi shpallja e Kur’anit. Ky privilegj i madh, gjegjësisht fillimi i shpalljes së librit të fundit të Allahut për njerëzimin, i takoi Ramazanit, dhe me këtë, Ramazani me të drejtë mund të quhet simbol i dijes, arsimit, librit, lapsit, shkronjave dhe shkrimit.

Nuk është e rastësishme se pesë ajetet e para të shpallura nga ky libër sjellin imperativin hyjnorë drejtuar besimtarëve për arsimim dhe edukimin të mirëfilltë shkollor. Zoti thotë:

“Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). Lexo! Se Zoti yt është më bujari! Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me pendë. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte”. (96: 1-5)

A nuk është e çuditshme që pesë ajetet e para të shpallura përbëjnë dy herë fjalën “lexo” dhe dy herë fjalën “mësoi”?

Kjo është jehona e parë e cila e lartëson vlerën e lapsit, e çmon vlerën e diturisë dhe i shpall luftë analfabetizmit. Nuk ka më mirë se këto komponentë të mishërohen në personalitetin dhe jetën e besimtarit si individ, dhe në jetën e umetit islam si bashkësi.

Nisur nga kjo,  duhet që të gjithë ata që janë të përmbledhur brenda nocionit besimtar, musliman të reflektojnë  në ngritjen e kapaciteteve të tyre intelektuale e shkencore duke studiuar e lexuar. Duhet të jemi shpresë për umetin islam, për ngritje në aspektin arsimor dhe shkencor, për rihudhje të hapave gjigant në fusha të ndryshme shkencore, pas letargjisë shekullore që i kaploi muslimanët në  fushën e shkencës dhe arsimit.

Në Kuran fjala dituri përmendet në 660 vende. Vlera e diturisë peshohet me vlerën e adhurimeve që bëjmë ndaj Allahut të Madhërishëm. Nuk ka asnjë adhurim në Islam i cili nuk realizohet pa dituri dhe të gjitha adhurimet që bëhen pa dituri, në fakt janë të destinuara që të shkatërrojnë jetën tonë dhe në këtë mënyrë të cenojnë integritetin e zemrës sonë.

Muhamedi a.s. ishte ai që me mendjemprehtësinë e tij ndërtoi dhe udhëhiqi grupet e para të besimtarëve, duke ndërtuar aspiratat e tyre bazuar në dituri e arsim. Ai nuk u hamend në asnjë çast të inkurajoi muslimanët tw studiojnë dhe kemi shumë shembuj praktik nga jeta e tij se si i inkurajonte të rinjtë në arsim e dituri.

Ai thoshte:

“ Ai i cili e ka marrë rrugën për të kërkuar dituri, atij me të Allahu do t`ia lehtësojë rrugën për në Xhennet”,

“ Vlera e dijetarit ndaj adhuruesit është sikur vlera e Hënës ndaj yjeve të tjera”,

Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kush e dëshiron këtë botë, atëherë le të merret me dituri, e kush e dëshiron botën tjetër, atëherë lë të merret me dituri”

Andaj, në islam feja është shkencë dhe dituri, dituria dhe shkenca janë fe, që do të thotë Islami bënë bashkimin e shkencës me fenë. Prej qëllimeve kryesore të islamit është edukimi dhe arsimimi i njeriut, me fjalë tjera kompletimin e njeriut në të gjitha aspektet si në aspektin truporë ashtu edhe në atë shpirtërorë pasi që dihet se njeriu udhëhiqet prej mendjes dhe zemrës e jo prej syrit dhe veshit.

Shkencëtarët musliman të cilët ishin nxitur nga mësimet Kuranore për të studiuar, hulumtuar, iu përkushtuan jo vetëm shkencës islame, por edhe shkencës në përgjithësi. Në mes të emrave më të njohur musliman që kontribuuan në shkencë janë: Ebu Musa Xhabir Ibn Hajjan – i njohur si babai i kimisë; Abdul Melik ibn Kureib el-Esmai – konsiderohet si shkencëtari i pare musliman i cili kontribuoi ne zoologji, botanike, dhe përkujdesjen e kafshëve; Muhamed Bin Musa Al-harizmi– ishte një nga matematikanët më të mëdhenj dhe njihet si themeluesi i algjebrës.  Jakub Ibn Ishak El-Kindi – ishte një filozof, astronom, fizikanë, matematikan, dhe gjeograf; Ibni Sina si filzof, teolog, sociolog dhe mjek.

Prandaj Ramazani duhet që patjetër të reflektoj në fushën e shkencës tek besimtarët musliman,  të arsimohen, të merren me shkencën e mirëfilltë, të jenë kontribuues në fushat e ndryshme shkencore, sepse vetëm si të tillë arsyetojnë petkun e veshur në trupin e tyre të quajtur, petk musliman.

 

E treta dhe e fundit- të qëndruarit së bashku dhe të jemi bashkëpunues.

Të nderuar vëllezër!

Virtytet e fituara gjatë muajit të shenjtë si rezultat i agjërimit të mirëfilltë siç janë sinqeriteti, devotshmëria, modestia, afrimi ndaj njëri tjetrit, të qenit pranë njeri tjetrit, të qenit unik, duhet kërkuar që në vazhdimësi të na përcjellin gjatë gjithë jetës.

Ramazani na mësoi praktikisht se si duhet të jemi unik, e si të jemi pranë njeri tjetrit. Agjërimi nga këndi i unitetit e hasim dhe s’ka dyshim si vlerë kompaktësie, uniteti, e bashkimi vëllazëror. Vet Ramazani paraqet një pikëpamje unike dhe gjithëpërfshirëse me një organizim të lartë social Prandaj në Ramazan programet personale nuk vijnë në shprehje, por respektohet një program universal, i sistematizuar nga Krijuesi i njeriut dhe universit. Vet jeta është rezultat i bashkimit dhe unitetit. Kur të humbet uniteti edhe jeta shpirtërore rrezikohet. Atëherë kur humbet  solidariteti dhe dashuria  ndërvëllazërore, atëherë humbet edhe  shija e bashkësisë. Dihet qartë se tre  njësha  (1) kur shkruhen veç e veç, kanë vlerën 3, kurse nëse shkruhen pranë njëri tjetrit kanë vlerën 111.

Zoti xh.sh. thotë:

“Vërtetë Umeti-populli juaj, duhet të jetë një umet (pra i bashkuar)..” ( El-Muminune 52)

Prandaj, Islami është fe e unitetit. Është për t’u theksuar fakti se Islami është një fe e bazuar në besimin vetëm tek Zoti i Plotfuqishëm dhe i Gjithëmëshirshëm. Uniteti si term i bazuar në vizionin botëror në këndvështrimin e jetës dhe në sistemin shoqëror, presupozon bashkimin e njerëzve vëllezër dhe motra, barazi në të drejtat themelore dhe eliminimin e diskriminimit në bazë të gjuhës, ngjyrës, racës ose familjes dhe farefisit. Islami ka shfuqizuar çdo gjë që i përkiste periudhës së injorancës si p.sh.: egoizmin, brutalitetin, shtypjen dhe padrejtësinë. Në përputhje me Islamin, parimi “peshku i madh e ha të voglin” u zëvendësua me “duaje fqinjin tënd”; jeta nuk është një luftë por një proces bashkëpunimi; parimi “të tjerët duhet të punojnë ndërsa unë të rri” me fjalën “ndihmë”, “shtypja” u zëvendësua me “drejtësinë”; parimi i padrejtësisë sipas të cilit “e drejta është me të fortin” u çrrënjos dhe u vendos parimi “fuqia është me të drejtin”, “i drejti është më i fuqishmi” zuri vend dalëngadalë dhe shoqëria besoi tek e vërteta dhe drejtësia që i përkasin Krijuesit.

Andaj, të kujtojmë se çdo herë se ndihma e Zotit është me të bashkuarit, të cilët kanë qëllime fisnike, janë pranë njëri tjetrit në të mira e skamje. I Gjithëmëshirshmi ka thënë:

Bashkohuni të gjithë për fjalën e Zotit, dhe mos u përçani…”

“ Vërtetë myslimanët janë vëllezër, andaj kujdesuni dhe ruajeni vëllazërinë tuaj…..”

“ Ndihmohuni në punët e mira dhe të mbara, e jo në mëkate  dhe armiqësi..”

 

Sot më shumë se kurrë kemi nevojë që këtë reflektim të Ramazanit në veçanti, e të fesë sonë në përgjithësi të marrim me amanet që ta praktikojmë në jetën tonë të përditshme.

 

Të nderuar vëllezër!

Dëshiroj ta përmbylli  temën më një përmbledhje, që festa e Fitër Bajramit është e lidhur ngushtë me fjalën e Allahut të zbritur në tokë. Sikur kjo festë donë të kremtoj mesazhin e fundit të shpallur në rruzullin tokësor. Kjo festë e madhe fetare ka kuptime shumë dimensionale; le të kujtojmë se përgjatë Ramazanit kemi fituar dhe kultivuar një sërë virtytesh siç janë; devotshmëria, sinqeriteti, afrimi ndaj njëri tjetrit, ndjen e të qenit solidar, faljes, mëshirës, vetëbesimit etj. Mbi të gjitha, të punojmë shumë, të shfrytëzojmë kohën e lirë, të mësojmë e lexojmë dhe të jemi unik e të bashkuar. Këto vlera duhet të na shërbejnë gjatë gjithë jetës sonë në këtë botë. Por, le të kujtojmë se, nga këto vlera morale të fituar nga Ramazani nuk duhet menduar të përfitojmë vetëm ne individualisht, por ato duhet të jenë në funksion për të mirën e tërë shoqërisë dhe për mirëqenien e vendit tonë. Popujt dhe ymetet nuk krijohen me iluzione, nuk krijohen me imagjinatë, ato nuk mund të krijohen me të pavërteta. Ashtu siç duhen materialet më të forta ndërtuese për të ndërtuar një pallat të lartë dhe të fortë, po ashtu edhe popujt duhet të krijohen me moral, me ngritje të ndërgjegjes personale dhe shoqërore si dhe të arsimohen me një shkollim të drejtë dhe të mirëfilltë.

Krejt në fund lus Allahun të na pranoj adhurimet tona që kemi bërë, të na begatoj me Mirësitë e Tij në këtë botë dhe botën e ardhshme dhe të na bëjë prej atyre që kontribuojnë me punë të mira në dobi të familjes, shoqërisë, ymetit dhe vendit tonë!

 

Mr.sci. Jakup Çunaku

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

Argumentet për vlerën e natës së 15 të muajit shaban

Një ndër muajt e preferuar, të cilët i ka veçuar Allahu i Madhëruar dhe që i ka dhënë një …