Ballina Shkrime Sidromi i islamofobisë perëndimore

Sidromi i islamofobisë perëndimore

Mr. Qemajl Morina

Islami në botën bashkëkohore

“Orienti është i Zotit. Oksidenti është i Zotit. Veriu dhe Lindja pushojnë në duart e Tij”.

Nga Divani perëndimoro-lindor i Gëtes

Sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 ndaj disa qyteteve të SHBA-së, të cilat lidhen me një rrjet ekstremistësh muslimanë, po përdoren si alibi për të sulmuar Islamin dhe muslimanët në formë fushate të paparë deri më sot.

 

Ngjarjet tragjike në fjalë, sikur ishin të mirëseardhura për disa qarqe të ekstremit të djathtë në Perëndim, ishin kundër integrimit të muslimanëve në rrjedhat e shoqërive perëndimore, duke i shikuar ata si një rrezik potencial për shoqëritë e tyre. Në të njëjtën kohë u bë intensifikimi i sulmeve ndaj qeverive të ndryshme të Botës Islame, edhe ndaj atyre që konsiderohen si aleatët më të ngushtë të Perëndimit, siç është Arabia Saudite, kinse ato janë përkrahëse dhe mbështetëse të këtyre lëvizjeve islame ekstreme.

Kështu mund të thuhet lirisht se pas ngjarjeve të 11 shtatorit, islamofobia në Perëndim ka marrë përmasa dhe intensitet të ri në të gjitha drejtimet, përfshirë edhe politikën shtetërore. Përdorimi i termit “Islam ekstrem” është një përshkallëzim i islamofobisë tradicionale, sepse i jep një tingëllimë edhe më përkeqësuese termit spekulativ të deritanishëm “fundamentalizëm – islamik”.

Është vështirë të jesh muslimanë në Evropë

Sipas një sondazhi, të cilit i referohet “Observatori Evropian për Ksenofobinë dhe Racizmin”, që kohë më parë u paraqit në selinë e Komisionit Evropian në Bruksel “A kanë ndryshuar dhe në cilin drejtim, ndjenjat e banorëve të Bashkimit Evropian ndaj emigrantëve, kryesisht atyre me prejardhje muslimane, pas ngjarjeve të 11 shtatorit në Nju-Jork?” Kjo ishte përmbajtja kryesore e raportit mbi “Islamofobinë në BE pas 11 shtatorit”. Përfundimi kryesor në të cilin kanë arritur hartuesit e këtij studimi, ishte se pas sulmeve ndaj Kullave binjake, ndjenjat antiislamike janë rritur dhe forcuar në të gjitha vendet evropiane. Në mënyrë të veçantë evropianët tregohen intolerantë me ata të huaj të besimit musliman, që nuk shfaqin shenja integrimi, por jetojnë në Evropë duke ruajtur me fanatizëm zakonet e tyre fetare. Gratë me shami, si dhe ato që veshin çitjane e rroba të tjera të ngjashme, njëlloj si dhe burrat me mjekërr dhe turban, shikohen shtrembër dhe me frikë nga evropianët.

Sipas anketimeve të kryera në 15 vendet anëtare të BE-së, qëndrimet e banorëve vendës ndaj emigrantëve muslimanë që jetojnë në vendet e tyre, janë të ndryshme. Danezët janë të mendimit se muslimanët që jetojnë në vendin e tyre, duhet të njohin dhe t’i pranojnë vlerat demokratike mbi të cilat funksionon shteti. Për ta është me rëndësi që muslimanët ta dinë dhe ta pranojnë se kushtetuta vendëse ka përparësi edhe në krahasim me Kur’anin.

Nga ana tjetër, një pjesë e popullsisë holandeze e pranonte se do të ishte e kënaqur në rast se muslimanët do të dëboheshin nga vendi i tyre. Ndërsa një pjesë tjetër e popullsisë së atij vendi, Islamizmin e konsideron si rrezik për ta.

Në Britaninë e Madhe, Partia Kombëtare Britanike, një formacion ky i ri i ekstremit të djathtë, nxiti në të një valë sulmesh ndaj xhamive dhe emigrantëve muslimanë. Madje ajo shkoi aq larg, saqë deklaroi jo vetëm papajtueshmërinë e Krishterimit me Islamin, por shpalli edhe rrezikun që sipas saj kërcënonin Krishterimin shtrirja dhe përhapja e muslimanëve në Evropë.

Kjo ndjenjë e islamofobisë, e shfaqur në vendet anëtare të BE-së përveç përkeqësimit të klimës ndaj muslimanëve, po vë në rrezik jo vetëm bashkëjetesën midis vendësve dhe emigrantëve, por nga ana tjetër, ai e pengon edhe integrimin e këtyre të fundit në shoqëritë e vendeve ku jetojnë. Sipas anketimeve më të reja, ngjarjet e fundit kanë pasur si pasojë tjetër negative edhe një “riislamizëm” të të rinjve me origjinë muslimane, por që janë lindur dhe rritur në Evropë e konsiderohen brezi i dytë i muslimanëve.

Gracka e “luftës mes qytetërimeve”

Në shërbim të kësaj propagande është përdorur edhe konflikti midis qytetërimeve, tezë e lancuar në dekadën e fundit të shekullit të kaluar nga politikologu amerikan Samuel Hantington, në veçanti midis atij perëndimor të krishterë dhe atij lindor islam.

Kështu Perëndimi u perceptua si një e mirë dhe Lindja një e keqe. Termi “Perëndim” u shndërrua, edhe pa vetëdije edhe me të, në sinonim të përparimit, kulturës, lirisë dhe ndershmërisë. “Lindja”, në anën tjetër, u reduktua në një sinonim për moszhvillim, autoritarizëm, dhe non sens të shumëllojshëm. Mirëpo, këtë perceptim implicit të superioritetit perëndimor dhe inferioritetit lindor, sipas fjalëve të Vaclav Havelit, ish-kryetar i Republikës së Çekisë, është i pambrojtshëm për një afat të gjatë. Sepse asnjë territor i vetëm gjeografik dhe kulturor nuk mund të konsiderohet a priori më i mirë se ndonjë tjetër një herë e përgjithmonë, apo si çështje parimi. Për aq gjatë sa fjala “Lindja” shkakton konotacion pezhorativ dhe fjala “Perëndim” afirmativ, do të jetë tejet vështirë të ndërtohet një rend i ri botëror i bazuar në barazi mes rajoneve të ndryshme. Nuk ka gjë të keqe të jesh pjesë e Perëndimit, e as që ka ndonjë arsye të mos predikohet kjo përkatësi. Koha e dominimit të njeriut të bardhë, evropianit, amerikanit apo të krishterit ndaj tërë globit, ka marrë fund. Tashti po hyjmë në një epokë të re dhe është përgjegjësi jona të respektojmë njëri-tjetrin dhe të punojmë së bashku për të mirën e të gjithëve, konstaton ish-kryetari çek, në komentet e bëra nga kryeministri italian, Silvio Berluskoni, rreth superioritetit të civilizimit të krishterë perëndimor ndaj Islamit (Koha ditore, 3 tetor 2001).

Dialogu mes feve

Para një viti Konferenca e përgjithshme e UNESCO-s ka miratuar një dokument, ku Bashkësia Ndërkombëtare konstaton se duhen ruajtur dallimet kulturore drejt zhvillimit të njerëzimit. Që nga 11 shtatori 2001, është hapur debati edhe për raportet sekulare dhe vlerat e ndryshme fetare. Në këtë frymë ishte edhe paraqitja e kryetarit të zgjedhur në Asamblenë e UNESCO-s, Ahmet Xhelal nga Irani, para përfaqësuesve të 188 vendeve anëtare, i cili citoi “Divanin perëndimoro-lindor” të Gëtes, – pohon Klaus Hunter i Komisionit gjerman të kësaj organizate. “Dialogu ka filluar praktikisht me fjalimin e kryetarit, i cili përmendi citate nga “Divani perëndimoro-lindor. Ai kishte cituar katër qëllime:

“Orienti është i Zotit
Oksidenti është i Zotit
Veriu dhe Lindja
pushojnë në duart e Tij”.

Interesante është që dy citatet e para janë përkthyer drejt nga Kur’ani, ndërsa dy të tjerat janë pjesë e një ligjërate. Gëte ishte shumë krenar për këta rreshta”, tha ai. Hufner nënvizoi se Gëte, i cili njihte shumë mirë Kur’anin, në vitin 1814 në Vajmar kishte kërkuar që edhe protestantët të merrnin pjesë në një ceremoni lutjeje të besimtarëve të fesë islame për të kuptuar sa më mirë atë. “Panjohuritë tona po i përjetojmë shpesh sot në shkrimet e medieve, të cilat shfrytëzojnë lutjet e muslimanëve si sekuenca ilustruese, kur flasin për ndonjë kërcënim të ekstremistëve islamikë. Dhe kjo është pikërisht rruga më e gabuar. Shpjegimet, njohuria dhe edukimi janë emergjente, me synimin që të kuptojmë sa më mirë njëri-tjetrin”, nënvizoi ai. Ahmed Xhelal, deklaroi në Berlin se historia jonë është plot antagonizma dhe luftëra. “Për të ikur nga këto qëndrime, të domosdoshme janë dy ndryshime. Së pari, kalimi prej konflikit në dialog dhe gjetja e elementeve që i bashkojnë njerëzit. Duhet të shkruhen edhe histori të reja, ky synim i dialogut është në vend të parë dhe jo konfliktet. Dhe, së dyti, duhet lëvizur nga një koncept etnocentrik drejt konceptit të civilizimit kulturor, me një shoqëri të hapur për dhënien dhe pranimin e vlerave”, thotë Xhelal. Si jashtëzakonisht të rëndësishëm për nisjen e një dialogu ai konsideron aftësinë e njërit dhe tjetrit që të dëgjojnë, të komunikojnë dhe të pranojnë mendimet mes vetes. (Koha ditore, 29 nëntor, 2002)

Sindromi i islamofobisë

Ndërkohë janë botuar edhe shumë libra në Perëndim, të cilët trajtojnë Islamin dhe lëvizjet e ndryshme, secili në aspektin e vet, pas ngjarjeve të 11 shtatorit. Prej librave më të njohur dhe ekstremë, është libri “Mllefi dhe krenaria” (Phoenix, Tiranë, 2001) i intelektuales italiane Oriana Falaçi, së cilës i është kundërvënë intelektuali shqiptar Abdi Baleta në librin e tij “Shqiptarët përballë terrorizmit intelektual të Falaçit” Tiranë, 2002). Po edhe shumë libra të tjerë, disa prej të cilëve Abdi Baleta i ka përmendur në “Bota Sot” (datë 18 shkurt 2002). Prej tyre po përmendim librin “Islami ekstrem, Propaganda antiamerikane e fundamentalizmit islamik”, botuar në SHBA në vitin 2001 nga autori Adam Parfrei, i cili ka grumbulluar shumë tekste për të bindur lexuesit se “Islami ekstrem sot paraqet rrezikun më të madh në botë”. Autori i librit pastaj citon fjalët e Dr. Abdul Rrahmanit, i verbri i burgosur për pjesëmarrjen e tij në sulmin kundër Qendrës Botërore të Tregtisë në vitin 1993, i cili e ka shpjeguar termin “fundamentalizëm” “me themel”. Rrahman ka theksuar se po të jeni fundamentalistë, nuk mund të jeni ekstremistë. Kështu mediet po i shtrembërojnë gjërat”. Rrahman thënka se mediet me shtrembërime të tilla dashkan të sulmojnë e të shkatërrojnë Islamin.

Një libër tjetër i botuar në SHBA në vitin 2002 me titull “Bin Ladeni, Islami dhe lufta e re e Amerikës”; autori Asad Ebu Halil, e nis me këto fjalë: “Ky libër është shkruar me emocionin që shkakton zemërimi im ndaj atyre që po vrasin njerëz të pafajshëm në Nju-Jork, Uashington dhe Pensilvani”. Autori thotë se po shkruan për ata që nuk kanë lidhje me Lindjen e Mesme, dhe thekson: “Unë dua të rrëfehem se kam qenë shumë i pakënaqur nga cilësia e librave që janë shkruar për krizën (pas 11 shtatorit) dhe për Bin Ladenin. Në kapitullin e parë të librit të titulluar “Islamofobia”, autori bën vlerësimin: “Shfaqjet e islamofobisë janë shtuar qysh prej 11 shtatorit”. Në këtë kapitull Asad Ebu Halil thekson se pas këtyre ngjarjeve Administrata Amerikane ka thirrur nga pensioni specialistin më të madh të çështjeve islame dhe të Lindjes së Mesme, Bernar Luis, i cili me një mllef antiislam i këshilloi të merren masat më të rrepta kundër Islamit. Sipas Asadit, Bernar Luis është babai i vërtetë i teorisë së Samuel Hantigtonit për përplasjet e qytetërimeve, sepse Hantigtoni paska qenë i frymëzuar nga studimet e Luisit për Botën Islame kur formuloi tezën e tij për përplasjen e qytetërimeve. Ai paska pasur në mendje në radhë të parë armiqësitë midis qytetërimit perëndimor dhe atij islam. Është fakt se teoria e Hantigtonit ka përgatitur pikërisht këtë përplasje midis qytetërimit perëndimor dhe atij islam, që vihet re tani. Abu Halil në librin e tij shpjegon se në Perëndim prej kohësh vepron një psikologji e veçantë, që çdo gjë e papranueshme që ndodh në Botën Islame, të lidhet me ndikimin e fesë islame e të Kur’anit. Bernar Luis mbështet teorinë se Islami nuk ka ndryshuar qysh nga fillimet e tij. Abu Halil përmend se në Perëndim e trajto

jnë si fakt shumë të dyshimtë që gjatë luftës në Gjirin Persik para dymbëdhjetë vjetësh, Kur’ani u bë libri më i shitur.

Një libër tjetër, që është plot urrejtje kundër Islamit dhe muslimanëve, është i autorit francez Aleksander del Vale me titullin: “Islamizmi dhe SHBA, një aleancë kundër Evropës”, botuar në vitin 1997. Autori në parathënien e re të librit në komentin e tij për Islamin përdor gjerësisht termin “fashizmi i gjelbër” (që e ka përdorur edhe politikologu i njohur amerikan Fransis Fukujama. Aleksandër del Vale lëshon psherëtimën qortuese se uniteti i qytetërimit evroperëndimor përballë totalitarizmit islamik duhej bërë para ngjarjeve në Manheten më 11 shtator 2001. Në të njëjtën kohë ai akuzon rëndë SHBA-në që ishte gati të bënte aleancë dhe me djallin që të rrethonte bllokun ruso-ortodoks, si e tregoi sipas tij “lufta në Kosovë”, që për Del Valën ishte “një luftë e re e Krimesë (më 1856 Evropa luftoi kundër Rusisë – AB) dhe pika kulmore e strategjisë amerikane për të krijuar rrethin e gjelbër kundër Botës sllavo-ortodokse.

Fushata kundër Islamit është tentim i vetëdijshëm dhe i menduar i sistemit ekzistues botëror se si ta diskreditojnë sistemin universal, i cili paraqitet si alternativë civilizuese e sekularizmit perëndimor. Kjo është përpjekje që të rrënohet lëvizja historike, e cila, siç e pranojnë kritikët e saj, ka potencial të bëhet fuqi botërore.

Fronti më i sofistikuar për sulm ndaj Islamit, janë mediet. Mediet perëndimore anojnë nga nivelizimi i pikëpamjes shumë tolerante dhe humane të Islamit me fanatizmin fetar dhe përpiqen që dhunën fetare ta njejtësojnë me sjelljet dhe marrëdhëniet krejt të tjera të grupeve islame.

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

Reflektime të përsosurisë islame në festën e Kurban Bajramit

HYRJE *** الحمد لله الكريم المجيد الذي أكرمنا بالدين والتوحيد، وأَسْبَغَ علينا نِعَمَه ظاه…