Ballina Intervista Në BIK s’ka luftë për pushtet

Në BIK s’ka luftë për pushtet

10.09.2013
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka deklaruar se brenda Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) nuk janë punët keq, pavarësisht zërave në opinionin publik të cilët flasin për një situatë jo të këndshme në këtë institucion fetar.
Tërnava në këtë intervistë ekskluzive për “Epokën e re” ka thënë se në BIK nuk është duke u zhvilluar një “luftë” për pushtet. “Në BIK nuk ka asnjë luftë. Ka të interesuar që bëjnë zhurmë nëpër medie e portale të ndryshme, nga ca individë që i kanë dhënë vetes një mision që me shpifje e akuza ta komprometojnë BIK-un dhe udhëheqësit e saj”, është shprehur Tërnava. Në këtë kontekst, myftiu Tërnava e ka akuzuar drejtpërdrejt ish-kryetarin e Kuvendit të BIK-ut, Xhabir Hamitin, për mospunë, përçarje dhe shpifje. “Z. Hamiti ka qenë në pozita të rëndësishme në BIK. Ai nuk ka sjellë reforma e klimë pune, por ka sjellë përçarje, përplasje, gjuhë të urrejtjes dhe është marrë me shpifje e intriga. Pra, e vërteta është se z. Hamiti ka probleme me vetveten”, ka thënë Tërnava, i cili është shprehur i habitur me disa medie të cilat kanë plasuar lajme të pavërteta për BIK-un. “Është e habitshme se si mediet tona i marrin të gatshme ato që thonë ata që shpifin, pa u ndalur as edhe një herë ta vërtetojnë besueshmërinë e tyre”, është shprehur myftiu Tërnava. Duke iu referuar ndryshimit të Kushtetutës së BIK-ut, Tërnava ka mohuar kategorikisht se ndryshimet janë bërë që t’i mundësohet rikandidimi për ta udhëhequr edhe një mandat këtë institucion fetar. “Ndryshimi i Kushtetutës së BIK-ut nuk lidhet me emrat e individëve, as me emrin tim. Ata që u munduan ta bllokojnë Kuvendin, t’i shantazhojnë e t’i ofendojnë delegatët kanë disa llogari të tyre që s’i merr kush vesh, pos mendjet e tyre”, ka thënë Tërnava.
 
“Epoka e re”: Myfti Tërnava, çfarë është duke ndodhur këtyre ditëve në Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK)?
Tërnava: Fillimisht ju falënderoj për interesimin, por në fillim më duhet të them se në BIK këtyre ditëve gjithçka është në suaza të normales, punohet normalisht në të gjitha instancat, që nga xhamitë e deri në Kryesinë e BIK-ut, pastaj në medresetë dhe në FSI. Me pak fjalë, kjo është gjendja në BIK ndërsa, siç është e njohur edhe për ju, ditë më parë Kuvendi i BIK-ut ka pasuar dy mbledhje, vendimet e të cilit tashmë janë bërë publike.
 
“Epoka e re”: Në opinion është krijuar bindja se në BIK është duke u zhvilluar “luftë” për pushtet?
Tërnava: Në BIK nuk ka asnjë luftë, por ka të interesuar që bëjnë zhurmë nëpër medie e portale të ndryshme, nga ca individë që i kanë dhënë vetes një mision që me shpifje e akuza ta komprometojnë BIK-un dhe udhëheqësit e saj. Është e vërtetë se në BIK do të ketë zgjedhje për Kuvendin e BIK-ut si organi më i lartë dhe për myftiun, por zgjedhjet ende nuk janë shpallur. Duhet pritur vendimin për shpalljen e zgjedhjeve dhe respektimin e proceduarave për t’u zgjedhur në këto poste.
 
“Epoka e re”: I madh e i vogël gjatë këtyre ditëve janë marrë me BIK-un. Pse?
Tërnava: Nuk do të kisha thënë kështu, sepse nuk është kështu. Ky është perceptim i gabuar. E vërteta është se me BIK-un është marrë një grup i vogël i orkestruar nga dyshja Hamiti – Behrami, të cilët kanë rekrutuar edhe nja 5 a 6 punonjës tanë me të cilët kanë ngritur një fushatë denigruese kundër institucionit të BIK-ut. Mirëpo, më lejoni të them se fushata e tyre është pa përmbajtje dhe mbështetet në akuza të pabaza, në sajesa dhe në thashetheme për motive të ulëta e karrieriste. Me këtë fushatë ata kanë arritur ta vënë në lajthitje një pjesë të opinionit dhe disa institucione e, aty-këtu, edhe ndonjë publicist a analist. Dua të besoj se disa nga opinionistët dhe analistët, me keqardhje më duhet të them, janë dëshmuar se nuk e njohin për së afërmi BIK-un dhe i kanë marrë si të vërteta ato që i sajon grupi në fjalë, pa u interesuar për të vërtetën dhe pa u informuar edhe nga pala tjetër, në këtë rast nga zyrtarët e BIK-ut. Është e habitshme se si mediet tona i marrin të gatshme ato që thonë ata që shpifin, pa u ndalur as edhe një herë ta vërtetojnë besueshmërinë e tyre. Nga këtu ju them t’i shikoni xhamitë, këshillat e BIK-ut, shikoni institucionet e BIK-ut se sa kanë përkrahje e mbështetje ata që bëjnë zhurmë në medie, shikoni dhe binduni vetë se në BIK dhe në institucionet e saj punohet e veprohet normalisht.
 
“Epoka e re”: Pra, në Bashkësinë Islame të Kosovës nuk qenkan punët keq?!
Tërnava: Në BIK nuk janë punët keq. Keq i kanë punët disa individë të cilët ambiciet e tyre përpiqen t’i paraqesin si probleme të BIK-ut. Në BIK gjithçka është në suaza të normales. Këtë mund ta verifikoni vetë dhe kushdo që është i interesuar.
 
“Epoka e re”: E konsideroni demokratike shkarkimin e Xhabir Hamitit nga pozita e kryetarit të Kuvendit të BIK-ut?
Tërnava: Shikoni, kam thënë edhe në një medie, unë i respektoj forumet dhe institucionet. Nëse ka qenë e ligjshme dhe demokratike zgjedhja e Hamiti nga Kuvendi i BIK-ut për kryetar, pse nuk është e ligjshme, kushtuese dhe demokratike edhe shkarkimi, nëse kështu e shohin të udhës dhe të arsyeshme delegatët e këtij kuvendi?! Ata delegatë që e kanë zgjedhuar, ata edhe e kanë shkarkuar. Po të njëjtit. Sipas logjikës së z. Hamiti, atëherë kur delegatët e zgjodhën kryetar, ata paskan qenë të mirë dhe paskan vepruar drejt, kurse kur sot e kanë shkarkuar, paskan vepruar gabim dhe paskan bërë keq! Por, jo, janë veprimet e vet z. Hamiti ato që e kanë shkarkuar ose, më drejt, janë këto veprime që i kanë detyruar delegatët e Kuvendit të BIK-ut në mënyrë pothuajse absolute për ta shkarkuar dhe për të marrë një vendim të tillë. 
 
Hamiti nuk ka platformë konkurruese 
 
“Epoka e re”:Pse Hamiti është kritik ndaj punës suaj të deritashme në BIK? Ka diçka personale mes jush dhe Hamitit?
Tërnava: Z. Hamiti nuk është kritik fare në punën tonë, ngase ai s’ka ndonjë platformë konkurruese, por ai tërë kohën është marrë me shantazhe e sajesa të paqena. A keni parë ndonjë ide alternative që ka dhënë për ndonjë çështje?! Gjithherë ka përdorur një retorikë shterpë, për gjoja do reforma, për një rrezik nga ekstremizmi etj., që nuk janë fare të vërteta, por janë pjesë e një fushate të pandershme për qëllime karrieriste. Po them edhe një herë, se z. Hamiti ka qenë në pozita të rëndësishme në BIK. Ai nuk ka sjellë reforma e klimë pune, por ka sjellë përçarje, përplasje, gjuhë të urrejtjes, është marrë me shpifje e intriga. Pra, e vërteta është se z. Hamiti ka probleme me vetveten.
 
“Epoka e re”: Cila është arsyeja e ndryshimit të Kushtetutës së BIK-ut? Kushtetuta e mëhershme tregonte qartë se i njëjti individ mund të zgjedhet për kryetar të BIK-ut vetëm për dy mandate?
Tërnava: Ndryshimet në Kushtetutën e BIK-ut kanë nisur në 2010-n si nevojë e domosdoshme. Për këtë qëllim, Kuvendi i BIK-ut ka formuar një komision, ku ka qenë pjesë edhe vetë z. Hamiti. Komisioni ka vepruar në bazë të kompetencave që ia jep Kushtetuta, ka përgatitur draftin, ka organizuar dëgjimin publik në të gjithë këshillat vendore dhe institucionet e BIK-ut, ka marrë vërejtjet e sugjerimet, në fund e ka dërguar në Kuvendin e BIK-ut draftin për ndryshme. Z. Hamiti, edhe pse ka qenë pjesë e këtij komisioni për tre vjet, nuk ka pranuar të futet drafti në rend të ditës në Kuvendin e BIK-ut. Kjo është e vërteta që mund ta verifikoni në çdo kohë.
 
“Epoka e re”:Në opinion është krijuar bindja se ndryshimet kushtetuese kanë ndodhur për t’jua mundësuar edhe një mandat në krye të BIK-ut?
Tërnava: Ndryshimi i Kushtetutës së BIK-ut nuk lidhet me emrat e individëve, as me emrin tim. Ata që u munduan ta bllokojnë Kuvendin, t’i shantazhojnë e t’i ofendojnë delegatët kanë disa llogari të tyre që s’i merr kush vesh, pos mendjet e tyre.
 
“Epoka e re”: Kur do të zgjidhet kryetari i ri i BIK-ut?
Tërnava: Data nuk është caktuar. Ajo shpallet nga kryesia. Besoj se brenda këtij viti të mbahen zgjedhjet dhe do të zgjidhen edhe kryetari dhe kryesia.
 
“Epoka e re”: Do ta keni vështirë të zgjidheni kryetar i BIK-ut përballë z. Hamiti?
Tërnava: Nuk varet nga unë e as nga z. Hamiti, por nga Trupi Zgjedhor i BIK-ut. Nëse i hyj garës do ta kërkoj besimin nga të punësuarit në BIK, nga institucionet e BIK-ut dhe nga Trupi Zgjedhor. Ata vlerësojnë më së miri. Do ta njoh çdo vendim të tyre. Do ta respektoj çdo vendim të Trupit Zgjedhor. I inkurajoj të gjithë ata që i plotësojnë kushtet, ta sprovojnë veten, por të sprovohen para institucioneve kompetente, ta sprovojnë veten me vlera dhe me programe, jo me intriga, shpifje e me fushata denigruese në media e portale.
 
Deklarimet e Shwarcit janë të pabaza
 
“Epoka e re”: Studiuesi Stephen Sylejman Schwartz ju ka quajtur diktator. Cili është komenti juaj ndaj kësaj deklarate?
Tërnava: Shihni, nuk është hera e parë që Shwarci merret me ne. Kjo është e drejtë e tij të mendojë si të dojë, por ai nuk ka asnjë të drejtë të vë në lajthitje, të dezinformojë e të spekulojë pa asnjë bazë. Deklarimet e Shwarcit janë të pabaza, janë spekulime qëllimkëqija për interesa të një grupi individësh që ai i ka për zemër. Shwarcit, Zoti ia ruajt miqtë e tij, që me shpifje e sajesa duan të vijnë në krye të BIK-ut! Ama një gjë duhet ditur, që Shwarcit, unë si individ, si myfti, pastaj Bashkësia Islame dhe Kosova nuk ia kemi borxh të shpifë me paturpësi, as nuk ia kemi borxh ta dezinformojë opinionin kosovar me gjëra të paqena. Në të gjitha fetë hyjnore shpifja është e dënueshme, kurse nga aspekti njerëzor ajo është e pamoralshme, johumane dhe penalisht e dënueshme. Të akuzosh, të spekulosh e t’i linçosh njerëzit për ca motive karrieriste e meskine, është stalinizëm dhe diktaturë. Prandaj, i qoftë për nder ky titull Shwarcit, i cili edhe ashtu e ka dashur me shpirt dhe ka qenë ithtar i marksizmit e i stalinizmit, i njeh dhe i zbaton metodat staliniste. Vaj halli, po e theksoj përsëri, vaj halli për Bashkësinë Islame të Kosovës nëse fatin e saj e qanë dikush si puna e Shwarcit, i cili asnjëherë nuk ka qenë i interesuar ta dijë të vërtetën për BIK-un, por është shërbyer vetëm me gënjeshtrat dhe mualifët e miqve të tij, e që nuk dihet se kush kënd e manipulon Shwarci Hamitin, apo Hamiti Shwarcin. Thash edhe më herët, po e përsëris, se jo vetëm Shwarci, po edhe çdokush tjetër që është i interesuar mund të vijë në institucionin e BIK-ut dhe ta mësojë të vërtetën dhe të dijë gjithçka i intereson lidhur me këtë institucion. Ne nuk mund t’ia japim këtë kënaqësi Shwarcit dhe të mos i mbrojmë besimtarët tanë nga këto gënjeshtra e shpifje të ulëta të Shwarcit & Co në Prishtinë, sepse këtë e kemi obligim fetar e kushtetues, e kemi amanet. Prandaj akuzave të Shwarcit që po e bën rolin e avokatit të Hamitit do t’i përgjigjemi në mënyrë meritore dhe opinioni i gjerë do ta shohë se kush është ky person dhe cila është e vërteta.
 
(Lirim GECI) -Gazeta ditore “Epoka e Re”
Shfaq më shumë artikuj të ngjashëm
Shfaq më shumë në Intervista

Shfleto

Tërnava: Nuk kemi gjak të njomë për të ujitur shkretëtirat e arabëve

Arton Konushevci10.03.2015 “Nuk besoj që shkaqet ekonomike kanë ndikuar qoftë edhe t…