Naim ef. Tërnava
Myfti i Kosovës
I nderuari Kryetari KMSH- z. Skender Bruçaj,
I nderuari Reis i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, z. Sulejman Rexhepi
Të nderuar profesorë, studiues, imamë, studentë
Të nderuar dashamirë të fjalës së shkruar
Të nderuar të pranishëm!

Kam nderin e veçantë që në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saja dhe në emrin tim,  t’ju falënderoj për praninë tuaj sonte në këtë manifestim promovues kushtuar revistës “Zani i Naltë”, e cila vjen tek ne e ribotuar pas 90 vjetësh si një sihariq i mirë dhe si një dhuratë e shtrenjtë për atë që shkruan e bënë ulematë tanë në fillimet e organizimit dhe themelimit të institucioneve të Komunitetit Mysliman Shqiptar, në kapërcyell të dekadës së parë të krijimit të shtetit shqiptar.

Të nderuar pjesëmarrës!
Themelimi i revistës “Zani i Naltë” është një nga vendimet më madhore intelektuale të Kongresit Myslimanin Shqiptar, i cili, përveç kësaj, nxori edhe vendime të tjera që u bënë themel i fortë dhe i qëndrueshëm në zhvillimin e jetës fetare, arsimore e kulturore të vendit. 
Së këndjemi, “Zani i Naltë” është revista e parë zyrtare e Komunitetit Mysliman Shqiptar në gjuhën shqipe, e cila doli falë punës, angazhimit e vizionit të ulemave shqiptarë, para së gjithash të Haxhi Vehbi Dibrës dhe gjithë bashkëmenditarëve të tij, që vunë vulën e tyre në ngritjen e themeleve të institucioneve të Komunitet Mysliman Shqiptar.
Misioni i revistës “Zani i Naltë” ishte hapja e rrugës dhe krijimi i hapësirës së duhur për emancipimin, përparimin dhe edukimin e drejtë e të duhur të masës së gjerë. E konceptuar si revistë fetare islame, ajo këtë mision madhor e kreu me sukses. Mirëpo, ajo nuk ngeli në kuadër të një reviste thjeshtë fetare, por shumë shpejt “Zani i Naltë” u shndërrua në një tribunë të mendimit fetar, filozofik, kulturo e atdhetar, ku rreth vetës mblodhi penat më të njohura të kohës, të cilët përmes faqeve të kësaj reviste, u ofruan lexuesve kontribute nga disiplinat fetare islame dhe artikuj e studime të ndryshme me karakter filozofik, shkencor, historik, shoqëror, arsimor e kulturor, që i dhanë vlerë dhe e shquan këtë revistë nga të tjerat.
Revista “Zani i Naltë” kësaj fryme i mbeti besnikë gjatë gjithë misionit të suksesshëm të saj për plot 16 vjet. Ajo mbeti model i fjalës së shkruar islame në gjuhën shqipe, ajo nxori dhe rriti shumë pena të spikatura që lanë gjurmët e tyre jo vetëm në letrat islame në gjuhën shqipe, por ajo promovoi edhe personalitete të cilët më vonë do t’i gjejmë në krye të institucioneve të ndryshme  fetare e shtetërore. Për gjithë këto rezultate, një meritë të pakontestueshme e kanë të gjithë ata që në një mënyrë a në një tjetër kontribuuan për  themelimin, botimin, mbajtjen, financimin dhe projektimin e fizionomisë së revistës “Zani i Naltë”, e në veçanti  këtë meritë e kanë drejtuesit e revistës, Ismail Maçi, Shyqyri Myftiu, Isa Domni, Haki Sharofi, etj.
Sot, me ribotimin dhe leximin e vëllimit të parë të “Zanit të Naltë”, ku janë përfshirë numrat e tri viteve të parë të kësaj reviste, lexuesi e ka shumë të lehtë të kuptoj se ç’urtësi, filozofi, vizion, përkushtim, dashuri për Zotin e Pejgamberin, atdhedashuri e respekt për tjetrin, i ka veçuar këta dijetarë dhe njerëz të mirë. 

Të nderuar të pranishëm!
Meqenëse për vlerat dhe rëndësinë që ka luajtur dhe luan sot revista “Zani i Naltë” si një burim i mirë informacionesh për kohën, kanë folur dhe kanë dhënë vlerësimet e tyre studiues të fushave të ndryshme, unë nuk e  shoh të udhës të zgjatëm më shumë në këtë drejtim. Por, më lejoni që, më këtë rast, të shpreh konsideratën time dhe të përgëzoj Komunitetin Mysliman Shqiptar për nismën që ka marrë për të ribotuar në tërësi Revistën “Zani i Naltë” që ka dalë në qarkun kohor ndërmjet viteve 1923-1939.
Uroj nga zemra dhe shpreh mbështetjen dhe përkrahjen time dhe të Bashkësisë Islame të Kosovës që ky projekt sa më parë të realizohet në tërësi dhe kështu ta kemi të kompletuar Kolonën e “Zanit të Naltë” dhe ta promovojmë atë, ashtu sikurse e kemi dhe po e promovojmë sot vëllimin e parë.
Fundja, këtë e kemi detyrë ndaj të parëve tanë dhe përgjegjësi ndaj brezave që do të vinë. Njohja, respektimi dhe studimi në mënyrë meritore dhe objektive i trashëgimisë tonë, është obligimi ynë, sepse vetëm duke njohur të kaluarën mund të ndërtojmë të ardhmen dhe perspektivën.

Të nderuar të pranishëm!
Manifestimi i sotëm kushtuar “Zanit të Naltë” merr peshë dhe rëndësi edhe më të madhe ngase bëhet në vigjilje të dy përvjetorëve të rëndësishëm për popullin dhe trojet tona: Në Përvjetorin e Kongresit të Alfabetit në Manastir dhe në vigjilje të festës gjithëkombëtare 28 nëntorit, ngjarje këto, për të cilat dhanë shuam mund dhe sakrificë dhe patën rol përcaktues edhe ulemaja shqiptare, kurse “Zani i Naltë”, në të vërtetë, u bë zëdhënës besnikë i jetësimit dhe zbatimit të vendimeve të këtyre dy ngjarjeve madhore në historinë e popullit shqiptar.
Dhe fare në fund, më lejoni të përgëzoj Komunitetin Mysliman Shqiptar, gjithashtu, edhe për një iniciativë tjetër, për nxjerrjen e revistës së re duke ripërtërirë emrin e madh të “Zanit të Naltë”. Qoftë e lartë dhe e përhershme jehona e revistës “Zani i Naltë”!
Lus Allahun e Madhërishëm që për këso vepra të mira të tubohemi sa më shpesh!
Ju faleminderit!
(Fjala përshëndetëse e Myftiut në përurimin e Vëllimit të parë të ribotimit të revistës “Zani i Naltë”, Prishtinë 24 nëntor 2014)

Shfaq më shumë në Fjalime

Shfleto

Fjala e Myftiut Naim ef. Tërnava në promovimin e tri veprave të tij

I nderuari reis i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir ef. Fetahu, I n…