(Hytbe, kushtuar kërkesës së Bashkësisë Islame të Kosovës për aplikimin e lëndës “Edukata fetare” në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës)
26.qershor 2009
Të nderuar vëllezër besimtarë!

Allahu i Madhërishëm në Kur’anin famëlartë thotë:
O ju që besuat, ruane veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëj të rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruara.” (Et-Tahrimë, 6)
Ndërsa i Dërguari i Allahut, paqja dhe Mëshira e Tij qoftë mbi të thotë:
Çdo njëri prej jush është bari dhe çdo njëri prej jush është përgjegjës për tufën e tij. Imami (prijësi) është bari dhe është përgjegjës për tufën e tij. Burri është bari në familjen e vet dhe përgjegjës për tufën e tij, gruaja në shtëpinë e bashkëshortit të vet është përgjegjëse për tufën e saj. Shërbëtori është bari në kapitalin e zotërisë të vet dhe është përgjegjës për tufën e tij, ndaj, të gjithë jeni barinj dhe të gjithë jeni përgjegjës për tufat tuaj”. (Transmetuan Buhariu, Muslimi dhe tjerët).

Hytbja e sotme do t’i dedikohet kryesisht kërkesës së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, në lidhje me aplikimin e lëndës “Edukata Fetare” në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës.
Njeriu është qenia më fisnike në fytyrën e Tokës, të cilit Allahu xh.sh. ia ka besuar mëkëmbësinë në të, që atë ta ndërtojë e ta zhvillojë, sipas një Programi të përcaktuar hyjnor. Prandaj, detyrë e jona është që këtë mëkëmbësi ta arsyetojmë me vepra ndaj të cilave Allahu është i kënaqur. E një ndër veprat, për të cilat nesër do të japim përgjegjësi dhe llogari para Krijuesit është edhe edukimi i familjeve dhe fëmijëve tanë, sipas parimeve të Kur’anit dhe Sunetit, duke u përpjekur që ta rrisim një gjeneratë të shëndoshë, të cilët nesër do të jenë e ardhmja jonë e ndritshme.
Ne jemi të vetëdijshëm se vetë Jeta e njeriut është një vlerë e shtrenjtë dhe e çmueshme. Ajo është një dhunti nga ana e Allahut të Plotfuqishëm, të cilën secili prej nesh duhet ta kultivojë e ta fisnikërojë me vepra të mira, të dobishme e të pëlqyeshme.
Gjatë shtegtimit të tij në këtë botë, njeriu si krijesë me intelekt dhe i pajisur me të gjitha veçoritë që e dallojnë nga krijesat e tjera, ka nevojë për një PROGRAM HYJNOR, i cili do t’i mundësonte dhe do t’i ndihmonte që t’i përballonte me sukses të gjitha sfidat e jetës. E ky program i përkryer hyjnor është feja islame, e cila padrejtësisht ende po injorohet në këto hapësira, në forma të ndryshme.
Feja islame nuk erdhi që ta tjetërsojë njeriun por që ta udhëheqë atë drejt një qëllimi të caktuar. Jo për ta ulur, por për ta ngritur natyrën e tij morale.
Feja islame i bashkon lidhjet dhe komplekset psikologjike të njeriut, i sublimon instinktet dhe aspiratat e tij. Nëpërmjet saj njeriu mëson sekretet e jetës, natyrën që e rrethon, mëson të dallojë të mirën nga e keqja, e pastron mendjen e tij nga dyshimet, e forcon karakterin e tij dhe i korrigjon mendimet dhe bindjet e tij. Lidhja e vërtetë shpirtërore me Zotin, atë e edukon që të ketë shpresë e durim, siguri dhe prehje shpirtërore.
Duke u nisur nga këto premisa, për rëndësinë dhe rolin e fesë në jetën e njeriut, jemi të bindur se aplikimi i edukatës fetare në sistemin arsimor të Kosovës, jo vetëm që nuk do të pengonte ecurinë e suksesshme të edukimit, përkundrazi do të ishte një shtytës pozitiv drejt sukseseve në formimin e gjeneratave të shëndosha edhe intelektualisht.
Ne duhet ta kuptojmë se njeriu përherë ka nevojë për ushqim shpirtëror. Ai pa fe është një krijesë gjysmake dhe e varfër.
Besimi në Zotin ka qenë vazhdimisht i vetmi burim virtytesh e vlerash shpirtërore, moralo-etike sepse jeta religjioze është forma më e lartë dhe shprehja më kuptimplote e jetës së tërësishme kolektive.
Meqenëse edukimi i shpirtit është gurthemel i edukimit në tërësi, mendojmë se është koha e fundit që konceptet ateiste, të cilat padrejtësisht anatemuan udhëzimet hyjnore për më tepër se një gjysmë shekulli në hapësirat tona shqiptare, e fatkeqësisht po vazhdojnë edhe sot, pa ndonjë ndryshim edhe në këto 12-13 vjetët e fundit, të ndryshohen dhe realiteti të shihet në dritën e fakteve dhe argumenteve të shëndosha.
Të vetëdijshëm se po jetojmë në një rreth (ambient) post-ateist, ku feja ende nuk e ka marrë pozitën e vet meritore në shoqëri, ku Bashkësisë Islame ende nuk iu ka dhënë vendi meritor, kur disa prijatarë të instancave më të larta arsimore duke filluar nga Ministria e Arsimit e poshtë, kanë një qëndrim denigrues ndaj Islamit e përkëdhelës ndaj feve të tjera, porosinë tonë të shenjtë duhet ta kuptojmë tepër seriozisht.
Mendojmë se amanetin që e kemi marrë prej Allahut, do ta kryejmë me nder vetëm nëse arsimojmë fetarisht masën e gjerë të popullit dhe atë, duke mbajtur tribuna edukative për të rinjtë, duke organizuar tryeza dhe debate publike e shkencore, duke organizuar vazhdimisht programe të ndryshme fetare-arsimore nëpër teatro, në shtëpi kulture, në salla të rinisë dhe në fund, ajo që është më kryesorja dhe kërkesë e vazhdueshme e Bashkësisë Islame të Kosovës, është futja e lëndës së edukatës fetare në sistemin arsimor të Kosovës..

Xhemat të nderuar!
Dihet se dëshira jonë e kahershme po edhe shumicës dërmuese të popullatës, për çka dëshmon edhe kjo nismë e rindërmarrë këto ditë nga Bashkësia Islame në të gjitha xhamitë e Kosovës, ishte dhe mbetet futja e lëndës së edukatës fetare në plan-programet shkollore, por me gjithë kërkesat tona të pareshtura, si në të kaluarën e afërt ashtu edhe sot, madje edhe instancat më të larta shtetërore akoma nuk po gjejnë forcë për të na u përgjigjur pozitivisht. Megjithatë kjo neve nuk do të na dekurajojë, përkundrazi do të na mobilizojë edhe më tepër që të vetorganizohemi, t’i ngjeshim radhët tona dhe edhe më me ngulm të insistojmë në këtë të drejtë elementare për fëmijët tanë. Ky aksion i cili zyrtarisht ka filluar sot në tërë Kosovën, e do të vazhdojë edhe në javët e ardhshme, është vetëm një prej këtyre formave të kërkesave tona ndaj Ministrisë së Arsimit, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Fundja ne si qytetarë kemi të drejtë të kërkojmë që fëmijët tanë të edukohen edhe në frymën fetare. Këtë e garantojnë Konventat dhe Deklaratat e ndryshme Ndërkombëtare, që duke filluar nga “Deklarata Universale mbi të drejtat e njeriut” dhe shumë Konventa, Rezoluta e deklarata të ngjashme edhe nga ana e Bashkimit Evropian.

Vëllezër të nderuar!
Kërkesa e Bashkësisë Islame për aplikimin e mësim-besimit, nuk nënkupton kurrsesi vetëm mësimin e fesë Islame, por secili nxënës, le të mësojë për bazat e fesë së tij, andaj janë shumë qëllimkëqija tendencat që dëshirojnë të na vishen se gjoja ne po kërkojmë ndarje të nxënësve në baza fetare. Fundja, nuk është faji ynë që ne shqiptarët muslimanë përbëjmë 98% të popullatës. Dhe kjo përqindje, nuk guxon të jetë shkas që ne vazhdimisht të diskriminohemi për shkak të përkatësisë sonë fetare islame.
Po t’i hedhim një sy, shteteve të botës, do të shohim se shumica prej tyre e kanë të inkorporuar lëndën e edukatës fetare në sistemin arsimor, diku si lëndë obligative e diku si lëndë zgjedhore. P.sh.
Austri mbahet mësimi fetar në të gjitha shkollat austriake, e pjesë e këtij mësimi është edukata islame. Mbase mund të mburremi se pjesë e këtij procesi mësimor kemi edhe një numër të konsiderueshëm të teologëve nga Kosova, që aktualisht jetojnë e veprojnë në Austri, sikundër edhe fëmijët e bashkatdhetarëve tanë, që jetojnë atje, këto po e bëjnë me shumë sukses.
Gjermani kushtetuta e garanton mësimin fetar në shkollat shtetërore si lëndë “normale”.
Angli, mësimi fetar është pjesë e plan-programit mësimor,
Spanjë, mësimi fetar, në rend të parë ai katolik, në shkollat shtetërore është lëndë fakultative (lënda notohet, mirëpo nota nuk merret për bazë me rastin e regjistrimit në shkolla). foto
Belgjikë, po ashtu zyrtarisht, edukata fetare është e garantuar me ligj, e pjesë e kësaj edukate është edhe ajo Islame.
Greqi, si anëtare e Unionit Evropian, ende është në fuqi ligji i vitit 1930, i cili favorizon fenë ortodokse, kurse në mënyrë flagrante shkelen të drejtat e pakicave fetare. Mësimi fetar është i obliguar për nxënësit që deklarohen si ortodoksë.
Irlandë, kushtetuta garanton të drejtën e prindërve që fëmijët e tyre të arrijnë jo vetëm njohuri fetare, po edhe edukatë fetare. Mësimi fetar është i obliguar edhe në Finlandë e në Danimarkë, të cilat kanë kishat e tyre shtetërore nacionale. Norvegjia e ka kishën shtetërore si dhe obligueshmërinë e mbajtjes së mësimit fetar. Nëpër shkolla ku ka numër të konsiderueshëm të pakicave fetare, mund të organizohet mbajtja e mësimit fetar. Shteti i pranon dhe i paguan mësimdhënësit e lëndës fetare të tyre. E njëjta situatë është edhe në shtetet e tjera skandinave.
Hungari, mësimi fetar është lëndë fakultative dhe nuk është e përfshirë në plan-programet shkollore; mësimdhënësi fetar nuk është anëtar i këshillit mësimor por nëpunës kishtar që e paguan shteti.
Mësimi fetar katolik në Poloni është i obliguar dhe është në kuadër të plan-programit shkollor.
Itali prej vitit 1985, pas nënshkrimit të marrëveshjes (konkordatit) me Vatikanin, mësimi fetar është lëndë sipas dëshirës. Në Lituani, gjithashtu mësimi fetar është lëndë sipas dëshirës.
Lënda fetare aplikohet edhe tek fqinjët tanë në hapësirat e ish-Jugosllavisë, si në Slloveni, Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi. Të drejtën e shkollimit fetar islam, e gëzojnë edhe vëllezërit tanë në Luginën e Preshevës, dhe deri më tash kanë arritur një sukses të konsiderueshëm në edukimin e brezit të ri sipas parimeve islame.
Ajo që vlen të theksohet, e që në opinion kurrë nuk është bërë e ditur, është fakti se edhe priftërinjtë ortodoksë në Kosovës japin mësimin fetar ortodoks në shkollat serbe që punojnë sipas plan-programeve të Serbisë, ndërkohë që këta “mësues” fetarë, paguhen edhe nga buxheti i Kosovës!!!
Pra, nga kjo që u tha, shohim se vetëm Shqiptarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë, nuk e kanë rregulluar këtë gjë, dhe mendojmë se një gjë e tillë duhet të na shqetësojë të gjithëve vëllezër të nderuar. Është e udhës që ne të mos mbesim prapa botës demokratike e përparimtare, dhe të mos jemi të fundit që duhet ta zëmë trenin që gati sa nuk na ka ikur…

* * *
Të respektuar besimtarë!
Arsyet pse po e kërkojmë futjen e lëndës “Edukata fetare” nëpër shkollat tona janë të shumta, por ndër të tjera do t’i theksojmë disa:
– Dëshirojmë që rinia jonë të jetë një rini e shëndoshë, e edukuar në bazë të parimeve morale dhe edukative fetare.
– Dëshirojmë që Rinia jonë të jetë sa më larg drogës, alkoolit dhe prostitucionit, e feja është ajo që mund t’i parandalojë këto dukuri degjeneruese dhe negative.
– Dëshirojmë që fëmijët tanë lirshëm dhe pa kurrfarë imponimi të mësojnë për fenë e tyre. Edukata fetare nëpër shkolla, do të ndikojë pozitivisht në rritën dhe zhvillimin intelektual të tyre.
– Dëshirojmë që me një edukim të mirëfilltë fetar, t’i rikthejmë në një jetë normale të gjithë njerëzit e pashpresë, për t’ua kthyer atyre vetëbesimin e humbur nga vështirësitë e jetës.
– Dëshirojmë që Kosova të jetë një Oazë paqeje dhe harmonie ndërfetare, që secili person ta kultivojë dashurinë e tij ndaj Zotit sipas bindjeve të tij dhe pa kurrfarë imponimi.
– Dhe në fund, dëshirojmë që të jemi edhe në praktikë, pjesë e qytetërimit evropian dhe botëror, qytetërim i cili bazën e tij do ta ketë në konceptin e besimit në Zotin e Gjithëmëshirshëm.

Vëllezër të nderuar!
Ndonëse, futja e Edukatës fetare, po refuzohet heshturazi nga Ministria e Arsimit dhe Qeveria e më shumë edhe nga disa pseudo-intelektualë, ne do ta vazhdojmë rrugëtimin tonë rreth realizimit përfundimtar të kësaj kërkese legjitime dhe të drejtë. Për këtë na nevojitet edhe ndihma, përkrahja dhe zëri Juaj. Ne jemi ata që duhet të insistojmë kudo që fëmijëve tanë t’u krijojmë kushte të volitshme, që të mësojnë për fenë e tyre, nëpërmjet të cilës do ta njohin Allahun xh.sh., si Krijues të tyre, sepse nesër ky brez, do të jetë i pajisur me armën më të fortë, gjatë ballafaqimit me vështirësitë dhe sfidat e jetës.

Allahu na ndihmoftë që amanetin dhe porosinë që e kemi marrë mbi supe, ta çojmë në vend me nder e përgjegjësi!

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

Argumentet për vlerën e natës së 15 të muajit shaban

Një ndër muajt e preferuar, të cilët i ka veçuar Allahu i Madhëruar dhe që i ka dhënë një …