Prishtinë, 25 nëntor 2014
Mbrëmë në Prishtinë është promovuar ribotimi i Vëllimit të parë të Revistës “Zani i Naltë”, botim i Komunitet Mysliman të Shqipërisë. Në këtë manifestim që u mbajt në Amfiteatrin e Fakultetit të Studimeve Islame, qenë të pranishëm prijësit më të lartë të tri komuniteteve islame shqiptare, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skender ef. Bruçaj, Reisi i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Sulejam ef. Rexhepi si dhe nikoqiri, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, në kujdesin e të cilit u mbajt ky aktivitet.
Pasi i përshëndeti të pranishmit që qenë në numër të konsiderueshëm, përfshirë këtu personalet të shquara nga bota akademike, kulturore e fetare nga të gjitha trojet tona, Myftiu Tërnava përgëzoi KMSH për punën që ka bërë me ribotimin e Vëllimit të parë të revistës “Zani i Naltë”, në të cilin është përmbledhur botimi i tri viteve të para 1923-1925.
Për qëllimin dhe objektivat që kishte revista si organi i parë zyrtar i KMSH në gjuhën shqipe, Myftiu tha: “Misioni i revistës “Zani i Naltë” ishte hapja e rrugës dhe krijimi i hapësirës së duhur për emancipimin, përparimin dhe edukimin e drejtë e të duhur të masës së gjerë. E konceptuar si revistë fetare islame, ajo këtë mision madhor e kreu me sukses. Mirëpo, ajo nuk ngeli në kuadër të një reviste thjeshtë fetare, por shumë shpejt Zani Naltë u shndërrua në një tribunë të mendimit fetar, filozofik, kulturo e atdhetar, ku rreth vetës mblodhi penat më të njohura të kohës, të cilët përmes faqeve të kësaj reviste, u ofruan lexuesve kontribute nga disiplinat fetare islame dhe artikuj e studime të ndryshme me karakter filozofik, shkencor, historik, shoqëror, arsimor e kulturor, që i dhanë vlerë dhe e shquan këtë revistë nga të tjerat.”
Kryetari i KMSH-së, Skender Bruçaj, përveç tjerash, tha: “Revista “Zani i Naltë”, u themelua në vitin 1923 menjëherë pas ngritjes së institucionit të Komunitetit Mysliman, pas Kongresit të parë Mysliman Shqiptar. Botimi i saj ka zgjatur nga viti 1923 deri më 1939, kur Shqipëria hyri në një fazë tjetër historike, atë të Luftës së Dytë Botërore. Në këtë revistë, gjatë gjithë periodikut të saj vërehen tonet patriotike dhe atdhetare të shkruesve, të cilët lanë gjurmë të pashlyera me anë të shkrimeve të tyre.”
Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë Sylejman Rexhepi tha “Revista “Zani i Naltë” ka qenë dhe mbetet edhe sot që luan rolin e vet në shtimin e diturisë dhe emancipimin e popullit shqiptarë”.
Referatin vlerësues gjithëpërfshirës për historikun, rolin, veprimtarinë dhe rëndësinë që ka luajtur Revista “Zani i Naltë” në ngritjen e vetëdijes kombëtare e fetare e mbajti Resul ef. Rexhepi -sekretar i përgjithshëm i BIK, i cili, përveç tjerash, tha: “Përmbajtja e këtij vëllimi që po e promovojmë sot, sikundër edhe gjithë numrat e “Zanit të Naltë” paraqet një punë të shkëlqyer që ngërthen në vete vlera shumëdimensionale, si në aspektin kombëtar, fetar, kulturor, edukativ e historik. Kjo, sikurse shihet edhe në editorialin e numrit të parë të kësaj reviste, kishte qenë edhe qëllimi i drejtuesve dhe botuesit të kësaj reviste, ku thuhet se “Zani i Naltë” ka për qëllim: “…M’ia zbulue popullit mysliman shqiptar të vërtetën e besimit në një mënyrë të thjeshtë e të pandërlikume…, si dhe me plotësue vllazninë ndërmjet të gjithë elementeve në Shqipni”. Kjo me qëllim që, sikurse thuhet aty, “Me forcue themelet e nji politikes së shëndoshtë e të thjeshte kombëtare në Shtetin tonë”. Që nga numri i parë e deri në numrin e fundit që doli në vitin 1939, drejtuesit e revistës “Zani i Naltë” i mbeten besnik dhe i kultivuan këto parime të shenjta e madhore.
Ndërkaq, drejtori për kulturë pranë KMSH-së, Genti Kruja u shpreh se Aktivitete të tilla si ky i sotmi, marrin një rëndësi të veçantë për arsye se tregojnë edhe një herë para mbarë opinionit publik, se rruga jonë është dhe duhet të jetë gjithmonë rruga e dijes dhe e urtësisë, e librit dhe e kulturës, si një hallkë lidhëse dhe e vazhdueshme në zinxhirin e hapave dhe gjurmëve që na lënë hoxhallarët dhe dijetarët tanë të urtë e të ditur, paraardhësit dhe prijësit tanë myslimanë, të cilët ishin edhe plejada e fundit e rilindësve shqiptarë, të cilët me përkushtimin, devotshmërinë dhe punën e tyre bënë që ne sot pas shumë vështirësive, luftërave dhe persekutimeve nga më të egrat që ka parë shekulli XX, të trashëgojmë një pasuri të rrallë kulturore dhe studimore siç është edhe “Zani i Naltë”, një za, një zë kumbues i të vërtetës së pandryshueshme dhe të përhershme të dijes dhe mesazhit që ai përcjell, nën dritën e pashtershme të fjalës së parë hyjnore të librit të fundit qiellor “Lexo”.
Prijësit e tri bashkësive fetare islame shqiptare shprehen gatishmërinë që bashkërisht ta ribotojnë komplet kolonën e Zanit të Nalët” në 10 vëllime.
Të pranishmit në këtë aktivitet ndoqën edhe Filmin dokumentar “90 vjet Zani i Nalt” të përgatitur nga produkcioni i KMSH-së.{gallery}zaninalte{/gallery}