(Shkruan: Mr. Ragmi Destani -autori është kryetar i Këshillit të BI në Bujanovc)


Zekati është një prej pesë shtyllave mbi të cilat është ngritur Islami. Ai është ibadet – adhurim, që i kushtohet Allahut të Lartmadhëruar, dhe njëkohësisht është institucion mjaft i rëndësishëm dhe i dobishëm për myslimanët. Përmes kryerjes së këtij obligimi, myslimani e pastron jo vetëm shpirtin e tij, por edhe pasurinë që ia ka dhuruar dhe mundësuar Allahu i Gjithmëshirshëm. Në Kuran, zekati përmendet në mbi shtatëdhjetë vende, kurse bashkë me namazin përmendet në 32 vende. Allahu në Kuran thotë: “Faleni namazin dhe jepeni zekatin.”Pastaj i drejtohet Muhamedit a.s. duke i thënë: “Merr prej pasurisë së tyre ( zekatin ), që t’i pastrosh me të dhe t’u shtosh begatinë…” (Et-Teube, 103).Zekati është dhënia e një sasie të caktuar të pasurisë që merret prej të pasurve dhe u dedikohet atyre që kanë nevojë.Zekati është e drejtë – hak – për të varfrit, sepse nëse të gjithë myslimanët e botës e japin zekatin, atëherë nuk do të mbetet asnjë fukara në botën islame. Derisa gjenden të varfër, përgjegjës janë të pasurit që nuk e japin zekatin.


QËLLIMI DHE ARSYEJA E DHËNIES SË ZEKATIT

1- Sprovë për besimtarin që supozon se e do Zotin, sprovim me anë të pasurisë së tij;

2- Largimi i cilësisë së koprracisë nga besimtari, cilësi e urryer nga Zoti;

3- Falënderimi i Zotit për begatinë e pasurisë;

4. Eliminimi i varfërisë në shoqërinë myslimane;

5. Ngritja e shoqërisë, në të gjitha lëmenjtë e jetës, përmes pasurisë së tubuar nga zekati etj.


NISABI – PASURIA PREJ NGA FILLON TË LLOGARITET ZEKATI

Sasia e pasurisë që duhet të japë besimtari zekatin matet me anë të arit ose argjendit.Nëse pasuria e myslimanit arrin sasinë e zekatit 91.5 gram ari ose 600 gram argjend, atëherë myslimani prej këtu obligohet të japë zekatin.91.5 gram ari në muajin prill 2022 është baras me 5100 euro.Prej kësaj sasie duhet të jepet zekati.P.sh., nëse sot një mysliman ka para që me to mund të blejë 91.5 gram ari të pastër 24 karat, (sepse me më pak karat është i përzier me metal, e metalet e tjera nuk duhet të llogariten, por vetëm ari ), atëherë ai e shënon datën e ditës së sotme me kalendarin islamik dhe për një vit – 345 ditë – nuk jep asgjë, por me ato para ai punon, edhe pse mund të shtohet dhe të pakësohet brenda vitit, sipas Ebu Hanifes. Kurse mendime të tjera të medhhebit hanefi, thonë se nëse pakësohet brenda vitit, atëherë del prej sistemit të zekatit dhe e pret që përsëri të bëj sasinë e vlerës së 91.5 gram arit, dhe në krye të vitit e jep zekatin.Në të njëjtën datë të vitit tjetër, ai e shikon sasinë e pasurisë së tij: Nëse paratë e tij janë në vlerë të 91.5 gram ari ose më tepër, atëherë ai jep 2.5 % nga paratë e tij. E nëse janë më pak se vlera e 91.5 gr. arit, atëherë ai nuk jep asgjë, por pret që të arrijë përsëri vlerën e pasurisë 91.5 gram e më tepër ari, dhe fillon llogaritje të re.


KUJT DUHET T’I JEPET ZEKATI

Allahu i Madhërishëm ka përcaktuar në Kuran se kujt duhet t’i jepet zekati, dhe ata janë:

1. Të varfrit që nuk kanë asgjë;

2. Të ngratët, ata të cilët kanë pak, por nuk ju mjafton;

3. Për punonjësit që e tubojnë zekatin;

4. Për ata të cilëve duhet përfituar zemrat për të hyrë në Islam;

5. Për lirimin e robërve – skllevërve;

6- Për ata që kanë shumë borxhe;

7. Në rrugën e Allahut (në të mirë të Islamit dhe myslimanëve);

8. Për atë që ka mbetur në rrugë pa mjete materiale.


KUSH UA JEP ZEKATIN KËTYRE TETË GRUPEVE

Sipas Islamit, zekati është institucion shtetëror dhe kompetent i vetëm për tubimin e zekatit është shteti mysliman. Zekatin, myslimanët e kanë obligim ta destinojnë në “Bejtul Mal” – Arkën e shtetit mysliman, e pastaj shteti mysliman, pasi që i ka të regjistruar nevojtarët, e bën shpërndarjen mes besimtarëve nevojtarë. Argument për këtë është ajeti kuranor, i cili i përcakton punonjësit e zekatit në mesin e kategorive që e marrin zekatin.Kurse në kohët e sotme është obligim fetar, që zekati duhet të destinohet në institucionet fetare, bashkësitë islame, në një fond të veçantë për zekatin. Sepse bashkësitë islame në shtetin mysliman janë përfaqësues të myslimanëve në shtetin jomysliman.Sipas statistikave të fundit të vitit 2022, nëse të gjithë myslimanët e botës e japin zekatin, dhe e japin në një fond të veçantë, aty do të tubohen rreth 500 miliardë dollarë. E nëse kjo shumë jepet në arkën e shtetit mysliman, atëherë kurrë nuk do të ketë varfëri në botë.


RREGULLAT PËR DHËNËSIN E ZEKATIT

1. Të jetë pasuria e tij nga hallalli;

2. Ta japë vetëm për Allahun, dhe për asnjë qëllim tjetër;

3. Ta japë fshehurazi, përveç nëse do t’i mësoj të tjerët me obligimin e dhënies së zekatit;

4. Nuk ia përmend atij që ia ka dhënë, dhe nuk i tregon askujt se kujt ia ka dhënë zekatin;

5. Përparësi në dhënie kanë familjarët, duke filluar nga vëllai, motra e më tutje;

6. Në rend të dytë në dhënie janë të afërmit dhe njerëzit e vendit të tij, e pastaj më larg;

7. Përparësi kanë ata që janë të devotshëm, fetarë dhe të moralshëm, që nuk e keqpërdorin zekatin;

8. Mos ta llogarit se ka bërë shumë me këtë, sepse zekati është e drejtë e Zotit për nevojtarët.


RREGULLAT PËR MARRËSIN E ZEKAITI

1. E merr me modesti, dhe nuk e xhelozon dhënësin për pasurinë e tij;

2. Të mos ketë mendjemadhësi që ta refuzoj zekatin ose ta pranoj me mendjemadhësi;

3. Mos ta keqpërdorë paranë e zekatit në haram dhe gjëra të ndaluara;

4. Të bëj lutje te Zoti për të mirë, për atë që ia dha zekatin dhe familjen e tij.


ZEKATI PËR TË MBJELLAT BUJQËSORE

Zekati jepet edhe për bereqetet e mbjella. Allahu në Kuran thotë: “Dhe jepni pjesën e obligueshme (zekatin ) ditën e korrjes së tyre.” (El-En’amë, 141).Allahu i Lartëmadhëruar, edhe për kulturat bujqësore, pra, për bereqetet e të mbjellave ka caktuar zekat. Pronari është i obliguar që me rastin e korrje shirjeve ta japë zekatin për ato bereqete që i ka mbjellë, siç janë: gruri, misri, elbi, thekra, tërshëra, patatet e të ngjashme. Nisabi i prodhimeve bujqësore fillon prej 653 kg. Kurse sipas një mendimi tjetër fillon prej 1092 kg. Myslimani mund të zgjedh se prej cilës donë të llogarit sasinë e zekatit. Nëse ujiten me anë të dorës së njeriut, për to jep 5 % , e nëse nuk ujiten, por i mjafton shiu etj., atëherë jep 10 %, e nëse edhe ujiten edhe i bie shiu, atëherë për to jep 7.5 %.


ZEKATI PËR KAFSHËT

Feja islame ka precizuar dhënien e zekatit edhe për kafshët që ka pronari, lopë, buallica, dele, dhi etj..Për kafshët e sipërpërmendura nisabi dhe sasia e zekatit është si më poshtë:Për dele: prej 40 – 119 dele ose dhi duhet dhënë 1 në vit. Prej 120 – 200 jepen 2 dele. Prej 200-300 tri dhe kështu shtohet nga një në çdo njëqind.Për lopë: Prej 30 – 39 lopë ose buallica duhet dhënë një lopë ose buallicë dy vjetësh. Prej 40 – 59 një lopë tri vjetësh.Prej 60 – 69 dy lopë dy vjetësh. Prej 70 – 79 jepen dy; 1 dy vjetësh dhe një tri vjetësh. Prej 80 – 89 dy lopë tre vjetësh.90 – 99 jepen tri lopë dy vjetësh. 100 – 109 jepen tri lopë: 2 dy vjetësh dhe një tre vjetësh.


ZEKATI PËR MALLRA E TREGTISË

Edhe për këtë lloj të pasurisë jepet zekat. Allahu në Kuran urdhëron duke thënë: “O besimtarë, jepni nga të mirat që keni fituar dhe nga ajo që u dhamë prej tokës.” (El-Bekare, 267).Çdo lloj malli që personi e dedikon për tregti (shitblerje), me qëllim fitimi, si kafshë, mjete teknike, rroba të ndryshme, artikuj ushqimorë, drithëra, pemë, perime, ndërtesa etj., detyrohet ta japë zekatin, natyrisht, në qoftë se i tërë ai mall vlen më shumë se vlera e 91.5 gr. ari. Te ky lloj malli duhet llogaritur që sasinë e konsideruar e ka në dispozicion një vit, prandaj edhe vlerësimi i tij bëhet në fund të vitit. Poseduesi ka mundësi që zekatin e mallit të tillë ta japë nga i njëjti mall ose edhe kundërvlerën e tij në të holla, gjithnjë duke llogaritur 2.5 në çdo njëqind (2.5%).


ZEKATI PËR ARIN QË E BARTIN FEMRAT

Rreth kësaj çështje ka komente dhe mendime të ndryshme.Sipas medhhebit hanefi, ari i gruas, nëse e arrin sasinë e caktuar, duhet të jepet zekat.Sipas tre medhhebeve të tjera, nëse ari i gruas është për stoli, nuk jepet zekat.Sipas disa mendimeve të tjera, për arin e gjinisë femërore që e bartin për stoli, mjafton të jepet zekati vetëm një herë në jetë.Edhe tek ari i gjinisë femërore duhet të matet me ari të pastër 24 karat, duke patur parasysh se ari i tyre është shumica 14 apo 18 karat, pra i përzier me metale.Për shembull, 91.5 gram ari i pastër, barazon me 153 gram ari i 14 karat, sepse ky është i përzier me metale të tjera.Nëse një grua vendos që arin e saj tash e tutje mos ta përdorë, por t’ia lë fëmijëve ose e lë që të shërbehen prej tij sipas nevojës, atëherë ai ari kalon në pasuri dhe hyn menjëherë në llogari të zekatit.


ZEKATI DHE BORXHET

Nëse personi ka borxhe dhe ato borxhe mund t’i marr kur të do ai, atëherë edhe për ato borxhe duhet dhënë zekatin. E nëse nuk i ka në dispozicion ato para dhe nuk pret që sigurt mund t’i marr ato, atëherë nuk jep zekat për to derisa t’i ketë në dorën e tij.E nëse myslimani e ka vlerën e pasurisë për dhënien e zekatit (91.5 gram ari), por ka me i dhënë borxh dikujt, që nëse e jep borxhin, bie shuma e asaj pasurie nën nivel të nisabit, atëherë ai person nuk obligohet të japë zekatin.


A MUNDET BORXHI TË LLOGARITET ZEKAT

Nëse i ke dhënë dikujt borxh dhe nuk pret që huamarrësi ta kthen borxhin, a lejohet që atë borxh t’ia llogaritësh në vend të zekatit?Pjesa më e madhe e mendimeve të dijetarëve kompetent janë se borxhi i dhënë nuk mund të llogaritet zekat, kurse një pjesë e tyre e kanë lejuar që borxhin e dhënë huamarrësit mund t’ia llogaritësh zekat nëse ai ende është i varfër dhe i takon zekati.


A E MBULOJNË ZEKATIN TATIMET SHETËRORE

Tatimet shtetërore nuk e mbulojnë zekatin, sepse zekati është obligim me rregullat e veçanta islame, që ato rregulla nuk i kanë tatimet shtetërore. Andaj pavarësisht llojeve të tatimeve të ndryshme, zekati duket të jepet patjetër.


A OBLIGOHET EDHE ZEKATI TË JEPET KAZA

Sikurse namazi, ashtu edhe zekati duhet të jepet kaza. Nëse një besimtar nuk e ka dhënë zekatin një kohë të caktuar, ai e bën afërsisht llogarinë e viteve të kaluara dhe e jep për të gjitha ato vite.E nëse është penduar që nuk e ka dhënë zekatin, do ta japë kaza, por tash nuk ka pasuri, atëherë ai pendohet te Zoti dhe e pret që nëse bën pasuri ta japë.


DËNIMI I MOSDHËNIES SË ZEKATIT

Dënimi i mosdhënies së zekatit është i madh te Zoti. Sipas ajeteve të Kuranit, pasuria e mosdhënies së zekatit do t’i bëhet zjarr atij që nuk e jep dhe Zoti do ta dënoj shumë ashpër. Kurse në këtë botë, hadithet kërcënojnë me varfëri dhe mungesë të bereqeteve nëse një popull nuk e jep zekatin.Pastaj mosdhënia e zekatit është pasuri e të varfrit, e nëse një besimtar e han hakun e të varfrit, ai do të dënohet shumë ashpër. Pasuria e mosdhënies së zekatit mbetet pasuri haram tek ai person apo tek ajo familje, gjë që ndikon negativisht në jetën e tyre dhe në moralin e tyre.

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

Argumentet për vlerën e natës së 15 të muajit shaban

Një ndër muajt e preferuar, të cilët i ka veçuar Allahu i Madhëruar dhe që i ka dhënë një …