Sot në varrezat e fshatit Zhabar të Mitrovicës, me pjesëmarrjen e shumë qytetarëve u varros imami i shquar, Asllan ef. Murati.

Në ceremoninë e varrimit morën pjesë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, përfaqësuesi nga Komuna e Bajram Pashës, hoxha Haki Vatansever, prof. Mehmet Rukiqi, familjarë, hoxhallarë, profesorë, si dhe shumë qytetarë nga të gjitha viset e Kosovës dhe më gjerë.

Në fjalën e tij, Myftiu Tërnava, vlerësoi lart punën dhe kontributin fetar dhe kombëtar të hoxhës së nderuar. “Bashkësia Islame e Kosovës krenohet me kontributin e hoxhës Asllan ef. Murati, si dhe me kontributin e gjithë hoxhallarëve. Asllan ef. Murati dha një ndihmë të madhe edhe gjatë kohës së luftës së fundit, duke ndihmuar ushtarët e lirisë, andaj sot kur po ndahemi fizikisht nga hoxha ynë, ne lusim Zotin e Madhëruar që hoxhën e nderuar ta gradojë me Xhenetin Firdevs, dhe që shpirti i tij të bashkohet me shpirtrat e pejgamberëve dhe dëshmorëve”, tha ndër tjerash Myftiu Tërnava.

Para të pranishmëve, një biografi të imamit Asllan ef. Murati, e lexoi kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Mitrovicës, Irfan ef. Krasniqi, në të cilën veçoi angazhimin e tij në mësimdhënie.

Në fjalën e tij, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, përmendi një kontribut të jashtëzakonshëm të imamit Asllani, e që ka qenë sjellja dhe ruajtja e eshtrave të heroit Isa Boletini.

Për bashkëpunimin akademik të hoxhës Asllan ef. Murati me historianë dhe profesorë të fushave të ndryshme, foli bashkëpunëtori i tij, prof. Mehmet Rukiqi.

Hoxha Haki Vatansever në fjalën e tij tha se, Mulla Asllan ef. Murati ishte i pari që bëri binjakëzimin e komunave, pra Komunës së Mitrovicës dhe asaj të Bajram Pashës së Turqisë, andaj për shpirt të tij, sot nxënësit e medreseve të Bajram Pashës i kanë kënduar shtatë hatme për shpirtin e tij.

Në emër të familjes, foli vëllai i hoxhës Isak Murati, i cili falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në varrimin e hoxhës Asllan ef. Murati.

Namazit të xhenazes i priu Myftiu Naim ef. Tërnava, ndërsa duanë e namazit e bëri kryeimami i Këshillit të Mitrovicës, Rexhep ef. Lushta.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava priti në takim drejtorin ekzekutiv të Çmimit “Sheikh Hamad” për Përkthim dhe Mirëkuptim Ndërkombëtar, z. Labib Nahhas

Prishtinë, më 5 shkurt 2025 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërna…