Të Zotit jemi dhe tek Ai do të kthehemi!

إنّا لله و إنّا إليه راجعون

Njoftojmë kolegët, miqtë e opinion e gjerë se, në moshën 89 vjeçare, ka ndërruar jetë imami i shquar Avdyl ef. Krasniqi nga Buroja e Skenderajt.

Varrimi i të ndjerit bëhet sot në varrezat e fshatit Burojë të Skenderajt, në kohën e namazit të ikindisë.

Biografi

Avdyl ef. Krasniqi

Avdyl ef. Krasniqi u lind më 21 gusht 1930, në fshatin Vajnikë, komuna e Skenderajt. Ishte i biri i Tafilit dhe i Fatimes, bijë e Loshëve të Padalishtës. Rrjedh nga një familje me traditë kombëtare e fetare. Shkollën fillore e përfundoi në Burojë, ndërsa mësimet e para fetare i mori në Mejtepin e Xhamisë së Burojës, te hoxha dhe patrioti i shquar Mulla Ilaz Buroja. Më pastaj mësimet fetare i vijoi edhe në Medresenë e Madhe të Gjakovës.
Nga viti 1948 deri në vitin 1982 shërbeu si imam i teravive në fshatra të ndryshme të Drenicës, si në Aqarevë, Padalishtë, Resnikë dhe Vajnikë. Nga viti 1982 emërohet imam i xhamisë së Burojës, tek e cila qysh si fëmijë kishte marrë mësimet e para fetare, por nga kjo kala e arsimit fetar dhe atdhetar, ishte brumosur me idetë patriotike të Mulla Ilaz Burojës, andaj edhe ky imam i nderuar patjetër që do ta ndjekte rrugën e imamëve të parë për të qenë shembull i gërshetimit të dashurisë për fenë dhe kombin.
Mulla Avdyl Krasniqi mori detyrën e imamit në këtë xhami në kohën kur po fillonte edhe shpërbërja e Jugosllavisë, në kohën kur dhuna dhe terrori serb po rikthehej në Kosovë kundër popullatës vendëse shqiptare. Në kohën kur përveç dhunës dhe terrorit serb të ushtruar kundër shqiptarëve, popullin shqiptar po e rëndonte edhe më shumë vesi i hakmarrjes i cili ishte bërë një gangrenë e shoqërisë e cila po e shkatërronte popullin shqiptar nga brenda. Andaj hoxha i nderuar, Mulla Avdyl Krasniqi sikurse edhe shumë intelektual e patriot të tjerë shqiptar me moton: “Kurrë më gjakmarrje”, morën iniciativën për pajtimin e gjaqeve në Kosovë.
Në vitin 1990 hoxha i nderuar do ta bënte organizimin e xhematit, gjegjësisht popullatën e kësaj ane që t’i festonin dy bajamet e mëdha, të cilat hoxha i quante Bajramin Fetar dhe Bajramin Kombëtar, ngase më 2 korrik të vitit 1990, Kuvendi i atëhershëm i Kosovës shpalli kushtetutën e krijimit të Republikës së Kosovës.
Në kohën kur Kosovës po i mbylleshin të gjitha mundësitë për çlirim paqësor dhe nuk i kishte mbetur rrugë tjetër pos kryengritjes së armatosur, hoxha i nderuar hap xhaminë dhe konakun e tij për grupet e armatosura të Kosovës dhe xhaminë e shndërron në depo të armatimin për luftëtarët e ardhshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Andaj pikërisht më 23.9.1992, djali i hoxhës së nderuar së bashku me Kardi Veselin dhe Hashim Thaçin sollën armët të cilat do t’i fshehnin në arkivole të cilat u fshehën ne bodrumin e konakut të xhamisë. Këto armë më vonë do të përdoreshin për çlirimin e Kosovës.
Nga viti 1992 armët kanë qëndruar në atë vend deri më 17.11.1997, kur gjendja politike në Drenicë u përkeqësua tejmase. Atë ditë këto armë siç thekson imami, i kemi shpërndarë në Prekaz, Llaushë, në Likoc, në Aqarevë dhe një sasi në Burojë. Në atë xhuma imami iu drejtua të pranishmëve në xhami dhe u tha: “Prej sot më nuk do të falet askush në këtë xhami. Unë e hoqa shallin, e lashë në hytbe dhe nxora automatikun e u bëj thirrje njerëzve të vijnë pas meje në luftë.” Ai u tha se edhe armët do t’ua jepte.
Dhe kështu Mulla Avdyl Krasniqi mori pjesë aktive në luftë kundër okupatorit serb deri në çlirimin e Kosovës, ndërsa pas çlirimit të Kosovës iu kthye detyrës së imamit të xhamisë së fshatit Burojë deri në vitin 2005 kur edhe pensionohet.

Shfaq më shumë në Njoftime

Shfleto

“Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi”

Njoftojmë kolegët, miqtë dhe opinionin e gjerë se sot, më 23 mars 2023, ndërroi jetë në mo…