Sot në varrezat e fshatit Zhabar të Mitrovicës, me pjesëmarrjen e shumë qytetarëve u varros imami i shquar, Asllan ef. Murati.
Në ceremoninë e varrimit morën pjesë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, përfaqësuesi nga Komuna e Bajram Pashës, hoxha Haki Vatansever, prof. Mehmet Rukiqi, familjarë, hoxhallarë, profesorë, si dhe shumë qytetarë nga të gjitha viset e Kosovës dhe më gjerë.
Në fjalën e tij, Myftiu Tërnava, vlerësoi lart punën dhe kontributin fetar dhe kombëtar të hoxhës së nderuar. “Bashkësia Islame e Kosovës krenohet me kontributin e hoxhës Asllan ef. Murati, si dhe me kontributin e gjithë hoxhallarëve. Asllan ef. Murati dha një ndihmë të madhe edhe gjatë kohës së luftës së fundit, duke ndihmuar ushtarët e lirisë, andaj sot kur po ndahemi fizikisht nga hoxha ynë, ne lusim Zotin e Madhëruar që hoxhën e nderuar ta gradojë me Xhenetin Firdevs, dhe që shpirti i tij të bashkohet me shpirtrat e pejgamberëve dhe dëshmorëve”, tha ndër tjerash Myftiu Tërnava.
Para të pranishmëve, një biografi të imamit Asllan ef. Murati, e lexoi kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Mitrovicës, Irfan ef. Krasniqi, në të cilën veçoi angazhimin e tij në mësimdhënie.
Në fjalën e tij, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, përmendi një kontribut të jashtëzakonshëm të imamit Asllani, e që ka qenë sjellja dhe ruajtja e eshtrave të heroit Isa Boletini.
Për bashkëpunimin akademik të hoxhës Asllan ef. Murati me historianë dhe profesorë të fushave të ndryshme, foli bashkëpunëtori i tij, prof. Mehmet Rukiqi.
Hoxha Haki Vatansever në fjalën e tij tha se, Mulla Asllan ef. Murati ishte i pari që bëri binjakëzimin e komunave, pra Komunës së Mitrovicës dhe asaj të Bajram Pashës së Turqisë, andaj për shpirt të tij, sot nxënësit e medreseve të Bajram Pashës i kanë kënduar shtatë hatme për shpirtin e tij.
Në emër të familjes, foli vëllai i hoxhës Isak Murati, i cili falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në varrimin e hoxhës Asllan ef. Murati.
Namazit të xhenazes i priu Myftiu Naim ef. Tërnava, ndërsa duanë e namazit e bëri kryeimami i Këshillit të Mitrovicës, Rexhep ef. Lushta.