Më 28 janar 2024, e diel, Bashkësia Islame “Drita” në Rosenhaim, organizoi tribunën fetare kashtuar iniciativës për blerjen e xhamisë së re në qytet. Në këtë mbrëmje morën pjesë përfaqësues nga Kosova, Maqedonia e Veriut, imamë, kryetarë, anëtarë e përfaqësues të xhamive në Gjermani, Zvicër, Austri dhe xhematë të shumtë.
Kjo tribunë, përpos që kishte karakter fetar, ishte edhe informative, me ç’rast u shpalosën rezultatet e deritanishme në lidhje me zhvillimet për blerjen e objektit të xhamisë së re në qytet. Xhemati dhe mysafirët u informuan për blerjen e parcelës, dhe objektit për xhaminë e re.
Të pranishmit i përshëndeti dhe iu dëshiroi mirëseardhje, imami i xhamisë, Ferat ef. Ismaili dhe kryetari i saj, Rrahim Sahiti, i cili i njohu për rrjedhat e iniciativës për xhaminë e re.
Me një fjalë rasti të pranishmit i përshëndeti edhe drejtori për Diasporë pranë Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, i cili fillimisht përcolli përshëndetjet e Myftiut Tërnava për mërgimtarët dhe besimtarët tanë, duke uruar kështu ata për iniciativat e tilla. Ai më pas citoi fjalët e Allahut në Kuran, ku thuhet se: “E drejtë e përkujdesjes së xhamive të Allahut është vetëm e atij që i ka besuar Allahut dhe ditës së fundit, që e falë namazin dhe jep zeqatin e nuk i frikësohet askujt tjetër përpos Allahut, të tillët do të jenë të udhëzuarit në rrugën e drejtë.” Muhamedi a.s. në një hadith ka thënë: “Ai që ndërton një xhami në këtë botë Allahu ka për t’ia ndërtuar nesër një shtëpi në xhenet”, andaj lus të Madhin Zot që t’i shpërblejë të gjithë ata që kontribuuan në ndërtimin e kësaj xhamie, besojmë se kjo xhami do të reflektoi vetëm dritë, paqe, lumturi, harmoni, ardhmëri, besim reciproke, bashkëjetesë të komuniteteve në mes vete. Besojmë shumë se udhëheqësit e kësaj xhamie do luftojnë çdo gjë që shkon në dëm të individit, familjes e shoqërisë duke bërë dallimin se punët e këqija si ekstremizmi, radikalizmi e terrorizmi nuk kanë asgjë të përbashkët me atë çka del nga mësimet e xhamive për Islamin fe, se Islami është fe që proklamon vetëm paqe”.
Ai po ashtu shprehu falënderime edhe për popullin gjerman, për ndihmat dhe përkrahjen e vazhdueshme që i kanë dhënë popullit të Kosovës. “Më lejoni po ashtu të falënderojë shtetin dhe popullin gjerman, i cili na hapi derën në ditët më të vështira përmes së cilave po kalonte populli ynë. Na ndihmoi dhe na përkrahu moralisht dhe materialisht, në kohën kur shumë të tjerë na kthyen shpinën. Miku i mirë në ditë të vështira thuhet ne proverbin tone popullore! Kjo ishte Gjermania! Ky shtet edhe sot po vazhdon të jetë përkrah popullit tonë me projekte të ndryshme kapitale, të cilat po i investon në shtetin e ri të Kosovës. Si qytetar shqiptar, i jemi borxhi këtij vendi dhe këtij populli, prandaj nëse asgjë nuk mund t`i ndihmojmë ndonjëherë, atëherë të bëjmë përpjekje maksimale që asnjëherë, me asnjë formë dhe mënyrë, të mos e lëndojmë dhe cenojmë qetësin e tyre” – tha ndër të tjera prof. Simnica.
Për pjesët artistike, kuranore dhe të ilahive, u kujdesën Nusret Kurtishi dhe Nafidan Miftari.
Drejtori për Diasporë në shenjë respekti dhe bashkëpunimi ndau mirënjohje për Kryesinë dhe kryetarin e xhamisë “Drita” në Rosenhaim.
Pjesa e fundit e programit iu kushtua tubimit të mjeteve financiare për xhaminë e re, me ç’rast u tubuan rreth 200.000 euro.
Në fund, imami i xhamisë dhe moderatori, z. Evzal Sinani, falënderuan mysafirët e programit, pjesëmarrësit, xhematin, aktivistët, sponsorët, donatorët, kryesinë e xhamisë, si dhe të gjithë të tjerët që ndihmuan dhe dhanë kontributin e tyre që mbrëmja të shkojë sipas agjendës së planifikuar.
Drejtori për Diasporë gjatë kësaj vizite shfrytëzoi nga rasti që të vizitojë edhe xhamin “Ihlas” në Salzburg të Austrisë.
Në xhamin “Ihlas”, drejtori Simnica u prit nga administrator i ALKIG, Flamur ef. Sofiu, anëtari i Kryesisë, z.Osman Sllamniku dhe një numër i xhematit. Drejtori Simnica, i përcjelli përshëndetjet nga Kryesia e BIK-ut, nga strukturat udhëheqëse të saj, nga Myftiu Tërnava dhe mbarë populli i Kosovës, njëherësh i falënderoi për kontributin dhe ndihmën e dhënë për vendlindjen kudo që janë shqiptarët. Ai po ashtu potencoi se BIK-u është i përkushtuar që të forcojë dhe të shtojë komunikimin me mërgatën shqiptare në diasporë, me qëllim të bashkërenditjes së aktiviteteve në të mirë të mërgatës sonë.