Prishtinë, 21 tetor 2014
Kryeimami i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, Sabri ef. Bajgora, vizitoi sot Manastirin e Deçanit, i shoqëruar nga këshilltari i Myftiut, Vedat Sahiti, ndihmës kryeimami, Fatmir Iljazi, si dhe kryetarët e dy Këshillave të BI Pejë dhe Deçan, Musli Arifaj dhe Besim Halilaj.

Në këtë vizitë, kryeimami Bajgora u prit nga Igumeni i Manastirit, Sava Janjiç me bashkëpunëtorë, i cili fillimisht shprehu mirëseardhje për mysafirët nga BIK dhe i falënderoi ata për vizitën në Manastir.
Kryeimami Sabri ef. Bajgora, me këtë rast, në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, shprehu keqardhje për grafitet provokuese të shkruara në muret e  Manastirit të Deçanit. “Ky akt është i papranueshëm për ne, i dënueshëm dhe kundër çdo mësimi dhe tradite fetare në vendin tonë.  Atakimi i objekteve fetare e kulturore është vepër e kryer nga ata që nuk ia duan të mirën vendit dhe popullit të Kosovës. Një akt i tillë dëmton përpjekjet e bashkësive fetare për të kultivuar tolerancën e mirëkuptimin ndërfetar e ndëretnik. Bashkësia Islame e Kosovës mbetet e përkushtuar për kultivimin e tolerancës e mirëkuptimit në vendin tonë”, u shpreh Bajgora.
Në anën tjetër, Igumeni Janjiç vuri në pah rëndësinë e ruajtjes së objekteve fetare, duke u ndalur me këtë rast me një theks të veçantë në traditën e hershme të bashkëjetesës, tolerancës, respektit dhe mirëkuptimit në mes të dy komuniteteve etnike dhe fetare, gjegjësisht në kohën kur shqiptarët e ruanin dhe kujdeseshin me fanatizëm për Manastirin e Deçanit.
Të dy palët ndanë mendimin e njëjtë, se takimet e këtij lloji janë hiq më pak se përçim i mesazheve hyjnore të paqes e tolerancës ndërfetare, jo vetëm për komunitetet në Kosovë, por edhe për popujt në botën mbarë.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…