Prishtinë, 10 korrik 2020
Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti”, dega në Mitrovicë sot ka dorëzuar çelësat e shtëpisë së re të ndërtuar falë donatorëve familjes tre anëtarëshe në Zhabar të Mitrovicës. Koordinatori i Bereqetit në Mitrovicë Cen Balaj, së bashku me njërin nga donatorët, Sabedin Feratin dhe zv/drejtorin e Bereqetit, Xheladin Fazliun, i dorëzuan çelësat e shtëpisë së re kësaj familje.
Kjo familje me asistencë sociale kishte pranuar ndihma të ndryshme edhe herëve të kaluara, por pas vdekjes së prindit, tre muaj më parë, ndërtimi i një shtëpie për këtë familje u bë i pashmangshëm.
Dega e “Bereqetit” në Mitrovicë falë dy donatorëve dhe xhematlinjëve ka arritur që nga muaji i Ramazanit të fillojë me ndërtimin e kësaj shtëpie, ku sot edhe zyrtarisht kanë dorëzuar çelësat e shtëpisë së re.
Nëna së bashku me dy vajzat e saja, do të gëzojnë që nga sot shtëpinë e tyre të re, me një dhomë të ndejës dhe dy dhoma gjumi së bashku me një banjo. Të gjitha dhomat janë të rregulluara dhe të mobiluara falë kontributit të donatorëve.
Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti” në vazhdimësi ka qenë afër familjeve në nevojë, ku vazhdon edhe më tutje të jetë afër tyre në të gjitha aspektet e mundshme.