Sot në varrezat e fshatit Bllacë të Suharekës me pjesëmarrjen e familjarëve miqve dhe xhematlinjve u varros Varroset Mehdi ef. Hoxha. Në varrim ishte edhe një delegacion nga Kryesia e BIRK-ut i të cilët në emër të myftiut Tërnava i shprehën ngushëllime familjes, të afërmeve dhe miqve. Namazit të xhenazes i priu kryemami i BIRK-ut, Sabri ef. Bajgora kurse duanë e xhenazes e bëri Isa ef. Tërshani. Mulla Mehdia një jete të tërë ia kushtoi fesë dhe shërbim të xhematit.
Biografi
Mehdi Imer Hoxha u lind në fshatin Bllacë të Suharekës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje kurse të mesmen Medresenë e Mesme Alauddin në Prishtinë. Më pas vazhdon shkollimin në Damask në shkollën ”Emenije”.
Studimet i ka kryer në Bagdad (1970-1980) drejtimin Kanun ve sijase. Është emëruar imam në fshatin Mushtisht nga 1.11.1983 e deri më 31.12.1993. kurse më pas emërohet Imam, hatib e mualim në xhaminë e fshatit Bllacë me datë 01.01.1994 ku vazhdon deri më 30.04.2016 kur edhe pensionohet. Por vazhdon imam me honorar në fshatin Bllacë të Suharekës deri sa vdiq. Nga viti 1999 e deri më 2003 ishte kryetari i KBI të Suharekës. Më 30 dhjetor 2003 emërohet sekretari KBI-së në Suharek që po ashtu vazhdon deri në vdekje, ku krahas punës së sekretarit ka kryer edhe punën e arkëtarit me qëllimin që Këshilli të jetë në nivel të kënaqshëm dhe t’i plotësoj kushtet si institucion fetar në shërbim të xhematit. Në kohën sa ishte kryetar i Këshillit në Suharekë është ndërtuar selia e KBI-së në oborrin e Xhamisë së Bardhë në Suharekë pasi që selia e vjetër ishte dëmtuar nga lufta.
Lusim Allahun e Madhëruar që ta ketë marrë në mëshirën e Tij, si dhe ta ketë graduar me xhenet!