Prishtinë, 10 gusht 2010

Urimi i Myftiut të Kosovës, Mr. Naim Tërnava për besimtarët dhe qytetarët e Kosovës me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit

Të nderuar besimtarë!
Vëllezër e motra!

Nesër më 11. 08. 2010 është dita e parë e muajit të bekuar të Ramazanit, ndaj kam kënaqësinë dhe privilegjin që në emër të KBIRK dhe në emrin tim t’ju drejtohem me urimet dhe përgëzimet më të mira duke ju dëshiruar, shëndet, mirëqenie dhe agjërim të lehtë të muajit të Ramazanit.

 

Duke ditur se islami është udhëzim hyjnorë i cili e shoqëron njeriun nëpër të gjitha fazat e jetës së tij, pa marrë parasysh vendin dhe kohën, njeriut i ofron mundësin reale të rregullimit të jetës duke e shoqëruar atë me kryerjen e obligimeve që dalin nga Kurani Famëlartë.

Nisur nga ky parim agjërimi i muajit të Ramazanit e pajis besimtarin edhe më shumë me ndjenjën e dashurisë, respektit, vetëdijes, urtësisë, solidaritetit, zemërgjerësisë, devotshmërisë,dhe moral e edukatë të fortë në raport me Krijuesin.

Muaji ku na bashkojnë edhe më tepër, ibadetet e namazet, syfyri e iftari, zeqati e sadakaja, solidariteti e bamirësia, mirëkuptimi e përkujdesja ndaj atyre që kanë nevojë, thërret që të jemi edhe më afër Zotit, më tolerant, më dorëlirë, më të afërt me familjen, farefisin e shoqërinë. Zaten ky është edhe mesazhi i Ramazanit.

Muhamedi a. s. thotë:

Kush agjëron Ramazanin me besim dhe vetë llogaritje të sinqertë do ti falë tërë çka ka gabuar më parë.

 
Vëllezër e motra!

Agjërimi i muajit të Ramazanit thërret për një mobilizim edhe më të madh shpirtërorë, duke shtuar në ibadet dhe bërjen e veprave të mira ngase është muaji i Kuranit dhe rahmeti i Zotit është edhe më i madh gjatë këtij muaji.

Synimi i Ramazanit është edhe pastrimi i shpirtrave nga urrejtja, xhelozia, egoizmi, pangopësia, dhe të gjitha veprat e liga. Agjërimi besimtarët i ngrit në shkallë të lartë të devotshmërisë duke i udhëzuar në vepra të mira, solidaritet mes njerëzve, respekt ndaj njëri tjetrit, duke e forcuar bindjen se vlera e njeriut si krijesë është e njëjtë pavarësisht pozitën, vendin, ngjyrën që ka. Ndaj Islami keqtrajtimin e një shpirti të vetëm e konsideron keqtrajtim të njerëzimit, sikur që shpëtimin e një njeriu e konsideron shpëtim të mbar njerëzimit.

 

Të nderuar qytetarë të Kosovës!

Burimi hyjnor i Islamit është Kurani që mbështet konceptet e moralit, dashurisë e mëshirës, përkushtimit, sakrificës, tolerancës dhe paqes. Një mysliman që i zbaton siç duhet këto parime në jetën e tij, është  njeri i sjellshëm, modest, i drejtë i besueshëm dhe me të cilin është e lehtë të krijohen marrëdhënie të mira. Ai përhap dashuri, respekt, harmoni dhe kënaqësi te të gjithë ata që jetojnë pran tij.

 

Allahu xh. sh. porosit!
Bashkëpunoni me njëri-tjetrin në bamirësi e mëshirë dhe jo në gjynahe e armiqësi…! (Kuran:5:2)
 
Le të jetë ky muaj i Ramazanit stimulim për zemrat e shpirtrat tanë, për përkushtimin dhe forcimin e besimit drejt shkallëve të larta të devotshmërisë, të tillët janë ata që i qëndrojnë me përkushtim Islamit, që i druhen Allahut, që tregojnë respekt të madh për vlerat shpirtërore, dhe që janë të mbushur me zell e dashuri për të kontribuar për fe e atdhe, se vetëm kështu e kemi kuptuar rendësin e këtij besimi dhe përkushtimin edhe më të madh ndaj Allahut dhe urdhrave që dalin nga Kurani dhe porosit e Muhamedit a.s.

Nëpërmjet këtij urimi thërras institucionet shtetërore, publike ato private që të kenë parasysh specifikat që ka ky muaj në raport me besimtarët, duke iu afruar atyre lehtësime në kryerjen e agjërimit dhe obligimeve  tjera që dalin edhe si rezultat i agjërimit të këtij muaji.

Le të na shërbej muaji i Ramazanit rasti më i mirë për të zgjatur duart tona, kah skamnorët, jetimët, të gjithë atyre që kanë humbur shpresën për një jetë më të mirë. Të forcojmë vlerat e Ramazanit për të qenë të lumtur dhe për ti bërë të tjerët të lumtur në shtetin tonë të ri. Ndaj lypset nga ne të gjithë që me punën tonë të krijojmë kushte sa më të mira për një jetë më të dinjitetshme, për të gjithë ata që jetojnë dhe e duan këtë vend ku i Madhi Zot na ka krijuar.

Edhe njëherë si Myfti Republikës së Kosovës, më lejoni t’ju shpreh urimet dhe përgëzimet më të sinqerta për muajin e Ramazanit, duke e lutur Allahun që të na pranoi agjërimin, namazin, sadakan dhe adhurimet tona.

Amin!

Myftiu Kosovës

Mr. Naim Tërnava

Shfaq më shumë në Fjalime

Shfleto

Fjala e Myftiut Naim ef. Tërnava në promovimin e tri veprave të tij

I nderuari reis i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir ef. Fetahu, I n…