Të dashur vëllezër besimtarë!

Ramazani, ky mik i çmuar, dalëngadalë po bëhet gati të shkojë. Ditëve të tij të caktuara iu është afruar fundi dhe ja, sot, po e falim xhumanë e fundit në këtë muaj, duke e lutur Allahun që të na ketë pranuar agjërimin dhe çdo vepër tjetër të mirë që për hir të Tij e kemi bërë!

Besimtarë të nderuar!

Mënyra se si përmbyllen suksesshëm adhurimet në Islam është e veçantë. Momentet e përmbylljes janë momente përulje, përgjërimi, lutje. Besimtarët e devotshëm ndërsa ndahen nga punë të hajrit përjetojnë një lloj ndjenje të frikës se a do të pranohen veprat apo jo andaj edhe kujdesen që edhe përmbyllja të bëhet me adhurim. Kështu përshkruhen nga Zoti i madhërishëm në Kur’an:

﴿ وَالَّذِينَ يُؤْتُونَ مَا آتَوا وَّقُلُوبُهُمْ وَجِلَةٌ أَنَّهُمْ إِلَىٰ رَبِّهِمْ رَاجِعُونَ﴿٦٠﴾‏

Dhe që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre.” [Mu’minunë: 60]

Besimtarët, siç është interpretuar ajeti[1], kur ofrojnë adhurimet e tyre: namazin, zekatin, agjërimin, haxhillëkun, i ofrojnë ndërsa kanë frikë se a do të pranohen apo tek Allahu i Lartmadhëruar. Nga këtu kujdesen që t’i përcjellin ato me adhurime me shpresën se do të pranohen.

Tani kur jemi në fund të këtij muaji të bekuar, këtë koncept dhe këtë praktikë duhet ta sjellim ndërmend më shumë se kurrë më parë. Sakrifica njëmujore që kemi bërë, që të jetë e pranuar, duhet ta ofrojmë tek Allahu i madhëruar në formën më të mirë të mundshme. Nga mësimet e Pejgamberit ﷺ  ne mësojmë që përmbyllja e këtij muaji duhet të bëhet, përveç tjerash, me dhënie të lëmoshës ose sadakasë së fitrit, rëndësia e të cilës është e madhe, si në raport me dhënësin po ashtu edhe me marrësin e saj. 

Xhematlinj të nderuar!

Para se të shpjegojmë rolin dhe rëndësinë që ka me theks të veçantë sadakaja e fitrit, do të donim të bëjmë një përmbledhje rreth rëndësisë së sadakasë në përgjithësi. Pejgamberi ﷺ duke na folur për sadakanë ka thënë: “…dhe lëmosha është argument – dëshmi.”[2]

Për çfarë është argument lëmosha? Është argument i besimit. Pasuria është gjë e dhimbshme. Dëshmi për këtë mund të merret mundi dhe sakrifica që japin njerëzit për të. E kur besimtari e jep atë, atëherë dhënia e saj reflekton se feja tek ai qenka më e shtrenjtë se pasuria. Nga këtu shpërblimi për të është i madh. Allahu i madhëruar thotë:

﴿ مَّن ذَا الَّذِي يُقْرِضُ اللَّهَ قَرْضًا حَسَنًا فَيُضَاعِفَهُ لَهُ أَضْعَافًا كَثِيرَةً ﴿٢٤٥﴾‏

Kush do t’i japë Allahut një hua të bukur, që Ai t’ia kthejë shpërblimin shumëfish?…” [Bekare: 245]

Lëmosha është mënyra se si besimtari për gabimet e mëkatet shmang hidhërimin e Allahut të plotfuqishëm dhe të shuajë mëkatet. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Lëmosha shuan mëkatin, ashtu sikur uji e shuan zjarrin!”[3]

Besimtarë të nderuar!

Lëmosha çdoherë është e mirë, por në Ramazan siç na ka mësuar Pejgamberi ﷺ, është edhe më e mirë.[4] Këtu mbase qëndron shpjegimi pse Pejgamberi ﷺ, që gjithmonë ishte bujar, në Ramazan e shtonte bujarinë edhe më shumë. Lëmosha e Ramazanit dallon nga lëmoshat e rëndomta për shkak të normës dhe efektit. Ibën Abbasi r.a., transmeton: “Pejgamberi  a.s., e obligoi zekatin e fitrit si pastrim për agjëruesin (nga gabimet eventuale në agjërim) dhe si ushqim për meskinët. Kush e jep para namazit është zekat i pranuar ndërsa kush e jep pas namazit, ajo mbetet lëmoshë e rëndomtë.”

Pra, sadakaja e fitrit është:

  • obligim
  • jepet për ta pastruar agjëruesin nga gabimet e mundshme dhe të paqëllimta gjatë agjërimit
  • jepet për ta gëzuar një të varfër që edhe ai të mos ndihet keq ditën e festës kur të gjithë kremtojnë përfundimin e muajit të adhurimit.

Të nderuar vëllezër,

Siç e dini, Bashkësia Islame e Kosovës, me institucionet e saja administrative dhe arsimore, funksionon edhe falë këtij kontributi që besimtarët tanë dhurojnë çdo vit, andaj, edhe kësaj radhe apelon tek të gjithë ju që këtë kontribut ta jepni në këshillat lokalë të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, për të vazhduar bashkërisht rrugën tonë drejt sukseseve, veçmas në fushën e arsimit dhe edukimit fetar. Nën ombrellën e Bashkësisë islame të Kosovës funksionojnë dy institucione arsimore të cilat për dekada kanë vazhduar dhe vazhdojnë të nxjerrin kuadro për të qenë në shërbimin tuaj. Medreseja Alaudin, me mijëra nxënës të diplomuar, dhe Fakultetin i Studimeve Islame me mbi tetëqind (800) studentë të diplomuar dhe kualifikuar profesionalisht për shërbime fetare, që kanë nevojë për ndihmën tuaj. Rëndësia e dhënies së zekatit dhe sadakasë për këto institucione qëndron në rolin dhe misionin që këto institucione kanë, nga njëra anë, dhe në shpërblimin rrjedhës që ka për dhuruesit nga ana tjetër. Të kontribuosh materialisht për përgatitjen e një kuadri fetar d.t.th., të kontribuosh në vazhdimësinë e fesë së Zotit në këto troje, në vazhdimësinë e frymës tradicionale që institucionet tona e kanë kultivuar për dekada, të kontribuosh me një vepër shpërblimin e së cilës e ke edhe pas vdekjes.  

Në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, ne ju falënderojmë për çdo kontribut që kenë dhënë dhe vazhdoni të jepni. Paçim agjërim e vepra të pranuara!


[1] Shih Tefsirin e Sa’dit.

[2] Muslimi.

[3] Shih: Tahrixhu Mushkileti-l-fakri, nr. 117.

[4] Shih hadithin: “Lëmosha më e mirë është në Ramazan.” (Tirmidhiu).

Shfaq më shumë në Hytbe

Shfleto

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, me rastin e festës së Kurban Bajramit

Vëllezër dhe motra,Të dashur qytetarë!Sot është dita e parë e Kurban Bajramit. Në këtë mën…