Më 25 maj u mbajt mbledhja e radhës e redaksisë së revistës “Dituria Islame”, në të cilën morën pjesë kryeredaktori Mr. Ajni Sinani, sekretari i Redaksisë Mr. Rexhep Suma, si dhe anëtarët tjerë të redaksisë. Mbledhja u hap me një ashere nga Kurani, të kënduar nga prof. Ekrem Maqedonci, kurse më pas kryeredaktori Sinani falënderoi anëtarët e redaksisë për kontributin dhe mundin që janë duke dhënë në procesin e daljes së kësaj reviste, e që është në të mirë të opinionit të gjerë.
Ai me këtë rast falënderoi edhe Myftiun e Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava, për mbështetjen dhe interesimin pa rezervë në punët që po bëhen për daljen e kësaj reviste, dhe njëherazi falënderoi edhe drejtorin për Shtyp e Veprimtari Botuese, Ahmet ef. Sadriun, për vëmendjen dhe kujdesin e tij të vazhdueshëm që “Dituria Islame” të dal sa më mirë, dhe të jetë sa më afër lexuesit. Kryerdaktori Sinani më pas bëri një rezyme të dy numrave të fundit të revistës, gjegjësisht numrave 306 dhe 307, dhe më pas u hapën diskutime dhe u bënë analiza rreth temave dhe artikujve të botuar në dy numrat e fundit të revistës sonë “Diturisë Islame”.