(Kampanja e BIK-ut për solidaritet me agjëruesit)

Të dashur vëllezër!
Ramazani është një muaj i veçantë adhurimi, është një mundësi nga e cila mundohen të përfitojnë të gjithë besimtarët. Përshkrimi i shpërblimit për disa prej adhurimeve, si p.sh., për agjërimin dhe faljen, është magjepsës. Të të falen mëkatet p.sh., për agjërim dhe falje është vërtetë motivuese. Për këtë shkak, në të kaluarën, siç citohet sahabiu i nderuar Enesi r.a., besimtarët e kishin zakon që qysh në muajin Shaban të fillonin, përveç tjerash, edhe me dhënie të zekatit, që besimtarëve tua lehtësonin muajin ramazan , pra që preokupimi me sigurimin e idares dhe furnizimit të mos i largonte nga adhurimi.
Pikërisht për këtë qëllim, Bashkësia Islame e Kosovës, edhe këtë vit, siç jeni të informuar, po organizon kampanjën Sofra e Ramazanit, të cilën mëtojmë ta shndërrojmë në traditë. Po duam të jemi sa më pranë vëllezërve dhe motrave tona në nevojë. Për të qenë më korrekt në raport me ju, duam t’ju informojmë se vitin e kaluar, në bashkëpunim me ju, kemi shpërndarë hiç më pak se 35.000 (tridhjetepesëmijë) pako me ndihma ushqimore, për çka duam t’ju falënderojmë duke e lutur Allahun e madhëruar që tua shtojë të mirat dhe begatitë!

Xhematlinj të nderuar!
Ramazani është muaj i mëshirës. Largimi nga ushqimi dhe pija gjatë agjërimit fsheh në vete një sekret të madh shoqëror. Ashtu siç na ka mësuar Pejgamberi ynë, Muhammedi a.s., Allahu i madhëruar nuk ka nevojë për ushqimin dhe pijen tonë, që nënkupton se nëse ne gjatë agjërimit nuk reflektojmë, nuk tregojmë vlera dhe moral të larta, ne nuk ia kemi dalë që të agjërojmë ashtu siç kërkohet. Nëse uria që ndjejmë gjatë agjërimit nuk na ka vetëdijesuar karshi përgjegjësie materiale që kemi ndaj të tjerëve agjërimi ynë është i zbehur. Kjo për faktin se lidhjet tona nuk janë çfarëdo lidhjesh, raportet tona nuk janë çfarëdo raportesh. Allahu i madhëruar dhe i Dërguari i Tij na kanë mësuar se ne jemi vëllezër dhe motra ndërmjet vete dhe se kjo lidhje duhet patjetër të reflektojë. Allahu i madhëruar thotë:
‎﴿ إِنَّمَا الْمُؤْمِنُونَ إِخْوَةٌ فَأَصْلِحُوا بَيْنَ أَخَوَيْكُمْ ۚ وَاتَّقُوا اللَّهَ لَعَلَّكُمْ تُرْحَمُونَ ‎﴿١٠﴾
“Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër…” [Kur’ani: Huxhuratë: 10]
Pejgamberi Muhammed a.s., ka thënë: “Myslimani është vëlla i myslimanit…”
Kjo vëllazëri e jona prodhon efekte konkrete, respekti në raport me njëri-tjetrin na bën të shkrihemi ose ta shohim veten tek tjetri. Pa këtë elementi jo vetëm vëllazëria por as besimi ynë nuk është i plotë. Pejgamberi as., ka thënë: “Nuk ka besuar plotësisht ndokush prej jush përderisa për vëllanë të mos e dëshirojë atë që e do për vete.”
Të parët tanë e kanë kuptuar thellësisht këtë raport ndërmjet besimit dhe vëllazërisë. Musavir Verraku, sa për ilustrim, ka thënë: “Nuk i kam thënë dikujt: ‘të dua për Allah’, e pastaj t’i ndali diç nga dynjaja.”
Kështu duhet të jemi, vëllezër që interesohemi për njëri-tjetrin dhe që e ndihmojmë njëri-tjetrin. Kështu arrijmë të jetësojmë praktikisht mësimet e Islamit, në përgjithësi, dhe mësimet e objektivat e Ramazanit në veçanti. Vetëm sa për përkujtim, ndihma që ju ofroni, sado solide qoftë, ka vlerë të madhe tek Allahu i madhëruar. Ajo që ne japim të nevojtarët tek Allahu i madhëruar konsiderohet hua për të cilën Ai na shpërblen shumëfish.
﴿ مَّن ذَا الَّذِي يُقْرِضُ اللَّهَ قَرْضًا حَسَنًا فَيُضَاعِفَهُ لَهُ أَضْعَافًا كَثِيرَةً ۚ ‎﴿٢٤٥﴾‏
“Kush do t’i japë Allahut një hua të bukur, që Ai t’ia kthejë shpërblimin shumëfish…” [Kur’ani: Bekare: 245]
Pejgamberi ynë, Muhammedi a.s., ka thënë: “Po ju betohem për tre gjëra dhe po ua tregoj një hadith andaj mbajeni në mend: pasuria e robit nuk pakësohet duke dhënë sadaka…”

Të dashur vëllezër!
Tani kur kanë mbetur vetëm dhe dy ditë deri në përmbyllje të kësaj kampanje (-10 prill 2022), ne ju ftojmë që t’i përgjigjeni masivisht. Ende ka vëllezër dhe motra që presin ndihmat tona andaj të nxitojmë që ta gëzojmë një familje. Mos harroni, “Kush e ushqen një agjërues ka shpërblimi sikurse të tij (agjëruesit)…” dhe “Kush e njeh Allahun në ditë me bollëk, Allahu e njeh atë në vështirësi.”

Shfaq më shumë në Hytbe

Shfleto

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, me rastin e festës së Kurban Bajramit

Vëllezër dhe motra,Të dashur qytetarë!Sot është dita e parë e Kurban Bajramit. Në këtë mën…