Prishtinë,  5 qershor 2016
Urimi i Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava me rastin e fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit
RAMAZANI – MUAJ I MËSHIRËS
Të nderuar vëllezër e motra besimtarë!
Nesër më 06. Qershor 2016, është dita e parë e Ramazanit, ndaj më lejoni që në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së  Kosovës, në emër të organeve dhe institucioneve të saja dhe në emrin tim personal, t’u urojë të gjithë besimtarëve fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, duke e lutur Allahun xh.sh., të pranoi agjërimin dhe adhurimet e tjera, të cilat i bëjmë në shenjë Madhërimi ndaj Tij.
Sinqeriteti dhe besnikëria janë vlera të pastra të cilat rezultojnë nga agjërimi i muajit të Ramazanit, ngase këto janë obligime që dalin nga Kurani, me qëllimin e vetëm që përmes agjërimit të arrijmë kënaqësinë dhe devotshmërinë shpirtërore, duke iu përkushtuar gjatë këtij muaji edhe më shumë besimit që e ndien besimtari në shpirtin dhe zemrën e tij.

Vëllezër e motra!
Mëkatet e mëparshme të mos jenë pengesë e pendimit, e lutjeve edhe gjatë këtij muaji, që jetës ti japim kuptim,që agjërimit ti japim vlerë. Dyert e kësaj feje universale për mbar botën gjithherë janë të hapura dhe mëshira e të Madhit Zot në raport me njeriun gjithherë është prezente.
Zoti xh. sh.  thotë:
Muaji i Ramazanit që në te (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë……”El-Bekare-185.

Ramazani ky muaj i mëshirës po troket në dyert dhe vatrat tona, prej nesër begatitë e këtij muaji do të fillon t’i shijon edhe zemra dhe shpirti i çdo besimtari. Të gjithë myslimanët e botës do të sakrifikojnë nga vetja për të agjëruar dhe Madhëruar Allahun edhe më shumë se muajve tjerë,duke u përpjekur të ripërtërijë vlerat më madhore të Ramazanit.
Myslimanët e mbarë botës janë të gëzuar për ardhjen e këtij muaji në të cilin nuk marrin fund begatitë e Allahut, të cilat vetëm mund të përjetohen por jo edhe të shpjegohen,ngase ky është muaj i mëshirës,lutjeve,pendesës,adhurimit,muaj i Kuranit,muaj i shpëtimit.
Ramazani është mburojë e besimtarit,është thirrje mbi dinjitetin dhe përgjegjësinë e cila forcon marrëdhëniet e njeriut me Zotin, me familjen dhe shoqërinë, të cilat i ngrit gjatë këtij muaji në nivel edhe më të lartë me Zotin Krijues.
Allahu xh.sh. thotë:
E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua”. El-Be-kare-186.

Të nderuar besimtarë!
Po hyjmë në muajin e mëshirës, e faljeve, e shpëtimit, muajin ku edhe lutjet drejtuar Zotit pranohen më shumë, muajin e mirësive të panumërta. Ndaj këto të mira – të nderuar Vëllezër e motra – i arrijmë me adhurim, agjërim, lutje drejtuar Zotit, me lexim të Kuranit, me sadaka-ndihmë atyre që kanë nevojë.
Agjërimi i muajit të Ramazanit na porositë duke thënë: ”Nuk është koha që të vdesim në rrugën e Zotit,por është koha që të jetojmë në harmoni të plotë me të gjithë njerëzit, e kjo është rruga e Zotit”.
E kemi obligim fetarë që në këtë muaj edhe më shumë të ndihmojmë të varfrit, njerëzit në nevojë,duke begatuar sofrat e tyre edhe më shumë gjatë këtij muaji të shenjët. Duke bashkuar lutjet tona gjatë këtij muaji si asnjëherë më parë, duke u lutur që të marrin fund luftërat,vrasjet e njerëzve të pafajshëm, që në botë të mbretëroi paqja, harmonia dhe bashkëjetesa mes njerëzve.
Larg, vrasjeve, torturave, dhunimeve, larg çdo ekstremizmi, radikalizmi e terrori. Zemrat tona të mbushen me dashuri e mbarësi e jo urrejtje e vrazhdësi. Në këtë mënyrë botën do ta bëjmë më të mirë, më të sigurt, më joshëse për fëmijët tanë, dhe brezat që do të vijnë sepse kështu na mëson Islami.

Të nderuar e shumë të respektuar besimtarë!
Më lejoni që në fund tua uroi këtë muaj të shenjtë të Ramazanit, të gjithë besimtarëve në Kosovë, dhe brenda trojeve tona etnike shqiptare, por edhe të gjithë vëllezërve dhe motrave në mërgatën tanë kudo që ata gjenden.
Zoti na pranoftë agjërimin dhe adhurimet e tjera edhe gjatë këtij muaji të shenjët të Ramazanit.

Myftiu i Kosovës
Naim ef. Tërnava

Shfaq më shumë në Fjalime

Shfleto

Fjala e Myftiut Naim ef. Tërnava në promovimin e tri veprave të tij

I nderuari reis i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir ef. Fetahu, I n…