Shpërthimet  tmerruese në Lindjen  e Mesme, pamjet e të cilave i  shohim në ekranet e vogla televizive, kanë për pasojë  marrjen e shumë jetërave të   civilëve   dhe njerëzve  të pafajshëm. Përgjegjësinë e këtyre akteve,  zakonisht e marrin  përsipër  organizata me atribute islame, edhe pse  këto veprime nuk kanë asgjë të  përbashkët me Islamin dhe parimet e tij.

Kosova, me gjithë krajatat e shumta me të cilat u ballafaqua gjatë dy dekadave të fundit të shekullit njëzet, por edhe këtij dhjetëvjetëshi të mileniumit të tretë, në aspektin fetar  nuk pati probleme  që vlen të theksohen. Me gjithë provokimet e shumta, populli i Kosovës u tregua i përmbajtur dhe nuk lejoi asnjë herë që të luhet me kartën  e fesë, sepse kjo çështje është shumë e ndjeshme dhe me pasoja të paparashikueshme për cilën do shoqëri qoftë ajo, dhe sidomos për shoqërinë tonë, për shkak të diversitetit fetar, etnik e gjuhësor dhe pozitës së Kosovës në një udhëkryq ku bashkohen Lindja me Perëndimin,  Islami me Krishterimin.

 Pas përfundimit të luftës  dhe kthimit të shqiptarëve nga exili i imponuar nga okupuesit serb, në Kosovë invaduan me qindra shoqata humanitare si nga Lindja ashtu edhe nga Perëndimi, me qëllim që ta ndihmojnë popullin e Kosovës nga pasojat e agresioni serb. Si çdo kund në botë,  edhe këtu, në prapaskenë zhvilloheshin edhe  aktivitete të propagandës fetare, ku secili dëshironte  të fitonte sa më shumë simpatizues në anën  e tij. Në veçanti, në momentet e pas luftës, kur njerëzit kanë nevojë për shumë çka.

Në këtë aspekt, mediat tona,  më tepër  nën ndikimin e mediave botërore, se sa nga të dhënat burimore  paralajmëronin rrezikun e mundshëm të depërtimit të Islamit  ekstrem, apo, ajo që në media njihet si  rryma vehabite, e cila mund të përhapej nga shoqatat islame që po vepronin atë botë në Kosovë.  
Zakonisht kjo mund të ndodh  pas krajatave dhe  luftërave, kur njerëzit   kanë nevojë për një mbështetje shpirtërore, të cilën mund ta gjejnë në fetë dhe besimet e ndryshme. Këtë, e dinë shumë mirë personat përgjegjës që punojnë dhe veprojnë në kuadër të shoqatave të ndryshme humanitare, qofshin ato islame apo të krishtera, sepse ato  kanë sektorët për propagandë fetare.

Në Kosovë, ku përqindja e popullatës së besimit islam është mbi 90%, u ka dhënë legjitimitet të plotë veprimit të shoqatave humanitare islame, sepse ato po vepronin në terren të tyre. Ashtu siç nuk ka munguar edhe aktiviteti i shoqatave humanitare të krishtera, me qëllim të përfitimit të aderuesve dhe simpatizuesve të rinj në një terren të ri, por që, për shkak të së kaluarës komuniste, rinia shumë lehtë  mund të konvertohet në një besim të ri. Në veçanti kur asaj mund t’i shtohen stimulset që ato mund të ofrojnë për rininë kosovare,  si dhe orientimit  të qindpërqind properëndimor të establishmentit politik të Kosovës, pas ndihmës së pakursyer që Perëndimi në momentet më të vështira i dha popullit të Kosovës.
Në këto rrethana, në Kosovë  po zhvillohej një luftë jo e barabartë, në mes vazhdimësisë  së popullit të Kosovës në identitetin islam, apo kthimit të  tij  në rrënjët e kahershme të krishtera. Kjo, propagandë në fillim të dekadës së fundit të shekullit njëzet nuk vinte nga qarqet kishtare, por ajo po vinte nga mendjet më të ndritura të inteligjencës  shqiptare! Një intelektual i yni, në një simpozium shkencor ndërkombëtar, emigrimin e shkrimtarit tanë të madh, Ismail Kadare nga Tirana në Paris e kishte përshkruar  si simbol të emigrimit  të shqiptarëve nga Lindja në Perëndim dhe kishte profetizuar se pas këtij akti pritet konvertimi kolektiv i shqiptarëve nga feja Islame në fenë e Krishterë! Një qasje e këtillë, rezultoi me polemika të zhvilluara kohë më parë, pikërisht për identitetin e shqiptarëve,  në mes dy kolosëve të letrave shqipe – Ismail Kadaresë që kërkonte kthimin në rrënjet e kulturës perëndimore dhe  Rexhep Qosjes i cili mbron idenë e ruajtjes së identitetit të tyre.

Në këto rrethana, te çdo popull instinktivisht aktivizohet ndjenja e vetëmbrojtjes për ruajtjen e identitetit, veçanërisht kur ai është në rrezik. Kjo ndjenjë u aktivizua edhe tek populli shqiptar jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri. Edhe pse në kushte dhe rrethana jo të barabarta ruajtja e identitetit islam jo vetëm se mbijetoi, por ai edhe shënoi  një zhvillim  të dukshëm. Kjo,  vërehet  më së miri në pjesën më vitale të shoqërisë shqiptare,  tek të rinjtë dhe të rejat. Ditëve të premte xhamitë nuk kanë mundësi të pranojnë numrin e  madh të rinisë, të cilët ia mësyjnë xhamive të qyteteve. Vlen të theksohet se kjo masë mbrojtëse tek ne kosovarët është manifestuar me një fanatizëm të rrallë gjatë sundimit afër një shekullor të okupimit serb.

 Andaj, qasjet sterotipe, që i janë bërë deri më tash  dukurisë së identifikimit  të njerëzve me fenë, qoftë në media, qoftë në qarqe shkencore, nuk kanë dhënë  rezultatet e  duhura. Shfaqja e dukurive fetare në shoqëri kërkon një studim shumë dimensional  e multidisiplinar dhe pa paragjykime, në mënyrë që të mos kthehet në dëm të shoqërisë dhe të mos rrezikoj interesat e saj.

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

HIXHRETI I PEJGAMBERIT A.S.– NJË FAQE E RE NË HISTORINË E NJERËZIMIT

(Shkruan: Resul ef. Rexhepi) إِلَّا تَنصُرُوهُ فَقَدْ نَصَرَهُ اللَّهُ إِذْ أَخْرَجَهُ الّ…