Prishtinë, më 18 gusht 2023

Me rekomandim të kryetarit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim ef. Tërnava, sot, në të gjitha xhamitë e Kosovës, në hytben e xhumasë, u ligjërua tema “Që gëzimet tona të mos shndërrohen në tragjedi”, kushtuar mospërdorimit të armëve gjatë ahengjeve, dasmave.

Vëllezër besimtarë!
Jemi në muajt e verës, muajt e gëzimit, ahengjeve, dasmave, ku bëhemi bashkë, vëllezër, farefis, miq e dashamirë dhe festojmë fejesat, martesat, synetitë…Ajo çfarë i bën këto tubime tona edhe më madhështore është prania e diasporës sonë, të cilët nga larg, marrin udhë dhe vijnë e kalojnë pushimet mes nesh. Këto gëzime e manifestime, ndonjëherë, për shkak të disa zakoneve, siç është ajo e përdorimit të armëve, po zbehen shumë për të mos thënë se po shndërrohen në tragjedi. Prandaj, në hytben e kësaj xhumaje, nisur nga misioni që kemi por edhe në shenjë bashkëpunimi me institucionet tona shtetërore, do të flasim për këtë çështje e cila ka rëndësi të madhe për sigurinë tonë, të familjeve tona dhe të shoqërisë në përgjithësi.

Xhematlinj të nderuar!
Është traditë fetare që fejesat e martesat të bëhen publike, sikur që është traditë të organizohen edhe manifestime, veçmas për martesën, por duke mos tejkaluar kufijtë dhe limitet, si në shprehjen e gëzimit, si në shpenzime. Kjo për shkak të rëndësisë së madhe të martesës. Allahu i madhëruar duke na folur për këtë rëndësi thotë:
‎﴿ وَمِنْ آيَاتِهِ أَنْ خَلَقَ لَكُم مِّنْ أَنفُسِكُمْ أَزْوَاجًا لِّتَسْكُنُوا إِلَيْهَا وَجَعَلَ بَيْنَكُم مَّوَدَّةً وَرَحْمَةً ۚ إِنَّ فِي ذَٰلِكَ لَآيَاتٍ لِّقَوْمٍ يَتَفَكَّرُونَ ‎﴿٢١﴾
“Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.” [Rrum: 21]
Një nga fenomenet negative të përhapura në dasmat e ahengjet tona është edhe gjuajtja me armë në shenjë gëzimi duke mos qenë të vetëdijshëm për pasojat që ky veprim mund të ketë, qoftë duke i frikësuar të tjerët apo edhe duke i dëmtuar.
Përdorimi i armëve, në fakt, është një fenomen që po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha edhe jashtë dasmave e ahengjeve. Shumë vrasje, grabitje, e krime tjera që ndodhin në shoqërinë tonë, ndodhin për shkak të armëve të paligjshme. Kjo pra cenon sigurinë tonë në nivel individual e shoqëror dhe si e këtillë ndeshet me fenë dhe mësimet e saja. Pejgamberi Muhamed ﷺ ka thënë:
لَا يَحِلُّ لِمُسْلِمٍ أَنْ يُرَوِّعَ مُسْلِمًا
“Nuk i lejohet një myslimani ta frikësojë një mysliman!”
Po kështu ka ndaluar që t‘i drejtohet arma vëllait, madje qoftë edhe për shaka, për shkak të gabimeve që mund të ndodhin e të cilat kushtojnë me jetë.
لا يُشِيرُ أحَدُكُمْ علَى أخِيهِ بالسِّلاحِ؛ فإنَّه لا يَدْرِي لَعَلَّ الشَّيْطانَ يَنْزِعُ في يَدِهِ، فَيَقَعُ في حُفْرَةٍ مِنَ النَّارِ
“Le të mos ia drejtojë ndokush vëllait të vet armën sepse ai nuk e di, mbase djalli bën që arma t’i lëvizë në dorë e kështu të bie në një gropë të ferrit.”
Pra, mos ia drejtoni njëri-tjetrit armën as për shaka, për shkak të pasojave që mund të ketë, respektivisht për shkak të vrasjes që mund të ndodhë. Ndalesa e përmendur në këtë hadith është bërë për ta ruajtur sigurinë shoqërore dhe për t’i ruajtur raportet ndërmjet nesh. Po kështu është bërë për të parandaluar çdo gjë që mund të çojë në dëmtimin e të tjerëve.
Në këtë hadith na bëhet me dije se sa mëkat i rëndë është vrasja edhe kur nuk bëhet me qëllim, e tani paramendoni se çfarë mëkati është ta mbysësh myslimanin qëllimisht. Allahu i madhëruar duke na folur për këtë thotë:
‎﴿‏ وَمَن يَقْتُلْ مُؤْمِنًا مُّتَعَمِّدًا فَجَزَاؤُهُ جَهَنَّمُ خَالِدًا فِيهَا وَغَضِبَ اللَّهُ عَلَيْهِ وَلَعَنَهُ وَأَعَدَّ لَهُ عَذَابًا عَظِيمًا ‎﴿٩٣﴾
“Kushdo që vret një besimtar me qëllim, ndëshkimi i tij është Xhehenemi, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë. Allahu është zemëruar me atë, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur një dënim të madh.” [Nisa: 93]
Këto veprime bien ndesh me mësimet islame të cilat raportet ndërmjet nesh i ndërtojnë mbi bazën e drejtësisë, vlerësimit, respektimit, jo ndryshe.
﴿ إِنَّ اللَّهَ يَأْمُرُ بِالْعَدْلِ وَالْإِحْسَانِ وَإِيتَاءِ ذِي الْقُرْبَىٰ وَيَنْهَىٰ عَنِ الْفَحْشَاءِ وَالْمُنكَرِ وَالْبَغْيِ ۚ يَعِظُكُمْ لَعَلَّكُمْ تَذَكَّرُونَ ‎﴿٩٠﴾‏
“Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” [Nahl: 90]

Besimtarë të nderuar!
Si pjesë e kësaj shoqërie që jemi, qoftë si individë, qoftë si institucione, e kemi për detyrë që të reagojmë ndaj fenomeneve negative çfarëdo qofshin ato. Ky është një detyrim i përbashkët që ia kemi borxh njëri-tjetrit. Ne duke ruajtur sigurinë në fakt sigurojmë kushtet për një zhvillim më të mirë shoqëror e ekonomik. Nisur nga këtu por edhe në shenjë bashkëpunimi me institucione e organizata tjera, ne i përgjigjemi thirrjes për bashkëpunim dhe përcjellim tek secili prej jush mesazhin e drejtë dhe me vend që të festojmë me zemër e jo me armë.
Kërkojmë nga të gjithë ju të pranishëm në këtë ditë të madhe të xhumasë që të krijojmë ambient të sigurt gjatë festave tona familjare, mos të përdorim armë sepse mund të bëhemi shkak për dëmtime materiale apo, mos e dhëntë Zoti!, edhe mbytjen e dikujt.

Shfaq më shumë në Hytbe

Shfleto

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, me rastin e festës së Kurban Bajramit

Vëllezër dhe motra,Të dashur qytetarë!Sot është dita e parë e Kurban Bajramit. Në këtë mën…