Fjala e Myftiut të Kosovës, Mr. Naim Tërnava mbajtur në Akademinë kushtuar Mulla Sadri Prestreshit, më 22 shkurt 2012 në Prishtinë.
E nderuara familja Prestreshi!
Të nderuar efendilerë!
Të nderuar mysafirë!
Vëllezër e motra!
Më lejoni që fillimisht t’ju përshëndes në emër të kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, në emrin tim personal, dhe t’ju shpreh nderimin e respektin e merituar të gjithë brezave të hoxhallarëve që kontribuuan në çfarëdo mënyre për të transmetuar deri tek ne Amanetin e Zotit – Fenë Islame.
– të shpreh nderimin e respektin për ideologët, prijësit dhe veprimtarët nacionalistë të çështjes kombëtare, të cilët në kohët e duhura i dolën zot atdheut, fesë e popullit tonë.
– të shpreh nderimin e respektin për të gjithë dëshmorët që ranë për lirinë e Kosovës.
Të nderuar të pranishëm!
Jemi bashkuar sonte, në këtë akademi përkujtimore, në 10 – vjetorin e kalimit në Botën e Amshueshme të hoxhës, alimit e atdhetarit të shquar e të devotshëm Sadri ef. Prestreshit, i cili me punën, angazhimin dhe veprimtarinë e tij, prej atdhetari, aktivisti e patrioti të përkushtuar,të imamit, alimt e predikuest të devotshëm, e më pastaj edhe pedagogut e myderrizit në medresenë “Alaudin”. Eshtë shembull se si duhet, sakrifikuar e punuar për vatan, për komb e fe.
Sadri efendiu ishte një shembull model, ishte një shembull tipik i atyre burrave patriotë e të ditur, të cilët sakrifikuan vetën për t’u bërë dritë të tjerëve. Mulla Sadriu iu bashkua radhëve të gjata të këtyre burrave dhe jo vetëm që iu bashkua por idealin e tyre e vazhdoi dhe e përcolli edhe tek të tjerët, tek gjeneratat e reja.
Këto ideale ai i përcolli në tri rrafshe: në rrafshin e arsimit, si mësues i shkollës shqipe, në rrafshin e organizimit politik në kuadër të NDSH-së, ku u angazhua me tërë qenien dhe potencialin e tij, dhe në rrafshin e arsimimit dhe edukimit shpirtërore si imamë, hoxhë e myderriz në medrese.
Në të tri këto segmente Sadri efedniu u dëshmua si personalitet i përkushtuar e i vendosur që nga vetja të jepte më të mirën për popullin dhe vendin e tij.
Në edukimin, brumosjen dhe formimin intelektual e atdhedashës të Sadri efendiut së pari kishte ndikuar familja, që shuhej si familje me traditë, pastaj kishin ndikuar myderrizët e tij në medresenë “Pirinaz” të Prishtinës Hamdi ef. Ibrahimi, Ahmet Mardoçi dhe Haxhi Iljaz ef. Shasivari.Sigurisht edhe ideologët dhe patriotët e shquar të kombit, siç ishin Myderriz Ymer Prizreni, Haxhi Zeka, Hasan Prishtina, Mehmet Sezai, Nazim Gafurri Ferat Draga etj.Pastaj bashkohanikët e tij Mulla Idriz Gjilani, Haki ef. Sermaxha, Iljaz Broja, Asim Luzha, Hamit Sllovia etj.
Dashuria ndaj Atdheut Sadri efendiun e bashkoi me patriotë e atdhetarë të shquar, si me profesor Ymer Berishën, profesor Gjon Serreçi, Azem Bellacevcin, Hoxhë Avidunë e shumë të tjerë. Myderrizi Sadri ef. Prestreshi në radhët e NDSH-së, qe një personaliet i besës e i fjalës, një personaliet i përkushtuar e i dëshmuar, një personalit me virtyte e me karakter të fortë. E për këtë më se miri flet letra e Prof. Gjon Serreçi që ia kishte drejtuar Mulla Sadrise, ku ndër të tjerash i shkruante:
“ Kemi dishir që (të) takohemi personalisht ku mund të marrish instruksione mbi luftën Nacional Demokrate Shqiptare në Rejonin e Organizimit t’onë N‑2.
Sido qoft Ti mos e ndal hovin e veprimit t’and se koha nuk pret e bash Ti ke fat që punës së Organizimit t’onë ti ndihmojsh me fjalen taktike t’anden.
Të porositi që të hetojsh vetë gjurmet e njerëzvet t’onë besnik mbasi të baj disa hetime mbi qendrimin t’and në proçesin rreth çështjes s’onë. Kjo gja asht e nevojshme edhese ti je me të vërtet shpresa ndër ma të mira të Lidhjes s’onë Nacionalistave Demokratë shqiptar”.
Aktivitetin e tij Mulla Sadria në radhët e NDSH-së e vazhdoi deri në momentin kur u arrestuar nga OZNA, por edhe para njerëzve të OZN-ës, dhe në burgjet e Jugasllavisë, Myderrizi ynë qëndroi i pathyer e stoik, nuk pranoi në asnjë mënyrë dhe me asnjë çmim që të jepte shokët e idealit dhe të zbulonte Lëvizjen, pra edhe gjatë gjykimit e më pastaj edhe në burg Mulla Sadriu mbeti shembull.
Pas daljes nga burgu, Mulla Sadria vazhdoi misionin e tij në shërbim të shkollës shqipe, e me t’u krijuar kuadrot për shkollë, ai iu kthye detyrës së imamit, punë që e bëri me shumë përkushtim. Puna si imam e Mulla Sadrisë nuk mbeti pa u përcjellë nga strukturat e asaj kohe, për se edhe shpeshherë ia ndërronin vendin e punës nëpër xhami të ndryshme.
Në vitin 1969, Mulla Sadria iu bashkua bashkohanikëve të tij duke filluar punën si myderriz në medresenë “Alaudin”. Edhe këtu së bashku me Mulla Rushid Osmanin, Hasan efedni Nahin, Haxhi Sherif Ahmetin, hfz. Muharrem Adilin etj,morën përsipër që të arsimonin e edukonin nxënësit e medresesë në frymën e duhur në ato ditë dhe kohë të vështira për fenë.
Në medrese kjo gjeneratë, përveç tjerash, përballej edhe me mungesën e literaturës dhe teksteve të nevojshme në gjuhën shqipe. Edhe në këtë fushë myderrizët tanë hodhën hapin e parë dhe hartuan e përpiluan secili në fushën përkatëse dhe për lëndët që mbanin tekstet e para shkollore në gjuhën shqipe nga fusha e islamologjisë tek ne. Myderiz Sadri efendiu përgatiti dy dispensa për lëndën e Ahlakut.
Si myderriz, Sadri efendiu punoi 15 vjet ku dha një kontribut të çmuar në edukimin e nxënësve, për të cilët nuk u kursye në asnjë moment. Rezultat i Sadri efendiut dhe myderrizëve të tjerë të asaj kohe janë gjeneratat të tëra të nxënësve që dolën nga medreseja dhe vazhduan rrugën dhe porositë e myderrizëve të tyre.
Të nderuar pjesëmarrës!
Është detyrë e jona që të kujtojmë figurat e ulemasë shqiptare sepse falë punës, aktivitetit dhe kontributit të tyre, ne sot kemi krijuar shtetin, institucionet tona shtetërore publike dhe islame, kemi shënuar rezultate të lakmueshme në shumë fusha dhe segmente të jetës.
Përderisa për shumë gjenerata, pra edhe për gjeneratën e Sadri efendiut, liria e Kosovës ishte ideal, për ne sot kjo është realitet, e në këtë realitet ne duhet që të kujtojmë, t’i vlerësojmë, t’i çmojmë dhe të mos i harrojmë për asnjë çast të gjithë ato personalitete dhe figura që sakrifikuan, punuan e vepruan për t’u krijuar ky realitet.
Vëllezër e motra!
Duke mos dashur që të zgjatem më shumë dhe pa dashur të hyjë në vlerësime dhe hollësi historike, edhe një herë shpreh gatishmërinë e Bashkësisë Islame të Kosovës që të kontribuojë në kujtimin dhe mos harresën e figurave të shquara që dolën nga radhët e popullit tonë. Ky mbetet për ne dhe Bashkësisë Islame të Kosovës një obligim dhe një amanet që duhet përmbushur. Dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.
Dëshiroi edhe njëherë para jush të falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në sesionin shkencor të paradites ,a në veçanti ata të cilët u paraqitën me kumtesa dhe dhanë një kontribut të çmueshëm në ndriçimin e personalitetit të efendi Sadri Perstershi.
Më lejoni të falënderoi të gjithë bashkë punëtorët e mi që dhanë kontribut që ky sesion dhe kjo akademi të jetë e suksesshme. Kjo është arritur falë edhe punës së palodhshme edhe të Ramadan Shkodrës, Sadik Mehmetit, Nuhi Simnicës, të cilët me përkushtim dhe pa lodhje punuan edhe në realizimin e këtij filmi dokumentar tw cilin do ta shohim pas pak,kushtuar jetës dhe veprës së hoxhës tonë.
Dhe në fund fare, e lusim Zotin e Madhëruar që të parët tanë, myderrizët tanë dhe dëshmorët tanë që ranë për lirin e vendit t’i gradoj me Xhenet.
E shpirtit të ndritur e të përvuajtur të Mulla Sadri ef. Prestreshit, të gjithë t’ia këndojmë nga një Fatiha! Lil-lahi el-Fatiha!
Prishtinë
22 shkurt 2012
Myftiu i Kosovës
Mr. Naim ef. Tërnava