Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim

 

Fjala e Myftiu të Kosovës, Mr. Niam Tërnava në hapje të sesionin shkencor “Myderriz sadri ef. Prestreshi- jeta dhe vepra” të mbajtuar në Prishtinë më 22 shkurt 2012.

 

E nderuara familja Prestreshi!

 

Të nderuar studiues!

 

Të nderuar efendilerë!

 

Të nderuar pjesëmarrës!

 

Të nderuar mysafir!

 

Zonja dhe zotërinj!

 

Jemi bashkuar sot, në këtë sesion shkencor, në 10 – vjetorin e ndarjes nga ne dhe nga kjo jetë, e hoxhës, myderrizit, arsimtarit e atdhetarit të shquar e të devotshëm Sadri ef. Prestreshi, i cili me punën, angazhimin dhe veprimtarinë e tij, prej teologu,atdhetari, aktivisti e patrioti të përkushtuar,rriti edhe më domethënien e vet jetës, dhe përkushtimit ndaj saj,ngase kishte kuptuar thellësisht qysh në rinin e hershme,rolin-detyrën e besimtarit  që duhet ta ket për një mirëqenie të përgjithshme fetare dhe kombëtare. Ndaj kontributi i tij si  imam, alim e predikues i fesë,mbrojtës i vlerave atdhetare është shembull se si duhet t’i përkushtohemi vatanit, kombit e fesë.

 

Myderriz Sadri ef. Prestreshi është vazhdimësi e hoxhallarëve dhe e ulemave që u angazhuan, sakrifikuan, luftuan e një numër i tyre ranë edhe shehidë-dëshmorë për mbrojtjen e vlerave të fesë e atdheut,për lirinë dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Për mua është nder  i madh dhe njëkohësisht edhe përgjegjësi, që po më jepet rasti edhe në këtë mënyrë për t’i thënë disa fjalë për Sadri efendiun.

 

Aq më tepër kur duhet të flasësh për mësuesin ,emri i të cilit  na i rikujton porosit për punën dhe përgjegjësit që i kemi marrë prej tij në raport me fenë dhe atdheun. Është edhe një nga punët më të vështira, sepse duke dashur të thuash shumëçka, mund të lësh pa thënë shumëçka.

 

Por në qoftë se më kërkohet që me pakë fjalë ta përshkruaj mësuesin tim, dhe të shumë kolegëve të mi, do të thosha se myderriz Sadri efendiu ka qenë dhe do të mbetet një ndër myderrizët më të shquar të Kosovës,dhe një prej pedagogëve më të mirë,të  medresenë “Alaudin”. Dhe jo vetëm kaq, por ai ishte edhe një hoxhë, imam, hatib e vaiz që ta kishte endja ta shihje, ta dëgjoje e të merrje këshilla e  mësime prej tij.

 

Pata fatin që personalisht ta njihja Mulla Sadri efendi Perstreshin qysh kur isha fëmijë, ngase shpesh herë  ai dhe shumë hoxhallarë të tjerë  vinin te axha im Mulla Adem Tërnava, në ndeja të ndryshme. Por ky fat më përcolli edhe më tutje në Medrese,  kur ai me ditar në dorë erdhi para nesh në klasë dhe filloi të na pajis me njohuri të reja.

 

Ai do të mbetet, përveç të tjerash, i paharruar, edhe për faktin se ishte ndër ata hoxhallarët e parë që duke ditur mungesën dhe nevojën për mësues, rroku ditarin dhe hapi shkollën e parë shqipe në fshatin Dobrajë të Lipjanit, e më pastaj edhe në fshatin Korraticë të Drenicës.

 

Sadri efendiu është veteran i shkollës shqipe; është njëri ndër emrat e shkollës shqipe që kurrë nuk do të harrohen.

 

Myderrizi dhe hoxha ynë, do të mbetet i nderuar, dhe i paharruar dhe do t’u bashkohet radhëve të atyre patriotëve që i bënë vetit vend në histori në kohën dhe rrethanat prej më të vështirave që kalonte populli ynë. Ai duke parë rrezikun që po i kanosej  shqiptarëve në Kosovë dhe në trojet e tjera në ish-Federatën Jugosllave pas Luftës së Dytë Botërore, do të bëhet një nga anëtarët  e parë të NDSh-së, e për më tepër ai do të jetë edhe sekretar i kësaj Lëvizjeje për Rrethin e Sitnicës. Ai do të bashkëpunoj më shumë patriotë e veprimtarë nacionalist, do të gjendej pranë tyre, dhe do t’i mbetet besnikë kauzës kombëtare për bashkimin e trojeve shqiptare deri në vdekje.

 

Idetë dhe pikëpamjet e tija prej një nacionalisti ai do t’ua përcjellë edhe nxënësve të tij në medrese. Me një mënyrë shumë të sofistikuar e të pavërejtur do të mbjellë tek ata ndjenjën e atdhedashurisë,ndjenjë e cila motivoi shumë nxënës të Medresesë që ata krahas mësimeve për fenë,të angazhohen edhe për ardhmërinë e vendit,dhe bashkimin e trojeve tona etnike shqiptare. Ndaj edhe një numër të konsiderueshëm të nxënësve i gjejmë të rreshtuar për të dhënë kontributin e tyre për atdheun tonë të copëtuar pa të drejt, dhe bashkimin e trojeve tona.

 

Ai shpesh herë na thoshte:”Ju djem nuk e dini se çka është shkau” kjo thënie e përsëritur shumë herë, ri zgjonte në masë ndjenjën e  atdhedashurisë tek ne.

 

Hoxha jonë shpesh herë na rikujtonte edhe thënien kuranore:

 

“.. All-llahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli (nuk ua largon të mirat) përderisa ata ta ndryshojnë veten e tyre…”(Er-rad-11)  

 

Të nderuar pjesëmarrës!

 

Duke mos dashur të zgjerohem më tepër për jetën dhe veprën e myderriz Sadri efendiut, sepse këtë më së miri dhe në mënyrë meritore do ta bëjnë studiuesit me kumtesat dhe kontributet e tyre, më lejoni që edhe njëherë të potencojë dhe të konfirmoj faktin se Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës do të vazhdojë me këmbëngulje të organizoj sesione, konferenca e simpoziume për ndriçimin dhe njohjen e figurave  të ulemave tanë me qëllimin përfundimtar ripërtëritjen dhe ringjalljen e trashëgimisë sonë të begat islame kombëtare. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës me këtë nuk synon glorifikimin dhe zmadhimin e figurave të kulturës sonë islame-shqiptare; ajo nuk synon as anatemimin dhe anashkalimin e të tjerëve, por synon, dhe kësaj do t’i mbetet besnik, paraqitjen dhe njohjen e atyre figurave ashtu siç kanë qenë në të vërtetë.

 

Ne do t’u jemi gjithmonë mirënjohës e falënderues brezave të kaluar për vlerat e çmuara që kanë ditur t’i ruajnë, t’i kultivojnë dhe t’i përcjellin deri tek ne.

 

Ne u jemi njëkohësisht edhe borxhli paraardhësve tanë, prandaj organizimi i sesioneve për ndriçimin e jetës dhe veprës së tyre, le të konsiderohet si një tentativë për shlyerje e borxhit ndaj tyre.

 

Të nderuar zonja dhe zotërinj!

 

Ky sesionin të cilin po e nisim sot këtu, nuk është aktiviteti i vetëm kushtuar myderriz Sadri ef. Prestreshit, por do t’u prijë edhe dy aktiviteteve të tjera, e para do të bëhet zbulimi i pllakës me emrin e Sadri ef. Prestreshit në xhaminë e Sofalisë, xhami kjo e cila që nga sot do ta ketë të gdhendur në hyrje të saj emrin e paharruar të Sadri efendiut, e më pastaj, do të mbahet edhe një Akademi përkujtimore me rastin e dhjetë vjetorit të ndarjes nga ne të Sadri efendiut, ku do të shfaqet edhe një film dokumentar kushtuar këtij myderrizi.

 

Duke ju dëshiruar punë të mbarë dhe suksese gjatë punës suaj në ndriçimin e jetës dhe veprës së myderriz Sadri ef. Prestreshit, në emër të K.B.I.K këtë sesion e quaj të hapur.

 

Ju faleminderit.

 

Prishtinë

22 shkurt 2012

Shfaq më shumë në Fjalime

Shfleto

Fjala e Myftiut Naim ef. Tërnava në promovimin e tri veprave të tij

I nderuari reis i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir ef. Fetahu, I n…