Në vigjilje të muajit të madhëruar të Ramazanit, më 4 qershor, Kryesia e BIK të Kosovës mbajti tubim konsultativ me kryetarët edhe kryeimamët e këshillave vendor të BI, ku qenë të pranishëm edhe pedagogët e FSI dhe profesorët e Medreseve.
“Jemi këtu që me ju, drejtuesit e Këshillave, me ju pedagogët e FSI e të medreseve, të shohim mundësinë më të mirë për organizim të aktiviteteve që do i kemi në terren me besimtarët gjatë muajit të madhëruar të Ramazanit. Drejtoritë tona janë në përgatitje e sipër të elaboratit për muajin e madhëruar të Ramazanit. Andaj, jemi këtu që të dëgjojmë edhe propozimet a sugjerimet tuaja, ku bashkërisht do të jemi gjatë Ramazanit me besimtarët tanë”, tha Myftiu Tërnava.
Kryeimami, Sabri Bajgora tha se si tradicionalisht janë bërë përgatitjet e nevojshme për Ramazan. Terreni do të mbulohet me ekipin që do jetë në nivel të Kryesisë, në të cilin do të përfshihen përfaqësuesit nga Kryesia, si dhe nga FSI e Medresetë. Ekipi i Ramazanit do të funksion në bashkëpunim e bashkërendim me këshillat vendor, ku do të vizitohen xhamitë kryesisht në namazin e drekës, me theks të veçantë ditëve të premte në namazin e xhumasë, e që do mbahen derse dhe hytbe, si dhe në namazin e Teravive.
Ahmet Sadriu, drejtor i veprimtari botuese tha si zakonisht drejtoria e botimeve ka bërë përgatitjen e Vaktisë së Ramazanit për territorin e Kosovës. Ai, po ashtu, i njohu të pranishmit edhe me projektin për e një sërë emisionesh fetare nga produksioni i BIK.
Drejtori për diasporë, Ekrem Simnica tha se duhet që të organizohemi sa më mirë që t’i presim e të jemi pran mërgimtarëve tanë, e të cilët këtë Ramazan do jen në vendlindje. Ai, po ashtu, u shpreh se përfaqësuesit e Kryesisë së BIK do të jenë të pranishëm edhe në diasporë gjatë muajit të Ramazanit.