8 gusht 2019

Nën këndimin e tekbireve, në mënyrë solemne, u bë hapja e xhamisë në fshatin Vërnicë të Mitrovicës. Në këtë ngjarje mori pjesë zëvendëskryetari i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Reshat ef. Mexhiti, drejtori për Diasporë në Kryesinë e BIRK-ut, Ekrem ef. Simnica, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Mitrovicës, Irfan ef. Krasniqi, hoxhallarë, si dhe shumë qytetarë të tjerë.

Pas leximit të ajeteve kuranore, një fjalë rasti para të pranishmëve, në emër të Këshillit të BI-së, së Mitrovisës, e mbajti kryetari i këtij Këshilli, Irfan ef. Krasniqi, i cili tha se: “Pa dyshim se është një ndjenjë e veçantë gëzimi, që na mundësoi që në këto ditë të veçanta, ditë të muajit Dhul Hixhe, ne të bëjmë një hapje solemne, një përurim të një shtëpie të Allahut xh.sh., në të cilën deri në ditën e kiametit do të madhërohet Allahu. Falënderojmë të gjithë banorët e fshatit, të cilët kanë ndarë nga kafshata e tyre për të kontribuar për këtë xhami, duke lutur Allahun që t’ua shumëfishojë pasurinë e tyre.”

Zëvendëskryetari i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Reshat ef. Mexhiti, pasi uroi dhe përgëzoi banorët për ndërtimin e kësaj xhamie, në fjalimin e tij ua rikujtoi banorëve të mirat dhe dobitë që ka ndërtimi i një xhamie. “Fillimisht më lejoni që në emër të Kryesisë së BIRK-ut dhe në emrin e Myftiut Tërnava, t’u përshëndes dhe t’u përgëzoj për këtë punë madhore, duke lutur Allahun që kjo dashuri për islamin dhe ky ibadet për Allahun të jenë punë kulmore, e që me të cilat do të arrihet ajo që është më e mira për ahiret. Xhamitë janë shtëpi të Allahut, për këtë Muhamedi a.s. në një hadith ka thënë: “Kush ndërton një shtëpi të Allahut në sipërfaqe të tokës, Allahu do t’ia ndërtojë një shtëpi në xhenet.” S’ka dyshim se kjo xhami që sot po i shtohet Mitrovicës është një gëzim, një dëshmi që ky popull është ndërtues i së mirës, është dëshmi që ky popull e donë vatanin, e donë dinin dhe ia duan të mirën vendit,” tha ndër të tjerash zëvendëskryetari Mexhiti.

Kryetari i Komunës së Mitrovisës Agim Bahtiri, në fjalën e tij përshëndetëse, i uroi dhe i përgëzoi banorët e fshatit për këtë xhami, për të cilën tha se do të sjellë vetëm paqe dhe harmoni për banorët e këtij fshati. “Kur ndërtojmë dhe hapim xhami, gjithmonë duhet të mendojmë se ajo është një objekt me të cilën ka filluar historia e njerëzimit, gjithë ata që kanë qenë pjesë e punëve të mira në përgjithësi e sidomos ata që ndihmuan ndërtimin e kësaj xhamie të jenë të bindur se kjo është një dhunti që Allahu ia ka dhënë që të bëj punë të mira”, tha ndër të tjerash kryetari Bahtiri.

Në fund, të pranishmit i përshëndeti edhe haxhi Bajrami, i cili ka kontribuar duke lëshuar tokën e tij për të ndërtuar këtë xhami. “Falënderoj Allahun që më ka dhënë këtë mundësi që të kontribuojë në ndërtimin e kësaj xhamie. E lus Allahun që t’ua shtojë të mirat të gjithë atyre që kanë kontribuar, e gëzofshim këtë xhami të gjithë së bashku”, tha ai.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Drejtori Simnica priti në takim nënkryetarin e Bashkësisë Kulturore dhe Fetare Shqiptare në Dramen të Norvegjisë, z. Rrustem Seferi

Prishtinë, më 24 prill 2024 Drejtori i Diasporës në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovë…