Sot, më datë 20.04.2018, ditë e premte, një delegacion i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, në krye me Myftiun Tërnava, bëri hapjen e xhamisë së fshatit Zhazhë të komunës së Mitrovicës.
Ndërtimi i xhamisë ishte rezultat i kontributit të banorëve të kësaj ane.
Gjatë fjalës së tij të rastit, Myftiu Tërnava përveç që uroi dhe përgëzoi banorët e fshatit, premtoi edhe finalizimin e punimeve në këtë xhami, si dhe rregullimin e oborrit.
Hutben e xhumasë e mbajti kryeimami i BIK-ut, Sabri Bajgora, i cili foli për rolin dhe vlerën e ndërtimit të xhamive dhe shpërblimet e mëdha që pasojnë për ata që kontribuojnë në ndërtim.
Këtë tubim me prezencën e tyre e nderuan edhe përfaqësues të komunës së Mitrovicës, ndër ta edhe nënkryetari Faruk Mujka.
Fshati Zhazhë nga qyteti i Mitrovicës është larg 10 km, ndërsa nga komuna e Zveçanit 7 km. Kulla e Hajzer Ahmet Pecit është ndërtuar në fillim të shek. XX. Dikur ishte ndër fshatrat më të mëdhenj të banuar me popullsi shqiptare në komunën e Zveçanit me gjithsej 107 shtëpi, ndërsa sot thuhet se jetojnë vetëm 24 familje.