Prishtinë, 11 qershor 2021

Me rekomandimin të kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim ef.Tërnava, në të gjitha xhamitë e Kosovës sot u mbajt hytbe me temë të njëjtë, e cila iu kushtua kujdesit që duhet të kemi në trafik. Kjo veprimtari e Bashkësisë Islame të Kosovës është ndërmarrë në mbështetje për kujdesin në trafik. Në mesazhin e hytbesë së kësaj të premteje, u theksua dhe u shpjeguan argumentet fetare pse jemi të obliguar edhe fetarisht të përfillim rregullat e trafikut dhe që të tregojmë kujdes të shtuar. Në mes tjerash në këtë hytbe nga imamët u tha se shifrat shqetësuese të aksidenteve në trafik përfshirë ato me fatalitet (lëndime serioze dhe vdekje) janë dukshëm më të mëdha gjatë periudhës janar – qershor 2021, në krahasim me vitet paraprake. Sipas statistikave, brenda pesë muajve të kaluar, kemi pasur një bilanc të tmerrshëm të aksidenteve me fatalitet. 50 qytetarë kanë vdekur ndërsa 5761 të tjerë janë lënduar. Shkak kryesor po del të jetë pakujdesia në trafik, andaj, në bashkëpunim me organet tona shtetërore, sot, hutben e kësaj xhumaje, do t’ia kushtojmë rëndësisë së sigurisë në trafik. Respektimi i shenjave të trafikut është detyrim që, përderisa nuk bie ndesh me fenë, duhet respektuar patjetër. Respektimi i këtyre rregullave nënkupton ruajtjen e jetës për vete dhe për të tjerët. Për këtë shkak, feja na urdhëron që të mos i ekspozohemi rreziqeve që mund të na kushtojnë me jetë. Allahu xh.sh., thotë: “…mos e çoni veten tuaj në shkatërrim…” [El Bekare, 195).

Ruajtja e jetës, siç dihet, është një ndër pesë objektivat kryesore të fesë. Për këtë shkak, dënohet rëndë cenimi i saj, qoftë ndaj vetvetes, qoftë ndaj të tjerëve. Shoferi është përgjegjës për dëmin që e shkakton nga pakujdesia dhe shkelja e rregullave. Për këtë shkak, kërkohet maturi. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Jini të matur dhe mos u ngutni sepse nuk është mirësi të nguteni.” Në koment të hadithit qëndron se nuk duhet ngutur kafshën ose mjetin e udhëtimit, pra nuk duhet vozitur me shpejtësi të madhe. Shoferi duhet patjetër të jetë i pajisur me leje të vozitjes. Rruga nuk është pronë individuale që dikush të ketë të drejtë ta uzurpojë, ngushtojë, devijojë. Ndalohet ndërmarrja e veprimeve që mund të shkaktojnë aksidente, si: prishja e rrugës, hapja e gropave, etj. Kjo ndalesë vlen edhe kur ndërhyrja në rrugë bëhet për qëllime të mira por që nuk vendosen shenjat paralajmëruese. Për këtë shkak, përkujdesja për rrugën është prej pjesëve të besimit dhe prej lëmoshës, derisa dëmtimi i saj është mëkat. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Besimi është shtatëdhjetë e ca degë: më e larta është dëshmia la ilahe il-laAllah ndërsa më e ulëta është heqja e pengesave nga rruga.” “Largimi i pengesave nga rruga është lëmoshë.”

Në fund të kësj hytbeje u kërkua që të përfillen rregullat e trafikut fetare dhe këtë etikë, ne, jo vetëm që do të ruajmë veten dhe të tjerët, do të ruajmë pasuritë tona dhe do të ndërtojmë një shoqëri që respektin e ndërsjellë e ka imazhin më të theksuar, por edhe do të fitojmë kënaqësinë dhe shpërblimet e Zotit. Nëse për mungesë respekti ndaj njëri tjetrit e për kërcënime fizike dhe për pengesa e dëmtime në rrugë janë paraparë dënime, për respekt e ruajtje të njëri tjetrit dhe për mirësjellje në rrugë janë paraparë shpërblime. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Një njeri kaloi pranë një dege të një peme që kishte rënë në rrugë, të cilën e largoi duke thënë: Pasha Allahun, do ta largoj që të mos i dëmtojë myslimanët. Allahu (e shpërbleu për këtë vepër dhe) e futi në Xhenet.”

Shfaq më shumë në Hytbe

Shfleto

U mbajt mbledhja e Këshillit organizativ për Konferencën “Myftiu dr. Rexhep Bojës – prijës vizionar dhe burrështetas i shquar”

Prishtinë, më 7 tetor 2024 Këshilli organizativ i Konferencës shkencore “Myftiu dr. Rexhep…