سَلَٰامٌ هِيَ حَتَّىٰ مَطۡلَعِ ٱلۡفَجۡرِ
“Paqe dhe shpëtim është ajo deri në shfaqjen e agimit.”
(Kuran, El-Kadër, 5)
Meqenëse tashmë gjendemi në dhjetëditëshin e tretë dhe të fundit të Ramazanit, për të cilin Pejgamberi (a.s.) ka thënë se është “itkun minen-niran” – “amnisti nga zjarri i xhehenemit”, atëherë plotësisht jemi edhe në pritje të Natës së Madhe të Kadrit.
Nata e Madhe e Kadrit është nata më e bekuar dhe më e begatshme që na ka dhuruar i madhi Zot. Këtë e konfirmon Kurani fisnik kur thotë:
حم. وَالْكِتاَبِ الْمُبيِنِ. إِناَّ أَنْزَلْناَهُ فِي لَيْلَةٍ مُباَرَكَةٍ إِناَّ كُناَّ مُنْذِريِنَ. فيِهاَ يُفْرَقُ كُلُّ أَمْرٍ حَكيِمٍ. أَمْرًا مِنْ عِنْدِناَ إِناَّ كُناَّ مُرْسَليِنَ. رَحْمَةً مِنْ رَبِّكَ إِنَّهُ هُوَ السَّميِعُ الْعَليِمُ.
“Hâ, Mîm. Betohem në librin sqarues (të së drejtës nga e kota). Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar (në Natën e Kadrit). Vërtet Ne gjithmonë u kemi tërhequr vërejtjen (i kemi paralajmëruar) njerëzit. Në atë natë zgjidhet çdo çështje e urtë. Urdhër i përcaktuar nga vetë Ne, e s’ka dyshim se Ne dërguam të dërguar, si mëshirë prej Zotit tënd. Me të vërtetë, Ai i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha.”
Fillimi i shpalljes së Kuranit
Kurani, pra filloi të shpallej në Natën e Kadrit, të cilën Allahu e quajti të bekuar dhe për të cilën tha së “në këtë natë zgjidhet çdo çështje e urtë”, që do të thotë se përcaktohet kaderi – caktimi për të gjitha krijesat për vitin që vjen. Me një fjalë, kemi të bëjmë me natën më të vlefshme të tërë vitit, për natën të cilën i madhi Zot e ka quajtur “Lejletu-l-Kader” – “Nata e çmueshme”. Mjafton si nderim për këtë natë dhe fakti se i Madhi Zot ia ka kushtuar një sure të plotë me këtë emër në Kuran, që quhet “Suretu’l-Kadr” dhe ajetet e saj janë:
إِنَّآ أَنزَلۡنَٰهُ فِي لَيۡلَةِ ٱلۡقَدۡرِ. وَمَآ أَدۡرَىٰكَ مَا لَيۡلَةُ ٱلۡقَدۡرِ. لَيۡلَةُ لۡقَدۡرِ خَيۡر مِّنۡ أَلۡفِ شَهۡر. تَنَزَّلُ ٱلۡمَلَٰٓئِكَةُ وَٱلرُّوحُ فِيهَا بِإِذۡنِ رَبِّهِم مِّن كُلِّ أَمۡر. سَلَٰامٌ هِيَ حَتَّىٰ مَطۡلَعِ ٱلۡفَجۡرِ.
“Ne e zbritëm Kuranin në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj! Atë natë zbresin melaqet dhe Shpirti (Xhebraili) me lejen e Zotit të tyre, për (të përcjellë) çdo çështje. Paqe është ajo deri në shfaqjen e agimit.”
Është pikërisht zbritja e Kuranit ajo që e ka bërë këtë natë të jetë kaq e vlefshme, madje më të vlefshme se një mijë muaj. Në të vërtetë, sikurse dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, që janë më të vlefshme se ditët paraprake të tij, po ashtu edhe në mesin e këtyre netëve është Lejletu-l-Kadri, ajo që arrin kulmin e vlefshmërisë. Në këtë natë filloi zbritja e Kuranit, e qëllimi këtu është zbritja e tij nga Leuhi Mahfudhi (pllaka e ruajtur tek Allahu) për në Bejtul-Izzeti, gjegjësisht në qiellin e kësaj bote, e nga aty, më pastaj, Xhebraili ia solli Muhamedit (a. s.) pjesë-pjesë, për 23 vjet me radhë.
Pra, në Natën e Kadrit ndodhi zbritja e Kuranit, zbriti drita nga Allahu për të zhdukur errësirën e mosbesimit dhe për të vendosur në vend dinjitetin njerëzor, që aq shumë ishte nëpërkëmbur. Kurani i tregoi njeriut se cili ishte ai në të vërtetë, e largoi njeriun nga adhurimi dhe përgjërimi ndaj çdo gjëje, drejt adhurimit të Atij që e meriton këtë adhurim, ndaj Zotit – Krijuesit të tij. Kurani i rivendosi edhe një herë lidhjet mes Krijuesit dhe njerëzve, të cilët e kishin harruar Zotin e tyre. E, pra, a nuk e meriton ky moment, momenti i zbritjes së Kuranit, që të jetë një natë e shënuar, një festë për mbarë njerëzimin?!
Nata e Kadrit, gjithashtu, e ka kuptimin e nderimit dhe të lartësimit. Nderimi dhe lartësimi bëhen në bazë të fuqisë së atij që e bënë atë. Edhe njeriu mund ta nderojë dhe lartësojë dikë, ama këtë e bënë për aq sa ka fuqi, e dihet se atë e ka të kufizuar. Por, kur këtë e bënë Krijuesi i çdo gjëje, fuqia e të Cilit nuk mund të kufizohet, atëherë nderim dhe lartësim më të madh nuk mund të ketë. Është, pra, maksimumi i nderimit dhe i lartësimit të Natës së Kadrit.
Rëndësia e Natës së Kadrit
Zbritja e Kuranit famëlartë, pa dyshim, ishte një kthesë e madhe ndërmjet dy periudhave dhe pikë fillestare e mëshirës së Allahut (xh. sh.), që erdhi për t’i nxjerrë njerëzit nga kufri në besimin islam (iman), nga errësira në dritë. Nga errësira e injorancës në dritën e së vërtetës, të diturisë dhe të shkencës. Me një fjalë, Nata e Kadrit është një natë e vlefshme në të cilën, të Dërguarit të Ndershëm, iu shpall Qitabi i vlefshëm.
Në këtë natë, me urdhër të Allahut bëhet hapja e dyerve të qiellit për t’ua pranuar lutjet atyre që i drejtohen Zotit, për t’ua zgjidhur hallet, për t’ua larguar vështirësitë dhe për t’ua sjellë gëzimin.
Nata e Kadrit është një natë e shënuar, një natë e rëndësishme jo vetëm për myslimanët dhe historinë islame, por edhe për mbarë njerëzimin dhe historinë botërore. Themi kështu, sepse në këtë natë, para më tepër se 14 shekujve, u vendos ura kalimtare drejt një epoke të re, që do të mundësonte zhvillimin e njerëzimit dhe, nëpërmjet Kuranit Fisnik, ata do të gjenin zgjidhje për të gjitha çështjet e nevojshme të tyre deri në Ditën e Kiametit. Në këtë natë, tërë njerëzimi e mori Librin Udhërrëfyes që s’mund të vlerësohet e të krahasohet dot me asgjë. Në këtë natë, përmes Kuranit, çdo gjë ka një domethënie, ka një kuptim. Thënë shkurt, me zbritjen e Kuranit janë vendosur vlera të reja dhe kritere të reja si dhe është sqaruar fati i tërë njerëzimit.
Në fillim të sures “el-kadr”, Allahu i Madhërishëm, thotë:
إِنَّآ أَنزَلۡنَٰهُ فِي لَيۡلَةِ ٱلۡقَدۡرِ وَمَآ أَدۡرَىٰكَ مَا لَيۡلَةُ ٱلۡقَدۡرِ؟
“Vërtet Ne e zbritëm atë (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit ?!”
Në Kuran, kurdo që ajeti shprehet në këtë formë, pra “ve ma edrâke…”, na jep të kuptojmë se ajo që pason është me rëndësi të veçantë dhe se për atë që pason në vazhdim të ajeteve i është treguar Profetit (a. s.) Ndërkaq, kur kjo pyetje vjen në kohën e tanishme të foljes, pra “ve mâ judrîke”, që në kuptim janë të njëjta, ato kanë ngelur fshehtësi dhe nuk iu kanë treguar askujt prej krijesave, madje as Pejgamberit (a. s.), siç është rasti, ta zëmë, me kohën e ndodhjes së Kiametit. Prandaj, nuk ka dyshim se kjo sure konfirmon rëndësinë, vlerën dhe pozitën e madhe që ka kjo natë. Kjo natë është konsideruar më e mirë dhe më e vlefshme se një mijë muaj të tjerë. Prandaj, një vepër të mirë e të dobishme, të cilën besimtari e bën në këtë natë, është e barasvlershme sikurse të njëjtën gjë ta ketë bërë përgjatë një jete të tërë, në të cilët nuk është kjo natë. I Lartësuar qoftë Allahu, që na ka begatuar edhe me këtë dhunti kaq të madhe vetëm për të na mundësuar që të arrijmë shpërblimin e kësaj nate dhe të fitojmë kënaqësinë e Tij!
Kurani, – Natën e Kadrit, natën kur filloi shpallja e tij, – e quan “Lejletu-l-Kadr”, që do të thotë: “natë respekti, nata e njohjes dhe e vlerësimeve më të mëdha, nata e caktimeve, nata e gjithëfuqisë”. Në këtë natë zbresin melaqet në qiellin e dynjasë dhe në tokë rreth njerëzve. Zbresin për shkak se Allahu (xh. sh.) në këtë natë përcakton çdo çështje që do të ndodhë gjatë vitit. Melaqet në këtë natë i përshëndesin besimtarët me selame dhe i zbatojnë urdhrat e Zotit. Kjo natë është paqe dhe shpëtim për besimtarët deri kur të shkrepë agimi i ditës re.
Pejgamberi (a. s.) Natën e Kadrit e quan nata më e rëndësishme në jetën njerëzore. Ai thotë:
“Në Ramazan është një natë, e cila vlen më shumë se një mijë muaj. Kush nuk e shfrytëzon atë natë, kush mbetet i privuar nga mirësia e asaj nate, ai edhe më tej do të jetë i pafat.”
Kur është koha e Natës së Kadrit
Do të theksojmë faktin se kjo natë me kaq peshë dhe me kaq rëndësi ka ngelur me fshehtësinë e vet, sepse nuk është treguar saktësisht se cila natë është ajo. Argumentet udhëzojnë se ajo bie në njërën nga dhjetë netët e fundit të muajit Ramazan. Madje, transmetimet më të sakta tregojnë se ajo ka të ngjarë që më shumë të ndodhë në netët tek të dhjetëditëshit të fundit të muajit Ramazan: 21, 23, 25, 27 apo 29. Këtë konstatim e vërtetojmë me hadithin e Resulullahut:
عن عائشةَ رَضِيَ اللهُ عنها، أنَّ النَّبيَّ صلَّى اللهُ عليه وسلَّم قال
تَحرَّوا لَيلةَ القدْرِ في الوِتْر من العَشرِ الأواخِرِ مِن رَمضانَ
Nga Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se Pejgamberi, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kërkojeni Natën e Kadrit (duke bërë adhurim) në netët tek të dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit.”
Por, Nata e Kadrit mund të ndodhë edhe në netët çift, siç ka ndodhur një herë gjatë jetës së Pejgamberit (a.s.). Urtësia e kësaj fshehtësie qëndron në faktin se besimtarët përmes adhurimit dhe punëve të mira e të mbarësisë, duhet ta kërkojnë këtë natë gjatë tërë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit, e sidomos në netët tek, e në veçanti në natën e 27. Pra, adhurimi i tyre të mos kufizohet vetëm në një natë të vetme, por të bëhet në sa më shumë net të Ramazanit. Këtë e pohon edhe Aisheja (r.a.), e cila tregon se Profeti (a. s.) ka thënë: “Kërkojeni Natën e Kadrit (duke bërë adhurim) në netët tek të dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit.”
Transmetohet nga Muaviu se Muhamedi (a. s.) ka thënë: “Nata e Kadrit është në natën e 27.”
Sidoqoftë, shumica e dijetarëve islamë janë të mendimit se Nata e Kadrit është në natën e 27 të Ramazanit dhe mund të themi se ky mendim është aq shumë i përhapur dhe i pranuar në botën islame tash e sa shekuj, madje aq sa njeriu fiton përshtypjen se kemi të bëjmë me konsensus të dijetarëve myslimanë – ixhmâi eimme. Mirëpo, Allahu është Ai që e di më së miri!
Ç’duhet bërë gjatë kësaj nate
Përgjigjja është shumë e thjeshtë. Duhet ndjekur praktika e Profetit (a. s.) dhe udhëzimi që ai ua ka këshilluar bashkëkohësve (as’habëve) të tij, rrjedhimisht edhe gjithë pasuesve të tij.
Në të vërtetë, sa herë që hynin dhjetë netët e fundit të Ramazanit, Profeti a.s. e shtonte dukshëm adhurimin e sidomos gjatë netëve tek, madje si asnjëherë tjetër gjatë vitit. Ndërkaq, në natën e 27 të Ramazanit, adhurimi i Pejgamberit (a. s.) arrinte kulmin, madje me një rast, siç transmeton Ebu Hurejreja, pati thënë:
عن أبي هُريرةَ رَضِيَ اللهُ عنه، عنِ النَّبيِّ صلَّى اللهُ عليه وسلَّم قال: من قامَ ليلةَ القَدرِ إيمانًا واحتسابًا غُفِرَ له ما تقَدَّمَ مِن ذَنبِه
“Kush e gjallëron me adhurim Natën e Kadrit, me besim të plotë dhe duke shpresuar në shpërblimin e Allahut, Allahu do t’ia falë mëkatet e mëparshme.”
Pejgamberi (a.s.) porosiste kështu edhe familjen dhe shokët e tij të dashur. Prandaj, edhe ne, që jemi pasuesit e tij, duhet të bëjmë sa më shumë vepra bamirësie, e sidomos duhet bërë adhurim-ibadet. Sipas një transmetimi, është e preferuar që besimtari t’i falë së paku dy reqate namaz nafile duke kënduar në të dy reqatet “El-Fatihanë (Elhamin)” dhe nga 7 herë suren “El-Ihlas (Kulhuvallahun)”, e, pasi të japë selam, 70 herë të thotë “Estagfirull-llâhe ve etûbu ilejh – (Kërkoj falje nga Allahu dhe tek Ai pendohem)”, sepse është shpresë e madhe që Allahu do t’i falë mëkatet e mëparshme të tij dhe të prindërve të tij.” – thotë Imam Gazaliu në librin e tij të mirënjohur “Ihjâu Ulûmuddîn”.
Edhe hazreti Aishja (r.a.) e kishte pyetur Pejgamberin (a. s.) se çfarë të thoshte në këtë natë kaq të vlefshme, e ai i kishte thënë:
يَا عَائِشَةَ قُوليِ: اللَّهُمَّ إِنَّكَ عَفُوٌّ تُحِبُّ الْعَفْوَ فَاعْفُ عَنِّى.
“Oj Aishe, thuaj: “Zoti im, Ti je falës, të pëlqen të falësh, ndaj Më fal mua!”
Ndërkaq, nga praktika e Pejgamberit (a.s.) në Ramazan dhe jashtë tij rezulton se ai më së shumti e bënte këtë dua:
وَكاَنَ أَكْثَر دُعَاءِ النَّبِيِّ فِي رَمَضَانَ وَغَيْرِهِ :”رَبَّناَ آتِناَ فيِ الدُّنْيَا حَسَنَةً وَفيِ الْآخِرَةِ حَسَنَةً وَقِناَ عَذَابَ النَّارِ
“O Zot! Na jep të mira në këtë botë dhe të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga mundimi i zjarrit!”
Prandaj, nga kjo që thamë më sipër, shihet sa e vlefshme dhe sa e bereqetshme është Nata e Kadrit.
Tanimë u kuptua se Kurani ka filluar të zbresë në Natën e Kadrit, siç e thekson ajeti kuranor:
إِنَّآ أَنزَلۡنَٰهُ فِي لَيۡلَة مُّبَٰرَكَةٍۚ إِنَّا كُنَّا مُنذِرِينَ
“Ne, vërtet, e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar. Vërtet, Ne gjithmonë kemi qenë paralajmërues.”
Kurse muaji kur ka filluar që të zbresë Kurani ka qenë muaji i bekuar i Ramazanit, sipas ajetit:
شَهۡرُ رَمَضَانَ ٱلَّذِيٓ أُنزِلَ فِيهِ ٱلۡقُرۡءَانُ هُدى لِّلنَّاسِ وَبَيِّنَٰت مِّنَ ٱلۡهُدَىٰ وَٱلۡفُرۡقَانِۚ …
“Ramazan është muaji në të cilin u zbrit Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe Dallues (i së mirës nga e keqja)…”
Nuk ka dyshim se muaji Ramazan, muaji i vetëm i përmendur në Kuran, është muaji më i lavdishëm ndër të gjithë muajt e tjerë të vitit. Gjithashtu, edhe Lejletu-l-Kadri është nata më e vlefshme e gjithë muajve të vitit. Madhështia e kësaj nate është e reflektuar nga madhështia e Kuranit. Drita e saj është e reflektuar nga drita e Kuranit. Shpërblimi i atij që e nderon këtë natë është rezultat i besimit të sinqertë të cilin e do Allahu, prandaj e shpërblen. Hazreti Aisheja tregon për praktikën e Pejgamberit (a. s) dhe thotë: “Pejgamberi (a. s.) e ka pasur si traditë të bënte ibadet gjatë dhjetë ditëve të fundit të ramazanit si në asnjë kohë tjetër!”
Së këndejmi, edhe ne duhet të shpejtojmë në adhurime dhe në vepra bamirësie, të ndjekim kështu praktikën e të dashurit tonë; të shpejtojmë që të arrijmë Xhenetin dhe kënaqësitë e Tij, sepse Nata e Kadrit dhe Xheneti janë dhuratë e Allahut për ne:
… ذَٰلِكَ فَضۡلُ ٱللهِ يُؤۡتِيهِ مَن يَشَآءُ وَٱللهُ ذُو ٱلۡفَضۡلِ ٱلۡعَظِيمِ
“Kjo është një mirësi e Allahut, të cilën Ai ia jep atij që do. Allahu është i zoti i Mirësisë së Madhe.”
Nata e Kadrit është natë e lutjeve të përbashkëta të melaqeve, njerëzve dhe gjithë Universit.
Xhamitë, mesxhidet dhe shtëpitë e myslimanëve anekënd botës, në këtë natë marrin frymë me lutje të qetë, e cila zgjat deri në agimin e hershëm.
E kur është kështu, atëherë edhe besimtarët duhet ta zbukurojnë këtë natë me namaz nafile – vullnetar dhe të bëjnë kërkim falje (istigfar), të pendohen për mëkatet, të kërkojnë mëshirë nga Allahu i Gjithëmëshirshëm, të përmendin shpesh Allahun, ta madhërojnë dhe ta falënderojnë Atë (tesbih dhe dhikr), të dërgojnë salate e selame mbi Pejgamberin (a. s.), të japin sadaka dhe t’i gëzojnë njerëzit në nevojë, jetimët e skamnorët, si dhe të lexojnë sa më shumë Kuran dhe të bëjnë dua.
Në këtë natë të shenjtë duhet të kërkojmë prej Allahut të falë të gjithë besimtarët. Të lutemi që kjo natë të bëhet faktor për forcimin e dashurisë dhe vëllazërisë, për bashkimin e botës islame dhe për ruajtjen e gjithë njerëzimit nga fatkeqësitë.
Allahu na ndihmoftë në kryerjen e detyrave tona me përkushtim dhe sinqeritet ndaj Tij!
Allahu na ndihmoftë që në Natën e Kadrit me adhurimet dhe bamirësitë tona të arrijmë kënaqësinë e Tij!
O Zoti ynë, Ti je falës, të pëlqen të falësh, ndaj Më fal mua!
O Allah! Edhe nëse ne të harrojmë Ty, Ti mos na harro neve!
O Zot i Gjithësisë! Edhe nëse ne nuk e meritojmë, Ti na fal e na mëshiro!
O Zoti ynë! Për hir të Kuranit, Qabesë e Ramazanit, Natës së Kadrit e Alejhi Selamit, na i fal mëkatet tona, se vetëm Ti je Falës i madh dhe Mëshirues!.
Amin, ja Rabe-l-alemin!
[Marr nga libri: Tema islame (festat, ditët dhe netët e mëdha), të autorit Resul Rexhepi, botuar nga Shtëpia botuese “Dituria Islame”, Prishtinë 2020]

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

U mbajt mbledhja e Këshillit organizativ për Konferencën “Myftiu dr. Rexhep Bojës – prijës vizionar dhe burrështetas i shquar”

Prishtinë, më 7 tetor 2024 Këshilli organizativ i Konferencës shkencore “Myftiu dr. Rexhep…