Ndër netët e mëdha, të mira, të cilat janë të dalluara nga netët e tjera të vitit, e cila konsiderohet si nata e shpëtimit, e kërkimfaljes dhe e pendimit, është edhe “Nata e Beratit”.
“Berat” ka kuptimin “e pafajësisë”, “me u lirua nga ndonjë vështirësi a nga ndonjë bela”, “shpëtim nga ndonjë situatë e keqe”, “marrje e pafajësisë”.
Kjo natë e madhe, bie në natën e pesëmbëdhjetë të muajit Shaban, që është muaji pararendës i Ramazanit. Ndryshe, quhet edhe Nata e gjysmës së Shabanit.
Në këtë natë, Allahu e cakton fatin e krijesave të gjalla për vitin tjetër. Natyrisht, fatin një krijese mund t’ia caktoj vetëm Ai i Cili edhe i ka dhënë jetën, Ai i Cili e ka krijuar. Kjo natë ua rikujton besimtarëve që të përgatiten sa ma shumë për pritjen sa më të mirë të muajit të Kuranit e të agjërimit, pra të përgatitën sa më mirë për Ramazan. Rëndësinë e kësaj nate më së miri na e ka pasqyruar Pejgamberi (a.s.) përmes haditheve të tij.
Lidhur me këtë natë, Bejhekiu, ka shënuar hadithin, të cilin e kishte treguar haz. Aisheja, me ç’rast Pejgamberi (a.s.) një herë i kishte thënë:
– “O Aishe, a e din se cila është kjo natë?“
– “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri”- ia kishte kthyer ajo.
– “Më ka ardhur Xhibrili dhe më ka thënë: Kjo është nata e mesit të Shabanit. Në këtë natë ngritën veprat e njerëzve dhe në këtë natë Allahu i liron gjynahqarët nga zjarri, aq sa kanë qime kopeja e deleve të fisit Benu-Kelb. Prandaj, më lejo që këtë natë të jam me ty?” – i kishte thënëPejgamberi (a.s.)
– I thash: “Po“, – thotë hazreti Aisheja, – dhe ai e fali namazin duke lexuar në kijam suren “Fatiha” dhe një sure të shkurtër, më pastaj qëndroi në sexhde deri në gjysmë të natës, e më pastaj u ngrit në reqatin e dytë dhe lexoi shkurt si në reqatin e parë dhe qëndroi në sexhde gati deri në sabah. Ndërsa ai qëndronte ashtu gjatë në sexhde, unë mendova se sigurisht që Zoti do ta ketë marrë pranë Tij, kështu që ia preka gishtin e madh të këmbës, por kur ai lëvizi atë, unë e kuptova se ai ishte gjallë, ndaj dhe ia vura veshin dhe e dëgjova atë në sexhde ndërsa po thoshte:
أَعوُذُ بِعَفْوِكَ مِنْ عُقُوبَتِكَ وَ أَعُوذُ بِرِضَاكَ مِنْ سُحْتِكَ وَ أَعُوذُ بِكَ مِنْكَ جَلَّ وَجْهَكَ لاَ أَحْصَى ثَنَاءًا عَلَيْكَ أَنْتَ كَمَا أَثْنَيْتَ عَلىَ نَفْسِكَ.
“Kërkoj mbrojtje me faljen Tënde nga dënimi Yt, kërkoj mbrojtje me kënaqësinë Tënde nga hidhërimi Yt, kërkoj mbrojtjen Tënde nga Ti, e madhe është fuqia Jote, unë nuk mundem t’i numëroj falënderimet që Ti i meriton, ashtu siç Ti e ke falënderuar vetën Tënde!”
Ndërsa unë, thotë hazreti Aishja, i thashë “O i Dërguari i Allahut, këtë që e dëgjova sonte sa ishe në sexhde, nuk e kamë dëgjuar as edhe një herë më parë?
– “A e mbajte në mënd?”-më tha Pejgamberi (a.s.).
– “Po“- ia ktheva.
– “Mësoj këto fjalë dhe mësojua të tjerëve, sepse Xhibrili më urdhëroi që këto fjalë t’i them në sexhde!”
– ” E ç’ka në këtë natë?” e pyeta.
– “Në këtë natë regjistrohen të gjithë ata që do të lindin dhe të gjithë ata që do të vdesin në këtë vit, po ashtu regjistrohen edhe furnizimet e tyre, dhe në këtë natë ngritën veprat dhe punët.“- më tha ai. (Transmeton: Bejhekiu, Tirmidhiu…)
Me një rast tjetër, Ibni Maxhe, ka shënuar një hadith, i cili tregon se si Pejgamberi na ka udhëzuar që këtë natë ta kalojmë duke bërë ibadet: “Kur të vjen nata e 15-të e Shabanit, rrini sa ma shumë zgjuar (duke bërë ibadet), kurse ditën që e pason, agjëroni”.
Është e mirë ditur se në kohën e sahabëve, këtë natë ata e kanë kaluar me ibadet të shtuar, me lexim të Kuranit, me nafile namaz, me dua-lutje, me kërkimfalje-istigfar, me dhënie të sadakasë e me vepra tjera të dobishme. Krejt kjo duke u mbështetur në shpjegimet e Pejgamberit (a.s.) lidhur me rëndësinë e kësaj nate: “Kur të vij nata e pesëmbëdhjetë e muajit Shaban, kalojeni me ibadet e nafile-namaz, kurse ditën me agjërim! Sepse atë natë Zoti me rahmetin e Vet i shfaqet qiellit të dynjasë dhe thotë:
“A ka kush që pendohet sonte dhe Unë ta fali?,
A ka kush që kërkon nafakë sonte dhe Unë t’i japë?,
A ka kush që është i sëmurë dhe kërkon prej Meje shërim dhe Unë ta shërojë?,
A ka kush që kërkon sonte diç tjetër dhe Unë t’i japë?”,
Kështu vazhdon deri në agimin e ditës së nesërme. (Transmeton Ibni Maxheh)
Pejgamberi (a.s.) e ka agjëruar muajin Shaban, e Natën e Beratit e kalonte edhe në ibadet, e për këtë ka porositur edhe ymmetin e tij. Lidhur me këtë, siç transmeton Dejlemiu, Pejgamberi i mëshirës, ka thënë: “Janë pesë kohë në të cilat duaja e drejtuar Allahut xh.sh. nuk kthehet, dhe ato janë: secila natë që i paraprinë ditës së xhuma, nata e parë e muajit Rexheb, nata e gjysmës së Shabanit (pra, Nata e Beratit) dhe netët që iu paraprijnë dy ditëve të Bajrameve”.
Nata e Beratit, e cila ndryshe quhet edhe “Nata e Shefatit”, d.m.th. “Nata e faljes (amnistisë)”, na rikujton se jemi në prag të muajit Ramazan, sepse nga kjo natë deri në Ramazan, na ndajnë vetëm dy javë, kështu që, kjo natë sikur na ofron gëzim e kënaqësi dhe na shtynë të përgatitemi sa ma shumë e më mirë për pritjen e Muajit të agjërimit. Në fakt, kjo edhe ka qenë praktikë e Pejgamberit (a.s.), e familjes së tij dhe e as’habëve në përgjithësi.
Vet, – më i dashuri i Allahut, duke e ditur rëndësinë dhe vlerën e kësaj nate, si dhe rëndësinë që ka agjërimi i ditës që e pason këtë natë, – ka thënë: “Në natën e pesëmbëdhjetë të muajit Sha’ban, të gjitha veprat nxirren përpara Zotit të gjithësisë, prandaj unë dëshirojë që veprat e mia të nxirren para Tij deri sa unë agjëroj”. (Trans. Nesaiu)
“Nata e Shefaatit” është e bazuar në këtë rrëfim:
Në natën e trembëdhjetë të muajit Shaban, Xhibrili kishte vajtur te Pejgamberi (a.s.) dhe i kishte thënë: “O Muhamed, koha është për tehexhxhud (me bërë ibadet natën), koha është ta lusësh Zotin për Ymetin tënd“. Pejgamberi ishte ngritur dhe kishte bërë ibadet tërë natën. Kur ka gdhirë sabahu, Xhibrili përsëri i kishte ardhur dhe i kishte thënë: “Muhamed, Allahu i Lartësuar ta ka falë një të tretën e Ymetit”! Kur i dëgjoi këto fjalë, Pejgamberi (a.s.) filloi të qante dhe pyeti: “O Xhibril, çka do të bëhet me dy hiset tjera?” “Nuk e di“- iu përgjigj Xhibrili.
Natën vijuese (natën e katërmbëdhjetë të Shabanit) përsëri Xhibri kishte shkuar te Pejgamberi dhe i kishte thënë njëjtë sikurse një natë më herët. Pejgamberi (a.s.) ishte ngritur dhe kishte bërë ibadet tërë natën. Në të gdhirë të sabahut të ditës vijuese, Xhibrili prapë kishte shkuar dhe i kishte thënë: “O Muhamed, Allahu t’i ka falë dy hise të Ymetit!” – “Po me hisen tjetër të ymetit çfarë do të bëhet?” – kishte pyetur ai.
Xhibrili i qe përgjigjur njëjtë “Nuk e di”.
Natën vijuese, pra të pesëmbëdhjetën e Shabanit, Pejgamberi përsëri ishte falur dhe e kishte lutur Zotin deri në sabah. Xhibrili përsëri kishte shkuar te Pejgamberi dhe i kishte thënë: “Gëzohu, o Muhamed, Allahu e fali gjithë Ymetit tënd, përveç ata që i bëjnë Zotit shirk-ortak.” (Ismail Hakki Bursevi, në “Rȗhu ‘l-Bejân”)
Nëse në muajin Shaban agjërojmë nafile (vullnetare) ose agjërojmë farzin që e kemi borxh por që na ka mbetur pa e agjëruar, është veprim i mirë dhe e pëlqyeshme (mustehab), sepse agjërimi gjatë Shabanit është edhe përgatitje për Ramazan. Kështu, ibadetet që duhet shtuar gjatë Ramazanit, siç është leximi i Kuranit, mirë është që ato të shtohen edhe në Shaban. Enes bin Maliku transmeton: “Kur arrinte muaji Shaban, as’habët i përkushtoheshin leximit të Kuranit. Besimtarët në këtë muaj e ndanin zekatin e pasurisë së tyre dhe ua jepnin të varfërve, në mënyrë që duke pasur për syfyr e iftar, të kishin mundësi për të agjëruar, ndërkaq kadinjtë (gjygjtarët) dhe mëkëmbësit (guvernatorët) ose ua zvogëlonin dënimin ose edhe i amnistonin krejtësisht të burgosurit. Tregtarët i paguanin borxhet e tyre. E kur vinte Ramazani, bënin gusull dhe hynin në Itikaf”!
Muaji Shaban, në të cilin edhe konsiston “Nata e Beratit”, është muaji i Pejgamberit (a.s.), sepse ai ka thënë:رَجَبُ شَهْرُ اللهِ وَ شَعْبَانُ شَهْرِى وَ رَمَضَانُ شَهْرُ أُمَّتِي
” Rexhebi është muaji i Zotit, Shabani është muaji im, kurse Ramazani është muaji i Ymetit tim”.(Sujutiu, në veprën “El-Xhâmi’u s-Sagîr).
Kështu, muaji Rexheb është muaji i faljeve të gjynaheve, muaji Shaban është për pastrimin e zemrës, ndërkaq muaji Ramazan për t’iu afrua Allahut të Gjithëmëshirshëm.Nuk duhet harruar edhe faktin se nëmuajin Shaban kanë ndodhur ngjarje me rendësi në historinë e fesë islame. Po e përmendim vetëm një:
Në muajin Shaban është bërë ndërrimi i Kiblës nga Bejtu’l Makdisi në Jerusalem në drejtim të Qabesë në Mekë. Lidhur me këtë, Ebu Hatim el-Busti, tregon: “Myslimanët gjatë namazit të tyre janë drejtuar kah Bejtu’l Makdesi në Jerusalem për 17 muaj e tri ditë… Allahu (xh.sh.) e ka urdhëruar Pejgamberin (a.s.) që në namaz të drejtoheshin në drejtim të Qabesë dhe kjo ka ndodhur më 15 Shaban dhe për këtë në Kuran është thënë: فَوَلِّ وَجْهَكَ شَطْرَ اْلمَسْسجِدِ الْحَرَامِ وَ حَيْثُمَا كُنْتُمْ فَوَلُّوا وُجُوهَكُمْ شَطْرَهُ ..
“…Pra, kthehu (ktheje fytyrën tënde) në drejtim të Xhamisë së Shenjtë (Qabesë), dhe kudo që të jeni kthejeni fytyrat tuaj në drejtim të saj…” (El-Bekare:144)
Nata e Beratit është edhe “Nata e pendimit”. Nata si kjo, është rast ideal që të bëhet teube istigfar, pra që të pendohemi sinqerisht. Njeriu mbase mund edhe të gabojë, por nuk guxon të harroj se e ka Allahun e Gjithëmëshirshëm; ai nuk mund të harroj e të mos pendohet dhe të mos i përmirësoj gabimet e tij. Lidhur me këtë, Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Ju të gjithë mbase jeni gjynahqarë, por më i miri nga gjynahqarët është ai i cili pendohet”. (Transmeton Tirmidhiu)
Nga sa u tha më sipër, shihet se Nata e madhe e Beratit ose Nata e gjysmës së Shabanit, ka rëndësi të veçantë, prandaj, nuk duhet humbur këtë rast të mirë që këtë natë të mos e zbukurojmë me nafile-namaz, me sadaka, me përmendje Zotin, me kërkimfalje, me agjërim të ditës së saj, si dhe me vepra tjera të dobishme, me të cilat kështu do të arrijmë kënaqësinë e të Madhit Zot!
O Zot i Gjithëmëshirshëm, mos na ndaj prej rahmetit Tënd!
Në këtë Natë të Madhe, na i falë gjynahet, e nesër në Ditën e Ahiretit, na bashko nën bajrakun e Muhamed-Mustafasë! Amin!
Resul ef. Rexhepi