Të nderuar vëllezër besimtarë!
Kjo është e xhumaja e fundit e këtij Ramazani. Një begati më vete. Ndërsa e falim sot
xhumanë dhe e përmbyllim ditën me lutjen e veçantë të ditës së xhuma, hyjmë në
natën e njëzeteshtatë të Ramazanit, natën që shpresojmë më së shumti të jetë Nata e
Kadrit. Mirësi të lidhura njëra pas tjetrës. Mirësi të rralla e të mëdha që vetëm Zoti
ynë bujar mund të na begatojë kështu. Prandaj ta falënderojmë Zotin për këto mirësi
e t’i shprehim mirënjohje të thellë!

Vëllezër myslimanë!
Për Natën e Kadrit dhe vlerat e mirësitë e saj na kanë folur Kur’ani dhe Sunneti.
Allahu i madhëruar thotë:
“1. Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. 2. E kush mund të ta shpjegojë ty
se ç’është nata e Kadrit? 3. Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj. 4. Engjëjt
dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha
vendimet. 5. Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.” [Kadr: 1-5]
Pra, Nata e Kadrit është nata në të cilën ka filluar të shpallet Kur’ani; është nata
adhurimi në të cilën vlerësohet më shumë se në njëmijë muaj tjerë në të cilën nuk
është Nata e Kadrit; është nata kur toka vërshohet nga melekët; nata e caktimeve
vjetore, nata që përshkohet nga paqja dhe siguria.
Pejgamberi Muhamed ﷺ ka thënë:
“Kush falet në Natën e Kadrit, duke qenë i bindur në besimin islam dhe ka qëllim të
sinqertë, do t’i falen gabimet e tij të mëparshme.” (Buhariu: 1806; Muslimi: 760)
Nata e Kadrit ka dhe lutjen e veçantë të saj, lutjen që na është përcjellë nëpërmjet
nënës së besimtarëve, Ajshes r.a., e cila rrëfen ta ketë pyetur Pejgamberin Muhamed
ﷺ se çfarë të thoshte në këtë natë? Ai i kishte thënë: “Thuaj: ALLAHUMME INNEKE
AFUVUN TUHIBBUL AFVE FA’FU ANNI – O Zoti im! Ti je Falës, e do faljen, andaj
më fal mua!”


Xhematlinj të nderuar!
Nata e Kadrit na e përcjell mesazhin se edhe në punët fetare e shpirtërore na duhet
uniteti. Raportet e këqija ndërmjet nesh, kacafytja, provokimet fizike, dëmtimi i tjetrit,
vrasja, janë edhe shkaqe pse ne privohemi nga mirësitë e mëdha si është Nata e Kadrit.
Prandaj sot kur vendi ynë po ballafaqohet me probleme të këtilla Nata e Kadrit duhet
të përcillet dhe si mesazh për bashkimin dhe unitetin, për harmoninë dhe respektin e
ndërsjellë, sepse vetëm kështu mund të fitojmë shpirtërisht e materialisht.
Ndryshe, përçarja dhee problemet mes nesh na dobësojnë, na thyejnë para sprovave,
na privojnë nga mirësitë dhe nga sukseset.
“Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos u grindni ndërmjet jush, sepse do
të humbni guximin e do t’ju lërë fuqia. Bëhuni të durueshëm, se Allahu, me të vërtetë,
është me të durueshmit.” [Enfalë: 46]


Të dashur vëllëzër!
Kohëve të fundit jemi tronditur nga një sërë ngjarjesh e aktivitetesh të dhunshme e
kriminale në vendin tonë. Vjedhje të ndryshme, dhunë familjare, fjalosje e rrahje,
vrasje e krime tjera që po rrezikojnë ta shndërrojnë vendin dhe shoqërinë tonë në një
film horror. Rasti i vrasjes së një njeriu së fundmi në Prishtinë dhe plagosjes së tre të
tjerëve, në mesin e të cilëve edhe një grua, e cila më vonë vdiq, është vërtetë për
shqetësim. Është alarm për të gjithë ne, për të gjitha instancat shtetërore, që të
nxitojmë e të ndërmarrim hapat që duhen ndërmarrë për të parandaluar këto dukuri
negative ndryshe ato do të vazhdojnë të përhapen e bashkë me to edhe hija e zezë për
ne dhe vendin tonë. Ne konsiderojmë se edukimi fetar luan rol të pazëvendësueshëm
në minimizimin e këtyre dukurive dhe në krijimin e një klime respekti e mirëkuptimi
në mesin e njerëzve prandaj edhe bëjmë thirrje që edukimi fetar të përfshihet në
kurrikula shkollore dhe në agjenda për luftimin e dukurive të këtilla negative.
Sa për ta argumentuar ndikimin e fesë në luftimin e këtyre dukurive po përmendim
një fakt thjesht për ilustrim. As shkatërrimi i Qabesë, Shtëpisë së Zotit, nuk është
mëkat më i madh se vrasja. Abdullah bin Omeri r.a., rrëfen ta ketë parë Pejgamberin
Muhamed ﷺ duke bërë tavafin (rrotullimin) rreth Qabesë dhe duke thënë: “Sa e
bukur që je! Sa aromë të këndshme që ke! Sa madhështore që je dhe sa madhështore
është shenjtëria jote! Por, pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, tek
Allahu shenjtëria e besimtarit është më e madhe se shenjtëria jote…” (Ibën Maxheh:
3932)


Besimtarë të respektuar!
Këto ditët e mbetura të Ramazanit janë të veçanta edhe për përmbushjen e obligimeve
materiale që kemi, e më saktë për dhënien e zekatit dhe sadakasë së fitrit. Ibën Abbasi
r.a., transmeton se: “Pejgamberi ﷺ , e obligoi zekatin e fitrit si pastrim për agjëruesin
nga fjalët e kota dhe të pista si dhe si ushqim për meskinët. Kush e jep para namazit
të Bajramit është zekat i pranuar ndërsa kush e jep pas namazit, ajo mbetet lëmoshë e
rëndomtë.” (Sahihu Ebi Davud, 1609)
Pra, sadakaja e fitrit është obligim dhe jepet për ta pastruar agjëruesin nga gabimet e
mundshme gjatë agjërimit dhe për të ndihmuar nevojtarët. Siç po shohim, edhe koha
e përmbushjes së këtij detyrimi material është e kufizuar prandaj të nxitojmë në secilën
xhami dhe në secilin këshill lokal të Bashkësisë islame t’i përmbushim këto deytrime.
Mos harroni, Bashkësia Islame, si institucioni përgjegjës për zhvillimin jetës fetare dhe
arsimore islame në nivel vendi është institucioni ku duhet të jepen këto kontribute.
Kështu ndihmoni në vazhdimin e veprimtarisë sonë fetare, në ruajtjen e identitetit
tonë islam, në vazhdimin e ndërtimit dhe mirëmbajtjes së xhamive, Medresesë dhe
Fakultetit me misionin e tyre edukativ e arsimor. Kështu vazhdoni ta ndihmoni edhe
Shoqatën tonë humanitare “Bereqeti”, që është zëri juaj tek skamnorët.


Të dashur besimtarë!
Sot, më 5 prill, ka filluar edhe regjistrimi i popullsisë. Në regjistrim përfshihet edhe
deklarimi për përkatësinë fetare. Siç e dini, ne, si popull, me shumicë absolute i
përkasim besimit islam, prandaj ju porosisim që të jeni të vëmendshëm gjatë
regjistrimit dhe të deklaroni përkatësinë tuaj fetare.
Do ta vazhdojmë me mburrje e krenari rrugën e të parëve tanë, atyre që u mburrën
me këtë komb e këtë fe.

Shfaq më shumë në Hytbe

Shfleto

ANGAZHIMI FAMILJAR DHE KOLEKTIV PËR LUFTIMIN E DHUNËSN DAJ FEMRËS

Të nderuar vëllezër besimtarë!Brenda më pak se një jave u shënuan dy vrasje të grave nga b…