Prishtinë, 24 gusht 2020
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, përmes Ambasadës së Kuvajtit në Shqipëri ka pranuar telegram urimi me rastin e festës së Kurban Bajramit nga Emiri i Kuvajtit, Sheikh Sabah Al-Ahmed Al-Jaber Al-Sabah.
Ambasada e Kuvajtit në Tiranë ka përcjellë urimet më të sinqerta për Bashkësinë Islame të Kosovës dhe për Myftiun Naim ef. Tërnava me rastin e kësaj feste.
“Ambasada e Shtetit të Kuvajtit në Republikën e Shqipërisë përfiton nga rasti t’i shprehë Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës nderimet dhe respektin më të lartë.”
Po ashtu në këtë mesazh është bashkangjitur edhe telegram urimi nga ministri i Kabinetit të Emirit, Al Xherah Al Sabah, i cili ka përcjellë urimin nga Emiri i Kuvajtit.
“Kam kënaqësinë t’ju përcjellë falënderimin e Emirit të vendit, shkëlqesia e tij Sheikh Sabah Al-Ahmed Al Jaber Al Sabah për urimin tuaj me rastin e festës së Kurban Bajramit, i cili ju uron gjithashtu shëndet të plotë e lumturi. Ju lutem, pranonin konsideratën time më të lartë”, thuhet në telegram urimin e dërguar nga ministri i Kabinetit.
Shteti i Kuvajtit ka qenë në vazhdimësi pranë besimtarëve myslimanë të Kosovës, duke përkrahur projektin e qendrës vakëfnore në Këshillin e Bashkësisë Islame të Drenasit. Vitin e kaluar Kuvajti mbështeti financiarisht përfundimin e kësaj qendre vakëfnore.
Shteti i Kuvajtit ka qenë në vazhdimësi përkrahës i shtetit të Kosovës, Bashkësisë Islame të Kosovës dhe besimtarëve myslimanë, duke përkrahur atë në forma të ndryshme, një ndër to ishte edhe mbështetja financiare që bëri shteti i Kuvajtit në përfundimin e Qendrës së Vakëfeve në Drenas.